Protestat, “arma” e fundit për pamundësimin e udhëheqjes së dialogut nga Thaçi

Intervista

Protestat, “arma” e fundit për pamundësimin e udhëheqjes së dialogut nga Thaçi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 korrik 2018 Në ora: 11:38
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë dhe kjo duhet të pamundësohet edhe përmes protestave nga qytetarët, nëse nuk ka zgjidhje tjetër.

Kurteshi ka folur për raportin pozitiv të KE-së për Kosovën, ku ka thënë se është lajm i mirë por që nuk duhet të bëhen spekulime për liberalizimin e vizave. Sa i përket lajmeve për ndarjen e Kosovës, deputeti i VV-së, ka thënë se fillimisht duhet të ketë njohje nga ana e Serbisë dhe më pas pa imponime, duhet të ketë marrëveshje në mes të dyja vendeve. Ndërsa, në lidhje me gjendjen e arsimit në Kosovë, Kurteshi që është kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ka thënë se ajo është e rëndë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Ismail Kurteshi: Një vend, në të cilin, rinia nuk sheh perspektivë, ku shumica absolute e qytetarëve  zgjidhje e konsiderojnë migrimin nga vendi, situata nuk mund të jetë e mirë. Korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, mungesa e institucionit të përgjegjësisë, mungesa e qytetarisë aktive, mungesa e vullnetit për ta ndërtuar një shtet ligjor na ka sjellë në këtë gjendje të rëndë, nga e cila duhet të dalim vet pa pritur ndihmë nga të tjerët. Duhet ta kuptojmë se shteti për ne është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, prandaj për ndërtimin e tij duhet të gjithë ne të investojmë.

“Bota sot”: Së fundmi Kosova ka marrë raport pozitiv për liberalizimin e vizave nga KE. Si e vlerësoni këtë?

Ismail Kurteshi: Është lajm i mirë, por frikohem se pas liberalizimit të vizave ka me pas shumë të zhgënjyer. Vizat janë të mira, ato do të na ndihmojnë në disa fusha por nuk do të na i zgjidhin problemet jetike siç është papunësia etj.

“Bota sot”: Kur sipas jush qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza? Vazhdimisht ka premtime që këtë vit do të ndodhë.

Ismail Kurteshi: Kjo nuk është në dorën tonë, prandaj nuk është mirë të merremi me spekulim. Evropa përveç insistimit që të plotësohen kushtet e caktuara, me liberalizimin e vizave po i realizon edhe politikat e saj.

“Bota sot”: Si opozitë vazhdimisht keni kritikuar punën e Qeverisë Haradinaj. Pse sipas jush kjo Qeveri nuk duhet të vazhdojë punën?

Ismail Kurteshi: Sepse nuk po i përmbush premtimet elektorale, nuk po e realizon programin e saj politik, po bënë shumë gabime që po i kushtojnë vendit dhe se nuk e ka shumicën e nevojshme për të funksionuar.

“Bota sot”: Përpos VV-së edhe LDK vazhdimisht ka kundërshtuar qeverinë dhe ka paralajmëruar edhe mocion. Si po shkon bashkëpunimi në mes jush në këtë aspekt? 

Ismail Kurteshi: Opozita në përgjithësi ka shprehur vullnetin për ta rrëzuar këtë Qeveri por aktualisht i mungojnë votat e nevojshme për të ndodhur mocioni.

“Bota sot”: A do të ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Ismail Kurteshi: Nuk e di.

“Bota sot”: Keni kundërshtuar dhe presidentin Thaçi si kryenegociator në dialogun me Serbinë? Çfarë duhet bërë që ai të mos e udhëheq fazën e fundit të dialogut?

Ismail Kurteshi: Pas lëshimeve të mëdha dhe shumë të dëmshme për vendin, që delegacioni i Kosovës, në krye me Thaçin, i kanë bërë Serbisë, Thaçi në asnjë mënyrë nuk duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Puna e parë ka ndodhë, opozita dhe një pjesë e pozitës ka kërkuar që Thaçi të mos vendoset në krye të delegacionit të Kosovës. Nëse kjo nuk mjafton Kuvendi duhet të deklarohet për këtë çështje. Nëse edhe kjo nuk mjafton qytetarët duhet të aktivizohen dhe përmes protestave duhet t’ia pamundësojnë Thaçit udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

“Bota sot”: Kush sipas jush duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë?

Ismail Kurteshi: Ai që e merr përkrahjen e 2/3 të deputetëve të Kuvendit. Një person i pa korruptuar, i pa shantazhuar, parimor, me integritet të lartë moral, që nuk nënshtrohet para presioneve nga kushdo qoftë që vijnë ato dhe që fokusohet vetëm në zgjidhjen e drejt të problemeve në mes të dy vendeve të pavarura.

“Bota sot”: Ka pasur deklarata se ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës në kuadër të dialogut. Cili është mendimi juaj për këtë? 

Ismail Kurteshi: Puna e parë që duhet të ndodhë është njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Pas njohjes dy vendet mund të merren vesh, pa imponime, në situatën që jemi nuk mund të flitet për marrëveshje, në këtë situatë ka përpjekje për “zgjidhje” të imponuara, me imponim nuk arrihen marrëveshjet, vetëm thellohet kriza që domosdo përfundon me eskalim të situatës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen e arsimit në vendin tonë?

Ismail Kurteshi: Gjendja në arsim është shumë e rëndë. Cilësia është e ulët, mungojnë mjetet e punës, mungon hapësira e mjaftueshme për mësim dhe aktivitete të tjera  që duhet të ndodhin në shkollë. Mungon përgatitja e duhur e një pjese të mësuesve, mungon financimi i nevojshëm, mungojnë tekstet e mira shkollore, laboratorët, kabinetet, mungon hulumtimi i tregut të punës dhe orientimi i hershëm i fëmijëve në profesionet e tyre.

Ne si Komision Parlamentar i kemi shqyrtuar dhe proceduar të gjitha ligjet që kanë qenë të paraparë për sesionin pranveror të Kuvendit, kemi  trajtuar raporte pune dhe kemi organizuar takime pune me ministrin e MASHT-it, rektorët e Universiteteve Publike, Agjencinë Shtetëror të Cilësisë, Drejtor të institucioneve arsimore, organizata ndërkombëtare që e ndihmojnë arsimin në Kosovë si: GIZ, FN, KBE, OJQ të e vendit që merren me arsim etj. Si Komision i kemi organizuar dy debate publike në temat: Arsimi Parashkollor në Kosovë dhe Arsimimi i Personave me Nevoja të Veçanta. Ky komision është i ngarkuar edhe me kulturën, rinin, sportin, inovacionet dhe ndërmarrësin. Mendoj se ky komision duhet të merret vetëm me çështjet e arsimit.

“Bota sot”: Me cilat probleme përballet më së shumti kjo fushë dhe çfarë po bëni si komision për t`i adresuar dhe për t`i zgjidhur këto probleme?

Ismail Kurteshi: Përveç atyre që i përmenda më lart ka edhe shumë probleme të tjera, po i veçoj tri gjëra që duhet të ndodhin shpejt: Rritja e investimeve në arsim, organizim më i mirë në institucionet e arsimit ku hynë edhe bashkëpunimi me prind dhe vlerësimi objektiv i punës së secilit dhe ngritja e llogaridhënies për cilësinë e punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat