Në krah me Anton Qunin për milionat, flet njeriu që i ka parë personalisht dy fatura të nënshkruara nga Xhavit Haliti - Bota Sot
Në krah me Anton Qunin për milionat, flet njeriu që i ka parë personalisht dy fatura të nënshkruara nga Xhavit Haliti

Intervista

E diel, 20 maj 2018

Në krah me Anton Qunin për milionat, flet njeriu që i ka parë personalisht dy fatura të nënshkruara nga Xhavit Haliti

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 11 maj 2018 Në ora: 19:12
Saim Tahiraj dhe Xhavit Haliti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, ka shpalosur fakte të reja për mbështetjen financiare të ish Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ndaj UÇK-së. Lidhur me debatin e zhvilluar kohëve të fundit, Tahiraj ka thënë se, Deputeti Anton Quni ka plotësisht të drejtë kur pohon se UÇK-së i janë dhënë shumë më shumë se 8 milion marka gjermane nga Ministri Ahmet Krasniqi. Po ashtu, Tahiraj ka folur edhe rreth zhvillimeve të tjera politike në Kosovë, vrasjet e pasluftës, listat e fryra të veteranëve etj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Saim Tahiraj: Si shumë të keqe, me një qeveri të paaftë, të çkoordinuar e cila me paaftësinë e saj merr vendime të dëmshme për vendin, duke i shkelur ligjet në fuqi dhe kushtetutën e Kosovës. Them se është një vazhdimësi e të ashtuquajturit shtabi i UÇK-së, vetëm se në rrethana tjera. Keqpërdorimet me paranë publike, hajnia e hapur, nepotizmi, korrupsioni, mosfunksionimi i shtetit ligjor, janë cilësitë e këtij pushteti. Fatkeqësisht ende kemi në opozitë të pakoordinuar dhe jo të vendosur për rrëzimin e kësaj qeverie. Grupi parlamentarë i LDK-së është shumë aktiv, e që duhet përshëndetur dhe përkrahur, por si duket nuk e ka përkrahjen e lidershipit të partisë, sepse interesat e klanit Bukoshi janë në lidhura ngushtë me bartësit kryesorë të institucioneve të shtetit, të cilat gjenezën e kanë që nga viti 1993.

“Bota sot”: Si e komentoni debatin në mes të Anton Qunit dhe Xhavit Halitit për 8 milionë markat e dhëna nga ish- ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, për nevojat ushtarake të UÇK-së?

 Saim Tahiraj: Një debat i qëlluar, por i vonuar. Ky debat ka qenë dashur të hapet menjëherë pas lufte dhe të dilet me fakte konkrete që i disponon ish- Ministria e Mbrojtjes, por më mirë vonë se kurrë. Antoni ka plotësisht të drejtë se nuk janë vetëm 8 milionë, por shumë më shumë, që janë shpërndarë te komandantët e zonave dhe direkët përfaqësueseve të atij far shtabi të UÇK-së. Unë i kam parë personalisht dy fatura që na i ka treguar i ndjeri kolonel Ahmet Krasniqi, të nënshkruar nga ai dhe Xhavi Haliti, dhe i ruante me fanatizëm në portofolin (kuleten) personale të tij. Për njërën shumë e dëshmon edhe ish zëvendës ministri i mbrojtjes Agim Memeti në librin e tij „E Vërteta Për FARK-un“ në vlerë 3275000 marka. Unë nuk do i ceki shumën tjetër, për arsye se duhet të dalin publikisht personat përgjegjës që i posedojnë dëshmitë me shkrim. Për mua nuk është më rëndësi se a i ka nënshkruar vetëm Xhavit Haliti, me rëndësi është se sa i kanë marrë saktësisht dhe kush janë personat e autorizuar që i kanë marrë në emër të atij far shtabi, apo komandantë zone. Populli duhet ta dijë të vërtetën dhe të përfundojë njëherë e përgjithmonë kjo gënjeshtër e madhe se vetëm fondi “Vendlindja Thërret” e ka ndihmuar luftën. Mbështetje kryesore e luftës ka qenë nga fondi i qeverisë së Kosvës, fond të cilin e ka mbushur anëtarësia e LDK-së, pastaj aksionet shtesë të organizuara nga LDK-ja, shoqatat e ndryshme dhe fshatrat e vetorganizuara. Edhe fondin “Vendlindja Thërret” e kanë mbushur anëtarësia e LDK-së, sepse LPK-ja kishte një anëtarësi shumë të vogël.

 “Bota sot”: Cila mendoni se është e vërteta e këtyre parave?

 Saim Tahiraj: E vërteta është ajo që e thotë Anton Quni, vetëm se duhet që faktet me shkrim që i posedojnë personat përgjegjës të ish- ministrisë së mbrojtjes t’i  bëjnë publike. Këtë të vërtetë e dimë të gjithë që kemi qenë nën komandën e asaj ministrie, nuk është ndonjë fshehtësi e madhe, vetëm të publikohen dëshmitë me shkrim.

“Bota sot”: Mendoni që po keqpërdoren betejat e ndryshme të UÇK-së për konsum politik?

Saim Tahiraj: Po kjo ka ndodhë në vazhdimësi, jo vetëm beteja, por e tërë lufta në Kosovë është privatizuar nga një grupë i të ashtuquajturve komandantë  dhe në emër të kësaj e kanë privatizuar edhe pasurin publike dhe mbarë Kosovën. Kjo bandë që në emër të luftës, pa të drejtë, vazhdojnë të i qëndrojnë si një gur i rëndë i varur në qafën e popullit të shumëvuajtur. Këta jo vetëm që nuk kanë të drejtë të thirrën në emëron e luftës, por janë përgjegjësit kryesorë për përçamjen e saj, për vrasjet e komandantëve të FARK-ut, si dhe figurave kryesore të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova. Këto banda këtë vite filluan një fushatë të egër kundër bartësve kryesorë të betejave që komanduan oficerët e FARK-ut, dhe me çdo kusht po përpiqen t`i përvetësojnë ato, sepse sukseset ju mungojnë në fushën e betejave të luftës. Bashkëfajtorë në këtë fushatë janë edhe lidershipi i LDK-së dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse të kohës, të cilët po heshtin dhe nuk dalin me fakte të i demantojnë gënjeshtrat e që tani e njëzetë vite e kanë kontaminuar opinionin Kosovarë.

“Bota sot”: A duhet të largohen figurat politike që kanë marrë pjesë në UÇK nga skena politike në vend?

Saim Tahiraj: Figurat politike sot, të cilat kanë marrë pjesë në luftë më të vërtetë, dhe luftën e kanë bërë me armikun dhe jo me shqiptar. Ata komandantë dhe ushtarë të cilët bënë luftën ashtu siç duhet bërë dhe nuk e përçanë, ata që nuk e vodhën, ata që nuk  vranë shqiptarë, ata që nuk u pasuruan brenda nate, jo vetëm që nuk duhet të largohen nga politika, por përkundrazi të përkrahen sepse janë nderi i kombit. Ndërsa, ata të cilët janë të përlyer me këto fëlliqësira, jo vetëm që sa më parë duhet të largohen nga politika dhe institucionet ku janë, por duhet të merren organet e drejtësisë, e që fatkeqësisht ende janë në duart e tyre.

“Bota sot”: Përfaqësuesit e OVL-së kanë thënë se luftën e ka bërë UÇK-ja, ndërsa prezenca e FARK-ut nuk është ndjerë në luftë, si e komentoni ju këtë?

Saim Tahiraj: Kjo nuk qëndron fare, por së pari këta duhet ta mësojnë strukturën organizative të ushtrisë së një shteti. Këtë e ka shpjeguar shumë mirë kolonel Ahmet Krasniqi në gazetën ushtarake. Gjithashtu edhe zëvendësi i tij Agim Mehmeti në librin e tij “E vërteta për FARK-un”. Institucioni më i lartë i mbrojtjes në Kosovë ishte FARK, ndërsa UÇK ishte element i FARK-ut. Këta pavetëdije, apo me qëllime të caktuara i ngatërrojnë këto. Sistemi i mbrojtjes në Kosovë ka filluar të ndërtohet në vitin 1991 me formimin e ministrisë së mbrojtjes. Përgatitje ushtarake në Surrel të Shqipërisë dhe formimi i njësiteve guerile të komanduara nga kolosët Sali Ceku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, ishin pjesë e atij sistemi që u krijua në Kosovë. Ky organizim vazhdoj deri në luftën e hapur në Kosovë. Me fillimin e luftës FARK-u futi në luftë oficerët dhe ushtarët vetë, dhe i mbështeti me logjistiken e nevojshme në tëre zonat e luftës, pa bërë dallime. Të thuash e nuk ka pasur FARK dhe ministri të mbrojtjes do të thotë të mohosh Sali Cekun, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhen, Ukë Bytyqin, Rrustem Bruqin, Adem Ukëhaxhen, Smajl Hajdarin, Tahir Zemën, Isuf Haklaj, Sabahate Tolaj dhe shumë të tjerë. Të thuash se nuk ka pasur FARK, do të thotë të mohosh betejat e Loxhës, të Llukës, të Carrabregut, të Koshares dhe shumë të tjera. Do të thotë të mohosh gjithë atë logjistikë mbështetëse nga shtetet e Evropës dhe më larg. Mendoj se është koha e fundit që personat përgjegjës të institucioneve të Kosovës të kohës, duhet ta thyejnë heshtjen dhe të dalin me fakte konkrete që e dëshmon këtë, dhe unë e di se ka shumë dëshmi me shkrim për ta vërtetuar këtë. Populli duhet ta di të vërtetën.

 “Bota sot” Na tregoni diçka për LPK-në, funksionet e saja deri në cilin vite ishte prezente kjo organizatë, qëllimet?

 Saim Tahiraj: Kjo organizatë politike me orientim lindor, ishte aktive në perëndim dhe kishte përkrahësit e saj në numër të vogël, deri në vitet e nëntëdhjeta. Me daljen e LDK-së në skenë dhe themelimin e degëve të saj në mërgatë, autoriteti i saj dhe ndikimi të mërgimtarët bie. Mërgimtarët si në Kosovë iu bashkëngjiten në mënyrë masovike LDK-së. LPK nuk u përshtatë organizimit të kohës dhe i kundërshtoi ato. Ajo vazhdoi rrugën e saj, siç e kishte filluar. Më fillimin e formimit të sistemit të mbrojtjes dhe krijimin e njësiteve guerile, nuk ishte pjesë e atij organizimi. Ishe shumë destruktive. Me fillimin e aksioneve guerile dhe forcimin e tyre, ata e nuhaten se diçka e madhe po ndodhë dhe filluan verimet për përvetësimin e tyre. Ata shpiken një emër dhe filluan të lëshojnë komunikata në emër të aksioneve që kryenin njësitet guerile, pa pasur lidhje me to. Shfrytëzonin heshtjen e tyre sepse këtë heshtje ua impononte sekreti që duhej mbajtur për mos të u dekonspiruar. Kështu me punën e dikujt tjetër këta pa fije morali po krijoni një autoritet të maskuar prapa emrit UÇK. Unë e kam thanë edhe në disa intervista tjera se këta janë hajnat e historisë. Si përfundim i kësaj si rezultate i punës destruktive të tyre me mbështetjen e SHISH-it në Shqipëri kemi përçarjen e luftës, vrasjet e figurave politike dhe ushtarake duke filluar nga Ali Ukaj, Ilir Konushefci, Ahmet Krasniqi dhe për të vazhduar edhe  më pas luftën. Qëllimi i tyre në vazhdimësi ishte eliminimi i LDK-së dhe presidentit Rugova, marrja e pushtetit me çdo kushte. Këta ja arritën dhe sot i ke në pushtet. Përgjigjja më e mirë është puna e tyre me të cilën e shkatërruan Kosovën.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Shkumbin Mehmeti, lidhur me shumë vrasje politike që kanë ndodhur, mendoni se duhet të hetohet deklarata e tij?

Saim Tahiraj: Mendimi im është se kjo dëshmi është si rezultate i prishjeve të shefave të tyre, duke u përpjekur që fajin të ia hedhin njëri –tjetrit. Dëshmia e tij duhet të hetohet nga ndërkombëtarët, apo më mirë nga Gjykata Speciale, sepse sistemin e drejtësisë e kanë plotësisht në dorë këto banda. Si rasti Bllaca, edhe ky i Shkumbin Mehmetit dhe të tjera, janë pista të mira për zbulimin e këtij rrjeti kriminalë. Nëse ndërkombëtarët e kanë seriozisht që të shkohet deri në fund për zbulimin e këtij rrjeti kriminal, dhe mos t’i përdorin për interesa të caktuara të shërbimeve të caktuar, duhet mbrojtur këta dëshmitarë dhe mos të ndodhë si më parë likuidimi i shumë dëshmitarëve në mënyrë misterioze.

“Bota sot”: A mendoni se vrasjet politike do të zbardhën nga Gjykata Speciale e cila edhe do të jetë shpresë e vetme për familjarët?

Saim Tahiraj: Unë mendoj se po për faktin se vetëm një raste nëse zbulohet dhe argumentohet me dëshmi do jetë hallka e parë, që do e zbulojë tërë zinxhirin komandues dhe veprues. Po shpresojmë se nuk do vonohet shumë dhe do fillojë sa më shpejtë.

“Bota sot” A do të gjendet e vërteta mbi fryrjen e listave të kategorive të dala nga lufta?

Saim Tahiraj: Mendoj se jo, bile do ishte absurde me pritë që ta gjejnë të vërtetën ata që e kanë ndërtuar gënjeshtrën. Këto fryrje i bënë këta komandantë që përçanë luftën, që në emër të luftës u pasuruan duke plaçkitur dhe përvetësuar. Atëherë si mund të pritet që të pastrojnë këto lista nga këta që i fëlliqën. Gjithashtu të pritet nga prokuroria është naivitet, sepse e kanë në dorë po këto banda që e bënë këtë. Shumë oficerë dhe ushtarë të FARK-ut kanë mbetur jashtë këtyre listave. Këto lista mund të pastrohen vetëm atëherë kur do bie komplete rrjeti kriminal i tyre nga pushteti, nga prokuroria, nga gjykatat dhe të gjitha institucionet tjera të shtetit që i kanë pushtuar.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test