Kisha shqiptare në qytetin antik Shasi, në shënjestër të uzurpuesve nga Metropolitania bregdetare serbe në Mal të Zi!

Intervista

Kisha shqiptare në qytetin antik Shasi, në shënjestër të uzurpuesve nga Metropolitania bregdetare serbe në Mal të Zi!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 14 korrik 2018 Në ora: 07:41
Mr.asc. Nikollë Shabani

Udhëheqësit e kishës ortodokse serbe tentojnë uzurpimin e vlerave kishtare shqiptare në Pellgun verior të Shkodrës, ku me datën 08 korrik 2018 tentuan ta mbajnë liturgjinë Serbo- sllave-ortodokse në kishën e Shasit, por të cilën e kundërshtuan banorët e kësaj zone/ Ulqinit me rrethinë.

Për t’u njoftuar më afër me këtë ngjarje e cila tërhoqi vëmendjen e opinionit shqiptar, shfrytëzuam rastin që për gazetën “Bota Sot” ta bëjmë një intervistë me Magjistër z. Nikollë Shabanin nga Ulqini, veprimtar i shquar i mërgatës tonë që jeton dhe vepron në Gjermani, të cilin e lutëm të na flas më konkretisht rreth incidentit të ndodhur para pak ditëve në Shas afër Ulqinit, ku një grup ortodoks sllav i kryesuar nga Metropoliti –Antillofije Radoviq tentuan ta bëjnë hapin e radhës që ta uzurpojnë kishën shqiptare të Shën Gjonit-Kryeprem në këtë qytet antik shqiptar!

Bota Sot: Z. Shabani, si e vlerësoni situatën e krijuar dhe a mund të na jepni një pasqyrë për këtë incident për lexuesit tanë?

Mr. Nikollë Shabani: Po, çështja e parë që duhet bërë të qartë opinionit, është se Mali i Zi në vitin 2006 e rikthej shtetësinë e vetë, duke bërë shkëputjen administrative nga Serbia, por jo edhe ndarjen nga kisha serbe. Në Mal të Zi sot veprojnë dy kisha ortodokse sllave, ajo serbe në krye me Antillofije Radoviqin dhe ajo malazeze në krye me mitropolitin Mihajlo  i paraquajtur Mirash Dediq. Këtu dua të nënvizoj faktin, se sjellja e Antillofijes serb dhe Metropolitit malazez, Mihajlo , janë të ngjashme sikur në Shqipëri sjelljet e Janollatosit me ato të At Nikollë Markut, që këta dy të fundit bëjnë përpjekje që ta shkëpusin Autoqefalinë e tyre, njëri nga Serbia dhe tjetri nga Greku. Kisha serbe në Mal të Zi i mban kishat ortodokse nën patronatin e saj dhe janë shumë të pakta kishat të cilat i administron Metropolia ortodokse malazeze.

E dyta, serbët ashtu sikur i kanë përvetësuar kishat shqiptare në Kosovë, sot e sa vite po e bëjnë të njëjtën gjë në trevat autoktone shqiptare në Mal të Zi, sikur tek liqeni i Shkodrës, në maje të Rumisë, në Arbnesh-Ostros, dhe këtë tentuan ta bëjnë këtë edhe në Shas. Kjo ngjarje-incident dëshmon se kësaj radhe iu hasi sharra në gozhdë, sepse shqiptarët e kësaj ane i dolën në mbrojtje kishës shqiptare katolike në Shas, duke mos e lejuar antillofijen serb që ta mbante liturgjinë në këtë kishë shqiptare!

E treta, si rrjedhojë e faktit që shumë shqiptare gjatë sundimit osman kaluan në islam, një pjesë e madhe e kishave shqiptare mbeten me pakë besimtarë, kështu që ato objekte kulti u bënë shënjestër e elementit uzurpues sllavo ortodoks. Një fenomen i këtillë ishte edhe në Shas, ku në dalje të tij ndodhet katundi me emrin Shas ku sot kemi vetëm shqiptarë të besimit musliman, të cilët siç dihet kaluan vonë në fenë islame, por duke e ditur se kishat në Shas ishin të parëve të tyre, kjo i shtyri që ta ndalojnë Antillofijen për ta mbajtur meshën në kishën tonë, mbasi ato i ruajnë shekuj me radhë. Ky veprim burrëror i shqiptarëve të kësaj ane është pëlqyer nga i tërë kombi ynë.

Bota Sot: Në cilat burime historike-fetare thirret kisha ortodokse sllave, kur është në pyetje treva jonë në këtë krahinë shqiptare?

Mr. Nikollë Shabani: Kisha ortodokse serbo-sllave “shkaqet” e uzurpimit të këtyre trevave dhe të kishave tona i gjen në disa shkrime të cilat ajo i quan „Letopise“, që janë shënime me karakter supozues, por që më vonë do shndërrohen, gjithnjë sipas tyre, në dokumente “faktike”. Këto dokumente nuk i njeh asnjë histori evropiane, sepse ato janë vetëm ushqim shpirtëror për banorët sllav që jetojnë në ato treva. Për shembull, ata shkojnë aq larg sa që vajtojnë mbi varret e të parëve tanë, duke tentuar që të bëhen pjesë e kësaj treve. Mbase, varreza sllavo-ortodokse në komunën e Ulqinit ka vetëm një në daljen perëndimore të Kështjellës dhe në bishtin e malit, gjegjësisht në hyrje të Ulqinit majtas, dhe këto varreza janë nga koha e Krajl Nikollës (shekulli 20) e mbrapa. Në katundet për rreth Ulqinit nuk ka askund varreza Sllavo- ortodokse, por as në tërë Krajën dhe as në brigjet e liqenit të Shasit e as tek bregu i Bunës. Po ashtu, as në komunën e Tivarit nuk gjenden varreza sllave më të vjetra se nga shekulli 20-të, përveç në Cernicë, pra as që bëhet fjalë për Shasin.

Mr. asc. Nikollë Shabani me rininë e Famullive të binjakizuara  nga Gjermania dhe Kllezna-Ulqin, para kishës së Shën Gjinit Kryepreme në Shas, mbas një lutje leximi nga bibla, Shtator 2013 në kuadër të celebrimeve kushtuar 1700 vjetorit të Erdiktit të Milanos- Erdikti i lirisë të besimit nga Konstandini i Madh.         

Image

Bota Sot: Në qytetin antik të Shasit sot janë vetëm dy kisha në këmbë, na thoni ju lutëm, cilën nga këto dy kisha tentojnë ta uzurpojnë serbët?

Mr. Nikollë Shabani: Ata tentojnë t’i marrin të gjitha kishat (ka më shumë se dy por ato janë  të dëmtuara), por për fat të keq, Shasi u la në heshtje pas ardhjes së uzurpuesve serbë në këto treva qysh nga koha e mbretërisë jugosllave dhe deri tek periudha komuniste, vend ky i cili u shndërrua në qendër të tyre me emrin Vlladimir, emërtim të cilin nuk e kishte pasur kurrë në histori. Kjo tregon se që nga ajo kohë i ka fillet uzurpimi i Shasit, tendencë e cila sot po shfaqet dita ditës më qartë. Ata sot e mbështesin kultin e tyre mbi atë, se gjoja Shen Vlladimiri u pagëzua në Shas në kishën e Shen Gjonit, në të cilën me 08. 07. 2018 tentuan ta mbajnë liturgjinë. Të gjitha këto supozime të tyre i hasim në burimin e vetëm të shkruar siç ata e quajnë „Letopise“- nga Pop Duklanin etj, të cilat nuk njihen nga asnjë historianë i Evropës perëndimore, siç thashë më lartë, janë tregime fantazëm të shndërruara në fakte të rrejshme historike dhe fetare.

Bota Sot: A kanë këto kisha ndonjë element Ortodoks në vete?

Mr. Nikollë Shabani: Jo, sepse vetë arkitektura e ndërtimit të kishave në Shas dëshmon se ato, filluar nga vetë palosja e gurëve në mure të kishës, janë puro shqiptare të stilit romak-katolik të vendosura në drejtimin perëndim – lindje. Duke mos pasur asnjë element ortodoks këto kisha në Shasin antik, që dikur thuhej se ato numëronin aq sa ka ditë një vit- pra 365, kjo trevë në vitin 2000 u vu në shënjestër të militantëve të kishës serbe të cilët çelnin gropa nëpër gërmadha të ndryshme, duke futur në to kryqe drurit të ritit sllavo-ortodoks. Për këto veprime provokuese banorët e kësaj zone mua dhe Monsinjor Imzot Zef Gashin na kanë njoftuar me rastin e vizitës tonë që i kemi bërë kësaj treve, madje disa shqiptarë kishin zbrazë mitraloz dhe kallash për t’i dëbuar këta militantë ortodoks serb dhe shumë tinëzarë. Mesha në Shas shqiptarëve iu është ndërprerë për herë të parë në vitin 1927, të cilën i fundit e ngriti Don Pal Marvukli, por kjo ndërprerje u thye në vitin 2013, kur dy meshtarët tanë Don G. Grabanica dhe Don S. Filipaj mbajtën meshën në kishën e Shasit, dhe ky rit vazhdon edhe sot. Pra, gjithmonë zotërues të kësaj dhe kishave tjera ishte kleri katolik shqiptar bashkë me besimtaret e vetë nga katundet rreth Shasit: Kllezna, Amulli, ShënTodri, Shën-Gjergji, Reçi, Kodrat e Dakejve, Sutjeli, Lulejt, Kullomza, Salçi, Pistulli, etj. Renovimi i këtyre kishave duhet domosdo të bëhet dhe ato duhet të vendosen nën drynin e shqiptarëve të kësaj zone dhe çelësin e tyre duhet ta mbajnë besimtarët e devotshëm, pa marrë parasysh se cilit besim i takojnë, atij katolik apo musliman!

Bota Sot: Nga cila kohë datojnë të dhënat historike, se shqiptaret e zotërojnë këtë trevë bashkë me Shasin?

Mr. Nikollë Shabani: Të dhënat historike vërtetojnë se shqiptaret këtu janë autokton të përhershëm. Shasi-Kllezna që e ruajnë traditën katolike të zonës që nga shek. i –II-të, banoret e zonës edhe sot e festojnë me 26 korrik festën e Shën Prenes, ku katoliket vëllezërit e tyre musliman i vendosin në ballë të tryezës. Pra këtu kemi një trashëgimi të ruajtur në popull e cila daton nga shekulli i –II-të. Shasi ka pasur një civilizim të lartë për kohën, ishte qytet ipeshkvnor i cili përmendet veçanërisht në dokumentet e ruajtura edhe sot, siç është dekreti i Papës, Aleksandrit të –II-të në vitin 1067, pra edhe mbas ndarjes së kishës, Shasi i takon ritit katolik-perëndimor, vend i cili përherë ishte në duar të arbëroreve, ndërsa në një periudhë u mor nga Venedikasit për të kaluar më pas në duar të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut nëpërmjet luftimeve të Nikollë Dukagjinit në vitin 1446 si dhe pas vdekjes së Lekë Zaharisë, ku së bashku me Gjergj K. Skënderbeun kaluan bregun e Bunës me 10 mijë luftëtarë shqiptarë për t’i mbrojtur trevat shqiptare në Pellgun verior të Shkodrës deri në Ratac dhe Kotorr.

Image

Nga këtu fillon qyteti Antik i Shasit dhe vazhdon drejt Bregut të Bunës, në sfond vëreni  Liqenin e Shasit mbas Malit të Brisë që vëreni në foto përtej liqenit  ndodhet Shtoji i Ulqinit me plazhet e veta të mëdha-mahnitëse, në horizont vëreni Malin mbi Gjirin e Shëngjinit-Lezhë.

Bota Sot: Fakti se Haxhi Sylejmani, banor i Ulqinit i besimit musliman reagoi ashpër kundër mbajtjes së meshës uzurpuese ortodokse serbe në kishën shqiptare në Shas, a mund të na thoni se çfarë mesazhi përçon ky qëndrim i tij tek gjithë shqiptarët? 

Mr. Nikollë Shabani: Po, kjo e vërteton qëndrimin e “Rilindasëve” tanë edhe në kohët tona sot , kur e mbarë Evropa habitej me rastin e një hoxhe ne Krajë, i cili i recitonte vargjet e një Frati, poetit Gjergj Fishta, gjë e cila dëshmonte se brenda kombit tonë është brumosur e vërteta jonë kombëtare, pa dallime mbi baza fetare. Ashtu ndodhi edhe kësaj radhe, që në ballë të kësaj qëndrese në Shas të del H. Sulejmani, ashtu siç bëri vite më parë për mbrojtjen e majës shqiptare në Rumi Mehmet Bardhi, pasi që aty kisha ortodokse serbo-sllave vendosi një kishë llamarine të hekurt me mbështetje të forcave ushtarake serbe, duke dëshmuar kështu se shqiptaret në radhë të parë janë kombëtarë dhe mbrojtës të çdo pëllëmbe të tokave dhe kulteve të tyre fetare.

Bota Sot: Z. Nikollë Shabanaj, ju falënderojmë shumë për kohën dhe intervistën e dhënë për gazetën tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat