Ka kaluar koha e njerëzve të kanunit, LDK duhet të qeverisë me vendin

Intervista

Ka kaluar koha e njerëzve të kanunit, LDK duhet të qeverisë me vendin

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 prill 2018 Në ora: 23:12
Imet Rrahmani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, ka folur në një intervistë për “Bota sot”, për qeverinë aktuale dhe ministrinë e Shëndetësisë, tash në krye me Uran Ismailin. Rrahmani në mandatin e kaluar ishte ministër në këtë Ministri. Ai mendon LDK-ja shumë shpejtë do të jetë në qeveri, ndërsa thotë se ka kaluar koha e “liderëve”, “trimave”, “kanunit”, etj..

“Bota sot”: Nëse do të kishit qenë deputet i pavarur, a do ta votonit demarkacionin?

Rrahmani: Nuk jam ekspert i fushës së kadastrit dhe gjeodezisë, por nga ajo çka është prezantuar nga dokumentet e të gjitha komisioneve dhe komentimi i tyre nga njerëz të niveleve akademike, duke e pa angazhimin e madh dhe të pandryshuar të ambasadorit të SHBA-ve dhe ambasadorëve të tjerë të shteteve mike, duke e ditur rëndësinë e madhe që ka lëvizja e lire e qytetarëve s'bashku me pritshmërinë e tyre dhe disponimin pro mbylljes së këtij procesi, unë e kisha votuar edhe  demarkacionin edhe sikur të isha deputet i pavarur. Jam shumë i bindur se kemi humbur shumë kohë të vlefshme dhe kemi rrezikuar zbehjen e besimit te partnerit strategjik nga kauzat e rrejshme të ngritura nga opozita atëherë. Kjo humbje vështirë se mund të kompensohet sepse tri vite në politikë ndoshta nuk konsiderohen shumë por për individin janë tepër të mëdha.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për Qeverisjen aktuale?

Rrahmani: Nëse  e shikojmë realisht nuk është dashur të presim më mirë dhe më shumë nga qeveria aktuale. Mjafton të rikujtojmë mënyrën e lidhjes së koalicioneve parazgjedhore, mënyrën se si është ndërtuar pa asnjë parim, pa platformë  qeverisëse, pa program konkret, që ka rezultuar  me themelimin e ministrive që nuk e din se për çka konkretisht shërbejnë, me një numër rekord  të zëvendësministrave  që vështirë të mendohet se mund të përsëritet ndonjëherë në një qeverisje tjetër. Nuk mund të pritet më shumë në një qeveri ku secili kryetar i partisë që participon në qeveri është kryeministër për ministrat e vet. Një qeveri ku askush askujt nuk i jep llogari, nuk ka rrjedh normale të informimit, komunikimit, nuk respektohet hierarkia, nuk mund të pretendoj se ka legjitimitet për të vazhduar me qeverisë tutje.

Kjo formë e qeverisjes nuk është ajo  qeverisje e cila i duhet vendit në këtë periudhë. Tash kur mund të vendoset për procese shumë me rëndësi, nëse Kosova qon sinjale te partneret tanë strategjikë, dhe jo vetëm te ata, se nuk jemi në gjendje të krijojmë rrethana normale qeverisëse që do të garantonin, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe shtyrjen përpara të proceseve integruese, ka mundësi të trajtohemi si partner joserioz që do të kishte pasoja për të ardhmen.

“Bota sot”: Si e komentoni deklaratën e Kryeministrit Haradinaj se do t`ia jap votat LDK-së për rrëzimin e Qeverisë?

Rrahmani: Edhe këto deklarata mund të trajtohen brenda konstatimit se kemi të bëjmë me një qasje joserioze ndaj të gjitha problemeve që i dalin përpara kësaj qeverie.

“Bota sot”: Më herët, Haradinaj iu është drejtuar me fjalor të ashpër juve si deputetë të LDK-së, si e keni parë këtë situatë?

Rrahmani:  Përdorimi i fjalorit të rrugëve në Parlamentin e Kosovës edhe nga Kryeministri, ndonjëri nga Ministrat, por edhe nga disa deputet na bënë të skuqemi të gjithë para qytetarëve që na kanë besuar me votën e tyre.  Zëvendësimi i fjalëve e domosdoshme, e rëndësishme  me fjalët e guximshme, dhe trimni gjatë elaborimit të temave me marrjes së vendimeve, mendoj se nuk hap perspektiv për një komunikim normal.

Kur i dëgjon këto nivele komunikimi  duhet të shtrohet pyetja se si dhe çka ndodhi që kemi këtë lloj qeverie, dhe si ka mundësi që disa deputet me fjalorin që përdorin gjatë komunikimit të i kenë bindur qytetarët për t’i votuar. Mjerisht ky është niveli .

“Bota sot”: Pse LDK nuk pranoi t`i jepte nënshkrimet për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut?

Rrahmani:  Pse nuk jemi bërë pjesë e nënshkrimit nuk kam përgjigje sepse nuk i kam informatat se si është ecur në procesin që ju e cekni, por mund të them se nëse nis një proces hetues ai duhet të siguron zbardhjen e të vërtetës ashtu si është dhe assesi ndryshe. 

“Bota sot”: A është e gatshme LDK për të qeverisur me vendin?

Rrahmani: Lidhja Demokratike e Kosovës po kthehet fuqishëm në si partia më e madhe në vend. Ka kaluar koha e eksperimenteve me "lider", "trima të vendime të mëdha", " kanungjinjve", tash LDK duhet të qeverisë me vendin por vetëm në një proces i cili legjitimon pushtetin dhe garanton stabilitet edhe karshi listave të ndryshme që nuk ja donë të mirën Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën që aktualisht po bëhet në Ministrinë e Shëndetësisë?

Rrahmani:  Shëndetësia  ka shumë problem të grumbulluara, të pazgjidhura edhe nga qasja joserioze e qeverive dhe politikës por edhe nga specifikat që ka si problematikë. Edhe pse duhet të pranohet se ka përparime të mëdha , prapë se prapë ka shumë për të bërë. Ne kemi punuar shumë gjatë mandatit tonë që të shtyjmë përpara proceset e reformimit të sistemit, implementimin e ligjeve që i kemi gjetur të miratuara nga parlamenti dhe ngritjen e kapaciteteve të reja profesionale. Fatkeqësisht, ashtu sikur ndodh zakonisht te ne në Kosovë, me ndryshime në qeverisje ndërron komplet edhe qasja ndaj proceseve me të vetmin qëllim, bërjen e punëve ndryshe, pa llogaritur dëmtimet që ju bëhen proceseve. Kështu ka ndodhur tash. Ne kemi vazhduar punët në implementimin e ligjeve që i kemi gjetur të miratuara, i kemi shty përpara, tash ka ngecje, ka lënie anash të proceseve reformuese, ka vetëm lavdërime dhe deklarata boshe, ose punë minore në raport me ato që ne kemi shty përpara.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me punën e ministrit Uran Ismaili, a është duke punuar më shumë se ju?

Rrahmani: Unë dua të besoj se secili ministër ka vullnet ose në ndërdije të tij mbizotëron dëshira për sukses, por, realizimi i vullnetit dhe dëshirave nuk varet gjithmonë vetëm nga qasja individuale. Interferimet nga anash, dhe bllokimet tinëzare nga brenda që shpesh herë hetohen pas shumë muajve , e dëmtojnë progresin.  Tash kemi një situatë jo të këndshme në institucionet spitalore sidomos me përkeqësimin e furnizimit me barna dhe material hargjues, rrezikimin e pacientëve të dializës, moskryerjes së obligimeve ndaj specializantëve. Duhet të theksojmë se ne me shumë më pak buxhet e kemi mbajtur në nivele shumë më të larta furnizimin.

“Bota sot”: Cilat punë ja vlen t’i theksoni gjatë mandatit tuaj si ministër i Shëndetësisë?

Rrahmani: Janë shumë brengosëse tendencat e relativizmit të rëndësisë së implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore  në procesin e  krijimit të rrethanave shumë më favorshme financiare për shëndetësinë. Sikur të kishte qasje më të arsyeshme , sot Ligji i sigurimeve do të ishte i ndryshuar dhe i plotësuar në Parlament. Ne i kemi kaluar ndryshimet në qeverinë e kaluar. Tendenca e anulimit të tenderit  dhe ndryshimeve të SISH-it tregon se kemi të bëjmë me interferime nga jashtë me të vetmin qëllim përfitimin e individëve ose grupeve të caktuara.

Dua të theksoj se ne kemi punuar me përkushtim në shumë fusha. E para kemi arritur që me aq buxhet sa kemi pasur të furnizojmë spitalet me material harxhues dhe barna në shifra rreth 70% e listës esenciale, e kujdesin parësorë në shifra mbi 80%. Ne kemi arritur që pas investimeve dhe dështimeve të vazhdueshme të e hapim Kardiokirurgjinë. Po e theksoj të e hapim Kardiokirurgjinë.

Kardiologjisë invasive ju kemi ble aparaturën ultramoderne, e cila fatkeqësisht u pengu të vie me kohën e paraparë mu nga disa deputet të Partisë Demokratike. Nuk u lejua që me treqind e nëntëdhjetë mijë euro të rregullohet hapësira ku do të vendosej aparatura  e re. Sot, sipas informata që kemi shifra do të jetë s'paku edhe njëherë më e lartë, pa përfshi një vit shtesë për mirëmbajtje dhe pa përfshi trajnimin e personelit në Austri. Ne gjatë mandatin kemi arritur që të sigurojmë përkrahje shtesë financiare për profesionistët në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive ashtu që ata të motivohen për zhvillimin  e këtyre shërbimeve. Tash po lavdërohen me frytet e punës tonë.

Ne kemi arritur që të pilotojmë me sukses SISH-in, që them të drejtën ishte filluar si proces në kohën e Ministrit Agani, dhe e kemi shpall tenderin për shtrirje të rrjetit në krejt vendin. Kemi arritur që të përgatitemi për fillimin e mbledhjes së premiumeve. Gjatë këtij procesi kemi hasur në nevojën e ndryshimit të ligjit, gjë që e kemi bërë. Pa e menduar mirë ministria e ka hequr nga plani legjislativ dhe është shty  për pjesën e dytë të vitit.

Kemi themeluar dhe funksionalizuar Odat e Profesionistëve Shëndetësor. Kemi zhvilluar për here të parë  pas lufte procesin e rilicencimit të profesionistëve shëndetësor. Kemi mbështetur Kujdesin Primar dhe mjekësinë familjare direkt edhe me programe shtesë për komuna të ndryshme në Kosovë. Kemi filluar së ndërtuari Qendrën emergjente në QKUK, kemi filluar ndërtimin e dy objekteve të shëndetësisë publike në Gjilan dhe Ferizaj, kemi filluar QKMF-në në Gjilan. Kemi përfunduar përgatitjet e terenit për fillimin e Spitalit Pediatrik. Kemi përfunduar edhe tenderin për Spitalin e Ferizajt për të cilin kemi një histori më të gjatë. Mjekimi Intensiv Qendror që nuk e di se pse nuk po lëshohet deri tash është zhvilluar nga ne. Ne e kemi larguar problematikën e Qendrës së Ujit nga Raporti i Progresit. Bile edhe autoambulancat që i ka paraqit si të arritura i kemi ble ne përfshi edhe kjo për transportin e të porsalindurve. Ka edhe shumë të tjera sidomos në fushën e specializimeve dhe subspecializimeve dhe në rregullimin e sektorit privat.

“Bota sot”: Shumë qytetarë të Kosovës dërgohen jashtë vendit për shërim, për arsye se këtu nuk gjejnë rehabilitim të duhur, sa keni punuar ju në këtë drejtim?

Rrahmani:  Nga ajo që u tha më lart mund të shihet se kemi punuar mjaft shumë të ngrinim kapacitetet e reja profesionale që të zvogëlojmë nevojën për trajtim jashtë institucioneve publike, por, duhet të e kemi të ditur se edhe pas krijimit të rrethanave tjera kur do të zhvillohet fondi i sigurimeve, do të ekzistoj një buxhet për blerjen e shërbimeve qoftë nga sektori privat qoftë jashtë vendit.

“Bota sot”: QKUK-ja nuk e përdor aparatin për diagnostikim të leukemisë që e mori donacion para 6 vjetësh, pse gjatë mandatit tuaj nuk u përdor kjo pajisje?

Rrahmani: Kjo pajisje është ble atëherë nga mjetet e grumbulluara në një mbrëmje bamirësie dhe nga donacionet tjera. Në fillim nuk është përdorur edhe si rezultat i mungesës së reagensëve dhe sidomos për shkak se ka kërkuar një përgatitje e veçantë e personelit. Më vonë kjo pajisje është vjetruar si teknologji dhe ka humbur interesimi për funksionalizim. Së paku kështu neve na u është prezantuar. Tash ka disa lëvizje uroj që të jenë të sinqerta sidomos nga kuadri profesional.

“Bota sot”: Në zgjedhjet e brendshme të LDK-së kur do që mbahen, cili mendoni se është kandidati i duhur për ta zëvendësuar Isa Mustafën?

Rrahmani: Zgjedhjet në parti i kemi vitin e ardhshëm. Tash për LDK-në është me rëndësi që Kryetari Mustafa është kthyer në vend dhe gëzon shëndet të mirë. Së shpejti ai do të jetë aktivisht i angazhuar në kryerjen funksionit të Kryetarit, edhe pse kontaktet dhe konsultimet i ka pasur të vazhdueshme me nënkryetarët dhe strukturat tjera partiake. Nëse paraqitet nevoja e zgjedhjeve të një kryetari tjetër, unë mendoj se të vetmin problem që e ka LDK-ja, është se cilin me zgjedh në mesin e shumë të mirëve dhe të merituarave, asnjë problem tjetër nuk e ka. Unë personalisht do të isha për një person  i cili garanton vazhdimësi, ka bagazh të aktivitetit, përfaqëson rugovizmin dhe lidh të gjitha gjeneratat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat