Shtetet serioze nuk i tërheqin njohjet ndërkombëtare sipas ndërrimit të motit

Intervista

Shtetet serioze nuk i tërheqin njohjet ndërkombëtare sipas ndërrimit të motit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 prill 2018 Në ora: 14:18
Gjergj Dedaj

Zëvendësministri i MPJ-së, Gjergj Dedaj në një intervistë për “Bota sot” ka folur rreth angazhimeve të diplomacisë së Kosovës, numrit të njohjeve që kohëve të fundit shumë herë janë diskutuar nëse po shtohen apo zvogëlohen ato dhe emërimit të tij në këtë pozitë. Dedaj po ashtu ka folur edhe për koalcionin e pozitës dhe zgjedhjet e parakohshme që po i kërkon opozita.

Bota sot: Si e vlerësoni diplomacinë e deritanishme në Kosovë?

Gjergj Dedaj: Diplomacia e Kosovës është vazhdimësi e diplomacisë se re kosovare të themeluar dhe aktive në këto dekadat e fundit. Nga periudha e para luftës, gjatë saj dhe pas luftës e deri në ditët e sotme kemi bërë angazhime diplomatike dhe politike për lirinë e Kosovës dhe integrimet euroatlantike. Diplomacia e sotme e ka më të lehtë këtë mision të bërë në tri dekadat e fundit.

Bota sot: Si po ecën Kosova me njohje, a po rriten apo  po zvogëlohen ato?

Gjergj Dedaj: Procesi i njohjeve rrjedhë, në fillim ishte dinamik dhe tani kur është në fazën e para finales është normale të zvogëloj ritmin. Kosova është e njohur nga rreth 116 shtete dhe ky numër është kredibil dhe për tu admiruar. Me rëndësi është se Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe ky proces vazhdon. Njohjet nuk janë merita partiake apo personale të asnjë lideri por e drejtë e popullit të Kosovës për pavarësi. Tendencat për të personalizuar dhe privatizuar njohjet janë pirateri politike. Ne paguhemi dhe kemi obligim të punojmë për njohjet dhe shtetet nuk na njohin për çështje të individëve por si një proces i drejtë politik dhe demokratik i fituar me gjak dhe i vërtetuar edhe në GJND.

Bota sot: Këtyre ditëve janë përmendur disa deklarata tuajat, ku keni thënë se vendet që po duan t`i tërheqin njohjet nuk janë të rëndësishme për Kosovën, sa realisht mendoni se kanë ndikuar negativisht këto deklarata?

Gjergj Dedaj: Deklaratat dhe angazhimet e mija politike tash e 28 vite kanë qenë në shërbim të lirisë së Kosovës dhe të tilla do mbesin. Spekulimet, keqinerpretimet me qëllim apo vetëm për spektakël nuk i marrë serioze. Për ne me rëndësi jetike janë njohjet nga SHBA, BE, Kanada, Japonia, Australia, Britania, Zvicrra, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia pastaj në të ardhmen nga Izraeli dhe Vatikani. Këto janë prioritetet tona. Por edhe njohjet nga vendet tjera mike duke përfshirë në të ardhmen edhe Serbinë janë njohje të rëndësishme të cilat do ndodhin. Shtetet serioze nuk i tërheqin njohjet ndërkombëtare sipas ndërrimit të motit, pushtetit apo presidentit. Për mua me rëndësi prioritare është të njihet Kosova edhe nga 5 vendet anëtare të BE , Izraeli dhe Vatikani.

Bota sot: Çfarë do të bëni si institucione të Kosovës, për të ndaluar fushatën e egër të Serbisë sa i përket njohjeve?

Gjergj Dedaj: Serbia asnjëherë nuk ka pushuar për të sabotuar rrjedhën e njohjeve të Republikës së Kosovës dhe kjo dëshmon dështimin e politikës së Beogradit zyrtar karshi Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ne nuk varemi nga agjendat e Serbisë dhe planet e saja ogurzeza për Kosovë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë dhe përgjegjësitë tona politike, shtetërore dhe institucionale. Kosova ka zot shtëpie dhe ka institucionet dhe liderët e saj politik të cilët nuk diktohen apo nuk ndikohen fare nga agjendat e Serbisë fqinje.

Bota sot: Ditë më parë është marrë vendimi për lirimin nga detyra të disa ambasadorëve nëpër vende të ndryshme të botës si erdhi deri te ky vendim?

Gjergj Dedaj: Lirimi nga detyra të disa ambasadorëve e diplomatëve është rutinë dhe rotacion i nevojshëm. Disa nga ata e kanë kryer mandatin, disa do pensionohen e disa kthehen në Kosovë në detyra të reja e ky është një rifreskim i përfaqësive diplomatike të Kosovës në botë. Ata do plotësohen dhe zëvendësohen me diplomatë tjerë të cilët pritet të emërohen në të ardhmen.

Bota sot: Si e vlerësoni performancën e Ambasadorëve të Kosovës?

Gjergj Dedaj: Performanca e Ambasadorëve të Kosovës në parim ishte e mirë, profesionale dhe serioze. Ambasadori është një personalitet i cili ka përgjegjësi të përfaqësimit dinjitoz e institucional të shtetit të Kosovës dhe është imazhi dhe fytyra e Kosovës në shtetin ku shërben.

Bota sot: Ju keni deklaruar ditë më parë se e meritoni të jeni President i vendit. Pse duhet të ju besohet një pozitë e tillë?

Gjergj Dedaj: Siç dihet në Kosovë janë emëruar mbi 70 zëvendësministra dhe emërimi im disi bëri zhurmë mediatike. Unë në fakt isha para dhe gjatë luftës një"ambasador" i lirisë së Kosovës duke vizituar dhe dëshmuar afër 28 vite kudo në qendrat e vendosjes për Kosovën. Askush nuk bënte zhurmë kur antarësova subjektin e parë poltik të Kosovës në ALDE dhe Internacionalen Liberale, apo kur u bëra nënkryetar i Kuvendit të Kosovës gjatë luftës, kur vizitoja zonat e luftes, apo kur isha ne krye të 60 demonstratave në vitin 1998 kundër diktaturës së Millosheviqit. As kur mora pjesë në Konferencën e Parisit, në Këshillin Transitor, deputet i Kuvendit të Kosovës me 2004. Askush nuk e thotë se jam politikani më i martirizuar i Kosovës, kur dihet se forcat serbe vranë 12 anëtarë të familjes sime më 27 prill 1999. Dhe tash pozita e lodhtë e një zëvendësministri e arritur nga koalicioni parazgjedhore mes PDK/PLK na qenka dhuratë apo problem. Pra e kam thënë nëse shikohet meritokracia unë do duhej të isha president apo kryeministër i Kosovës dhe kjo është e saktë.

Bota sot: Ardhja e Gjuriq në Kosovë, megjithëse nuk mori leje herën e parë, a ishte një provokim nga Serbia?

Gjergj Dedaj: Serbia gjithmonë  provokon por ne nuk duhet të kujdestarojmë në provokimet e tyre. Mënyra e arrestimit të Gjuriqit ishte thjeshtë një spektakël i panevojshëm. Zyrtarët e Serbisë duhet ta dinë se Kosova është një shtet fqinj i tyre dhe duhet ta respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe sovranitetin e Kosovës. Arrestimet spektakulare mediatike e pas ca minutave lirimi i tij ishte një farsë dhe lojë koti. Ato skena janë më shumë në favor të Serbisë dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës siç ishte edhe arrestimi i 6 gulenistëve një akt i dëmshëm dhe jo njerëzore e joligjore.

Bota sot: A do të veproj Kosova njëjtë edhe me liderët më të lartë të Serbisë nëse nuk marrin leje për të vizituar Kosovën?

Gjergj Dedaj: Liderët serbë duhet të lejohen ta vizitojnë Kosovën konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ata duhet të respektojnë rregullat e Kosovës nikoqire duke mos u përzier në punët e brendshme të Kosovës dhe integritetit politik e territorial të Republikës së Kosovës. Relaksimi i marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje është në dobi të dy vendeve, qytetarëve dhe paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan e më gjerë. Politikat shtetërore nuk janë spektakle elektorale dhe lojëra kalamajsh. Kosova duhet të mbetet një vend i hapur, demokratik dhe paqësor.

Bota sot: Tash pas zgjidhjes së demarkacionit, a është duke ecur Kosova në rrugën e drejtë për liberalizimin e vizave?

Gjergj Dedaj: Liberalizimi i vizave është një dënim i pa drejtë për qytetarët e Kosovës dhe sanksion johuman dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut për lëvizjen e lirë. Këtë teme e kam shtruar si problem edhe me rastin e pjesëmarrjes sime në një konferencë të ALDE për Ballkanin Perëndimore në Parlamentin Europian në Bruksel ku merrte pjesë edhe z.Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE dhe z.Hans Van Baalen, President i ALDE. Vizat duhet të liberalizohen urgjentisht. Aprovimi i marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi duhet të përmbyll këtë temë të vizave.

Bota sot: Jeni treguar kritikë disa herë ndaj deputetëve, a do të thotë kjo se edhe ju për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Gjergj Dedaj: Zgjedhjet janë instrument i vetëm i demokracisë kur nuk funksionon demokracia në një shoqëri. Deputet nuk po dëshmohen se janë të denjë për tu quajtur të zgjedhurit e popullit kur shofim skena tragjiko-komike dhe të dhunës e fyerjeve në Kuvendin e Kosovës.

Bota sot: Ju jeni pjesë e koalicionit të madh të pozitës, a ka krizë në këtë koalicion?

Gjergj Dedaj: Nuk ka krizë institucionale për momentin. Opozita nuk është e bashkuar në misionin e saj. Ata bëjnë politika klanore, partiake dhe promovime personale. Opozita duhet të bëjë luftën politike me programe, vizione dhe projekte politike e jo me gazlotsjellës, shishe e dhunë. Koalicioni aktual edhe po të mbahen zgjedhjet do dilte fitues i zgjedhjeve.

Bota sot: A prisni që Gjykata Speciale të trajtojë edhe rastin tuaj, ku keni qenë i burgosur gjatë luftës?

Gjergj Dedaj: Gjykata Speciale është një gjyqësi e padrejtë e një lufte të drejtë e çlirimtare. UÇK ka bërë luftë vetëmbrojtëse, të drejtë dhe çlirimtare në brendi të Kosovës dhe janë serbët ata të cilët kanë bërë krime në Kosovë. Ata duhet të përgjigjen për masakrat e mijëra civilëve shqiptarë kudo në Kosovë. Forcat e Millosheviqit do duhej të dalin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat