Cutillo: Kanabisi shqiptar mbetet një kërcënim për Italinë

Intervista

Cutillo: Kanabisi shqiptar mbetet një kërcënim për Italinë

Më: 26 korrik 2018 Në ora: 09:18
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, thekson se qeveria e re italiane nuk ka ndryshuar kurs ndaj Shqipërisë. Problem mbetet trafikimi i lëndëve narkotike

Italia është një nga vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian dhe një nga vendet partnere në fushën e ekonomisë për Shqipërinë. Vazhdimisht mediat italiane kanë folur për rastet e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë dhe më pas drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, Italia është edhe një nga kontributorët më të mëdhenjë për ruajtjen dhe luftën kundër kanabisit në territorin shqiptar. Gjatë intervistës për gazetën “Shekulli”, Ambasadori italian Alberto Cutillo, tregon rrugët që duhet të ndjekë qeveria shqiptare për të realizuar reformat e kërkura nga Bashkimi Europian, nevojën për vullnet politik dhe dhënien përparësi për reformën në drejtësi. Për sa i përket çështjes së kufirit detar më Greqinë, ambasadori shprehet se, mbyllja e kësaj marrëveshjeje është shumë e mirë edhe për stabilitetin e Ballkanit.

A mendoni se Shqipëria është gati për të hapur negociatat me Bashkimin Europian? Pra, a i ka kapacitetet e e nevojshme për të përfunduar reformat për një vit?

Italia mbështet plotësisht rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Europian të muajit prill për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, duke marrë parasysh rezultatet domethënësë të arritura deri më tani në fushën e reformave. Gjatë vitit të ardhshëm, pritet nga Shqipëria që të përmbushë dy detyra: konsolidimin e reformave në fushat prioritare, e veçanërisht në lidhje me sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe fillimin e fazes “screening”, shqyrtimit të legjislacionit shqiptar në funksion të përafrimit me legjislacion e Bashkimit Evropian. Ky proces do të lejojë hapjen e negociatave të pranimit për kapitujt 23 dhe 24 në fund të vitit 2019. Këto rezultate janë të arritshme, por nevojitet vullnet i fortë politik, aftësi e lartë administrativ dhe mbështetja e të gjitha forcave politike.

Departamenti i Shtetit ka publikuar një raport për drogat nga Shqipëria, e cila theksonte se situata në Shqipëri është shumë e brishtë. Shumica e drogës shkon në Itali. A është e shqetësuar qeveria italiane për këtë situatë? Cialt janë planet aktuale të qeverisë italine për të ndihmuar Shqipërinë?

Qeveria italiane i kushton vëmendje të veçantë çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar në Shqipëri dhe trafikimin e drogës midis vendeve tona. Kanabisi, së bashku me narkotikë të tjerë dhe me kontrabandën e mallrave të paligjshme përmes Shqipërisë, mbetet një kërcënim serioz për Italinë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së. Për këtë arsye Italia është shumë aktive në luftën kundër trafikimit dhe në përgjithësi kundër krimit të organizuar: kemi filluar të ndihmojmë dhe të mbështesim Republikën e Shqipërisë që nga viti 1991 – dhe sot ne mund të mbështetemi në shumë instrumente dypalëshe (marrëveshje, protokolle dhe memorandume), mbi çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit policor – gjithnjë me qëllimin për t’i çuar më tej përpjekjet e përbashkëta në luftën ndaj krimit të organizuar.

Veprimi ynë në këtë drejtim është në një linjë me politikën tradicionale italiane në mbështetje të stabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri kemi në Ambasadë një zyrë ndërlidhëse të Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme që punon për zbatimin e operacioneve të përbashkëta të policisë, asiston dhe merr pjesë në ekipe të përbashkëta të hetimi, i ofron asistencë autoriteteve policore italiane dhe shqiptare, bashkërendon aktivitetet ajrore dhe detare të Guardia di Finanza-s dhe të Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Përveç kësaj, ne mund të mbështetemi te Guardia di Finanza Italiane (NUFROM) në Durrës dhe Vlorë, ??me 24 oficerë që veprojnë në Detin Adriatik. Që nga viti 2012, Guardia di Finanza po kryen aktivitete vrojtimi ajror në territorin e kultivueshëm të Shqipërisë gjatë periudhës së kultivimit.

Me këtë instrument ne synojmë të zbusim problemin e kultivimit të kanabisit. Përveç nivelit dypalësh, Italia ka një rol parësor në programet europiane në sektorët e zbatimit të ligjit dhe sigurisë. Italia drejton PAMECA V, projekti i asistencës teknike të BE-së që mbështet dhe asiston forcat kryesore të policisë në Shqipëri – në veçanti Policinë e Shtetit dhe zyrat e prokurorive – në arritjen e objektivave, duke e përafruar performancën e tyre me standarded e Bashkimit Europian. Italia gjithashtu udhëheq komponentin “Policia” të programit IPA II 2017: projekti rajonal i Bashkimit Europian kundër  krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Këta janë vetëm disa nga shembujt më domethënës të angazhimit italian në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Në bazë të informacionit që ju keni, a ka është bërë përparim në drejtim të luftës kundër kanabisit nga qeveria shqiptare?

Këshilli i Bashkimit Europian i ka njohur Shqipërisë “rezultate domethënëse”, Qeveria ka ngritur disa instrumente të reja në luftën kundër krimit: e kam fjalën – për shembull – për Task Forcën anti-kanabis e cila, me përbërje ndërministrore dhe ndërinstitucionale, bashkërendon, verifikon dhe menaxhon aktivitetet e të gjithë aktorëve të përfshirë në nivel kombëtar; për Task Forcën speciale të parashikuar nga plani i veprimit i operacionit “Forca e Ligjit”; për projektin e vetingut të Policisë. Qeveria është plotësisht e vetëdijshme për faktin se lufta kundër krimit të organizuar është një përparësi që duhet të të çohet përpara me vendosmëri. Përmes instrumenteve të lartpërmendura, disa rezultate janë arritur, por është e qartë se pritet përparim i mëtejshëm dhe më domethënës, veçanërisht në aspektin e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve të aktiviteteve të mëdha kriminale.

Për sa i përket mosmarrëveshjeve për kufirin detar, midis Greqisë dhe Shqipërisë, për Zonën Ekonomike Ekzkluzive, a preket Italia nga këto negociata?

Italia ndikohet vetëm pjesërisht nga marrëveshja për  kufirin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse ajo do të sigurojë bazën e nevojshme për përcaktimin e mëtejshëm të trifikut detar tripalësh midis Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Të gjithë kufijtë e tjerë dypalësh midis Italisë dhe Shqipërisë nga njëra anë dhe Greqisë në anën tjetër, tashmë janë përcaktuar, përkatësisht në vitet 1992 dhe 1982. Mbi të gjitha, ne mbështesim plotësisht përmbylljen e kësaj marrëveshjeje, për kontributin e saj në konsolidimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Deti Adriatik dhe në rajonin e Ballkanit, që përbën një prioritet kyç për ne.

Si është e orientuar politika italiane përkundrejt Shqipërisë. A ka ndonjë kusht qeveria e re italiane për Shqipërinë, përpara se ne të fillojmë negociatat me Bashkimin Europian?

Mbështetja për zgjerimin e BE-së, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, paraqet një përparësi të palëkundshme për politikën e jashtme italiane. Ministri i Punëve të Jashtme, Enzo Moavero Milanesi, u angazhua personalisht me qëllim që Këshilli i Bashkimit Europian të miratonte përfundimet e arritura më 26 qershor, pavarësisht kundërshtimit të disa Shteteve të rëndësishme anëtare. Asnjë kusht i mëtejshëm nuk duhet të vendoset në këtë rrugëtim. I vetmi kusht është dhe mbetet që të zbatohen dhe të konsolidohen reformat në sektorët prioritarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat