Basha: Rama e ka hallin tek 6 kullat, Meta nuk duhet të dekretojë ligjin për Teatrin - Bota Sot
Basha: Rama e ka hallin tek 6 kullat, Meta nuk duhet të dekretojë ligjin për Teatrin

Intervista

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Basha: Rama e ka hallin tek 6 kullat, Meta nuk duhet të dekretojë ligjin për Teatrin

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 19:06
Kryetari i opozitës Lulzim Basha

Kryetari i opozitës Lulzim Basha në një intervistë për Zërin e Amerikës ka deklaruar se opozita i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës Ilir Meta që të mos dekretojë ligjin e votuar tashmë për territorin e Teatrit Kombëtar, ligj i cili i hap rrugën rrëzimit të godinës e njëkohësisht sipas Bashës, edhe ndërtimit të 6 kullave.

Basha ka deklaruar se ligji është në shkelje të pastër të Kushtetutës dhe se qëllimi kryesor i kreut të qeverisë nuk është një teatër i ri, por një aferë e madhe korruptive që do të prodhojë plot 6 kulla të mëdha në zemër të Tiranës.

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje e nxehtë javët e fundit në Shqipëri është edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Shumica përdori numrat që ka në parlament dhe e votoi ligjin. Ju jeni shprehur se do ta bllokoni. Si mund ta bllokoni ju ligjin, kur Partia Socialiste i ka kartonat në parlament?

Lulzim Basha: Ne nuk kemi mundësi të bllokojmë ligjin dhe këtë ua kemi bërë të qartë artistëve, qytetarëve dhe gjithë faktorëve shoqërorë të shqetësuar nga gjithë kjo aferë e tmerrshme korruptive. Çfarë po ndodh? Edi Rama ka një plan thuajse 20 vjeçar për të ndërtuar kulla në këtë zonë, që është në zemër të qytetit, është praktikisht prapa monumentit të Skënderbeut, është në mesin e sheshit të ministrive. Ai ka më shumë se një vit që harton një plan, i cili mbahet i fshehtë për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, e për këtë qëllim duhet grabitur Teatri, duhen grabitur afro 8 mijë metër katrorë tokë publike, nga të cilat afro 5 mijë i takojnë Teatrit. Kjo grabitje bëhet përmes një kompanie, e cila është pronare apo ka blerë 280 metër katrorë. Me 280 metër katrorë që ka në pronësi kjo kompani, tani bëhet një ligj special në emër të kësaj kompanie për t’i dhënë edhe 8 mijë metra të tjerë nga toka publike. Pra, është një aferë e pastër korruptive, për të bërë qindra milionë euro me ndërtimin e këtyre 6 kullave. Është një projekt betonizimi dhe po ashtu, është një projekt i pastrimit të parave të pista.

Zëri i Amerikës: Dhe, cila është strategjia juaj për t’iu kundërvënë këtij projekti?

Lulzim Basha: Strategjia jonë është ajo që kemi ndjekur deri sot; kundërshtimi ligjor në komisione dhe seancë parlamentare, thirrja që i kemi bërë presidentit për të mos e dekretuar ligjin, vazhdimi i kundërshtimit tonë në kuptimin e institucioneve ligjore, është thirrja që i kemi bërë faktorit ndërkombëtar, në veçanti ambasadorëve, që të reagojnë ndaj këtij akti të paprecedent korruptiv; një ligj special për të grabitur tokë publike dhe për të ndërtuar kulla e për të pastruar paratë e drogës e të krimit. Natyrisht është mbështetja me të gjitha format dhe mënyrat e protestës së artistëve dhe të qytetarëve, pasi ndodhemi para një akti të rëndë kriminal dhe para një vepre të rëndë anti-kushtetuese, para një atentati ndaj Kushtetutës. Pse? Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj nuk është gjë tjetër veçse një ligjërim i vjedhjes, një akt që legjitimon vjedhjen. Pra, vjedhja dhe korrupsioni nuk janë probleme të reja në Shqipëri, por kjo është hera e parë kur maxhoranca në parlament voton për të ligjëruar vjedhjen. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm nga kjo pikëpamje, ndaj duhet refuzuar dhe jam i bindur se do të arrihet me bashkimin e forcave të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike./Gazeta Express

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test