Dhurata Hoxha: 2018, vit i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës

Intervista

Dhurata Hoxha: 2018, vit i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 korrik 2018 Në ora: 08:52
Dhurata Hoxha

Në mandatin e kaluar ishte ministre e drejtësisë, ndërsa tani është në krye të Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Dhurata Hoxha, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se shpreson që ky vit të jetë vit i lëvizjes së lirë, derisa rekomandimi pozitiv erdhi për shkak të plotësimit të kushteve nga Kosova. Po ashtu, ajo ka thënë se koalicioni qeverisës ka energji deri në fund të mandatit dhe se nuk është koha për zgjedhje këtë vit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Dhurata Hoxha: Gjendjen e shoh të mirë, me tendenca të dinamizimit të jetës tonë politike dhe ekonomike, në pritje të liberalizimit të vizave. Thjeshtë, pozitive.

“Bota sot”: Kanë kaluar 10 muaj që kur keni marrë këtë post. Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur gjatë punës si ministre e Integrimeve?

Dhurata Hoxha: Veprimet për procesin integrues janë të një natyre tjetër, të ndikuara nga faktorët e brendshëm dhe kërkojnë bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, më shumë kontakte dhe harmonizim, pra, angazhim i njëjtë, me natyrë tjetër. Kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj më shumë nga të gjitha institucionet që të dinamizojmë dhe shpejtojmë rrugën tonë në përmbushjen e reformave. Pra, na duhen edhe më shumë rezultate që të zëmë hapin me vendet e rajonit në disa fusha të rëndësishme për shtetin tonë.

Bota sot: Më mirë ministre e Drejtësisë apo tani që jeni e Integrimeve Evropiane?

Dhurata Hoxha: Punë e njëjtë me përgjegjësi të ndryshme. Tek emërimi politik, vije në shprehje cilësia e përkushtimit, pavarësisht resorit, pra, vijnë në shprehje cilësitë menaxhuese, bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Drejtësia është sektor tejet i ndjeshëm, po aq sa edhe Integrimi evropian, proces jetik e konsensual i qytetarëve, partive politike dhe institucioneve të vendit tonë.

Bota sot: Së fundmi keni propozuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”. Çfarë përfiton Kosova nga ky program?

Dhurata Hoxha: Ky është një program i rëndësishëm për qytetarët tanë, sepse është program me vlerë 187 milion euro, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë të interesuarit të aplikojnë në këtë program. Pres që sa më shpejt të ratifikohet në Kuvend që të jetë hyj në fuqi. Programi i dedikohen fushave si vijon: Ndërgjegjësimi për historinë dhe vlerat e përbashkëta evropiane, Angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare, Debati i së ardhmes së Evropës dhe sfidimi i euro skepticizmit, Nxitja e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, Viti evropian i Trashëgimisë kulturore 2018, etj.

Bota sot: Pas raportit pozitiv për Kosovën për vizat nga KE, cilat janë procedurat e mëtejme për liberalizim?

Dhurata Hoxha: Pas votimit pro liberalizimit në Parlamentin Evropian, atëherë çështja prezantohet te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme, në të cilin marrin pjesë Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së. Pra, duhet pasur parasysh që publikimi i raportit pozitiv nga Komisioni Evropian vë në lëvizje si Parlamentin Evropian ashtu edhe Këshillin e Evropës.

Bota sot: Zonja Hoxha, kur sipas jush qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen?

Dhurata Hoxha: Shpresoj se ky është viti i lëvizjes së lirë. Sipas të gjitha kontakteve tona, në Bruksel dhe qendrat e mëdha të vendosjes, Berlini, Parisi apo kryeqendrat tjera, ku kam zhvilluar takime dhe mbarshtruar të arriturat tona në për procesin, jo vetëm për lëvizjen e lirë por edhe për zbatimin e MSA-së, dhe reformat tjera të parashikuara me rekomandime për procesin integrues.

Bota sot: Sa ndikon mosnjohja e pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, në liberalizimin e vizave për Kosovën?

Dhurata Hoxha: Nuk janë pengesë mosnjohja e pesë shteteve, ngase, tërë procedurat e deritashme, nuk janë penguar nga ato vende. Ato, madje, kanë deklaruar se mosnjohja nuk do të ndikoj në procesin e liberalizimit të vizave, por as në procesin e votimit, ngase, nuk e përbëjnë 35% e popullsisë së Parlamentit Evropian.

Bota sot: Rritja e pagave është një çështje aktuale dhe së fundmi keni thënë se jeni duke diskutuar për ta marrë ose jo me rritje. E keni marrë me rritje pagën dhe cili është komenti juaj për këtë vendim të kryeministrit që është kundërshtuar mjaft nga opozita dhe shoqëria civile?

Dhurata Hoxha: Secili anëtar i Kabinetit qeveritar ka pasur mundësi të deklarohet, jo vetëm në mbledhje të Qeverisë, por edhe pas mbledhjes së Qeverisë. Unë e kam respektuar atë vendim.

Bota sot: Së fundmi pati ankesa nga kryeministri Haradinaj për mungesën e ministrave në seancat e Kuvendit. Cili është komenti juaj për këtë dhe sa jeni ju e pranishme në seanca?

Dhurata Hoxha: Mendoj se Kabineti qeveritar duhet të respektojë ligjin edhe sa i takon pranisë në Kuvend, edhe sa i takon mbledhjeve të Qeverisë. Gjithsesi, angazhimet e shtuara të ministrave, mund të jetë shkaku i mungesave në Kuvend, ju e shihni dinamikën e punës, konsideroj se ministrat duhet të gjejnë gjithsesi kohë që të jenë të pranishëm në seanca.

Bota sot: Sa është i qëndrueshëm koalicioni qeverisës?

Dhurata Hoxha: Mendoj se Koalicioni ka energji të mjaftueshme, të bollshme, për të çuar deri në fund mandatin e fituar nga besimi i qytetarëve. Konsideroj se interesi ynë nacional aktualisht është procesi integrues, andaj, deri në fund të mandatit, gjendja në vendin tonë do të jetë ndryshe. Më afër procesit integrues. Ju e dini se viti zgjedhor, në proceset integruese, shkakton ngecje të madhe. Edhe nga ky prizëm, e shoh se Koalicioni duhet të vijojë punën me intensitet, ta afrojë vendin si kurrë më parë me vlerat integruese euro-atlantike.

Bota sot: A mendoni se duhet të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?

Dhurata Hoxha: Jo, nuk e shoh opsion. Kemi shumë punë tjera më të vlefshme, të lidhura me konsensusin nacional, procesin integrues, liberalizimin e vizave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e reformave. Ne kemi shumë punë më prioritare se zgjedhjet. Qytetarët presin po ashtu diçka tjetër.

Bota sot: Si mendoni se do të gjendet zgjidhja për dialogun me Serbinë, bazuar në qëndrimin aktual të opozitë karshi këtij procesi?

Dhurata Hoxha: Ne kemi Kushtetutë dhe ligje të cilat, në mënyrë decidive saktësojnë përgjegjësitë e secilit institucion. Mendoj se nuk duhet krijuar mjegull për procesin e dialogut. Ne duhet të bëhemi pjesë e vlerave evropiane, pjesë e OKB-së, pjesë e instancave ndërkombëtare që nënkuptojnë dialogun, debatin dhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve me paqe e bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat