Edlira Zhiti: Nënë Tereza është misionare e dashurisë

Intervista

Edlira Zhiti: Nënë Tereza është misionare e dashurisë

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 21:47
Edlira Zhiti dhe Nënë Tereza

Nënë Tereza, sot e njohur në të gjithë botën si murgesha që ia kushtoi jetën ndihmës për të varfërit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Prindërit e saj ishin shqiptarë dhe i dhanë asaj emrin Anjeza Gonxhe Bojaxhiu. Disa muaj më parë, Vatikani ka botuar një antologji për Nënë Terezën, nën kujdesin e Edlira Agaj Zhitit. Gazetarja Laura Konda bisedoi para pak kohësh me zonjën Zhiti për këtë botim:

Për Nënë Terezën, murgeshën me origjinë shqiptare, është folur dhe shkruar shumë: gruaja me trup të vogël, por me zemër të madhe, ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës përpjekjeve dhe ndihmës për të varfërit. Këtë vit, Vatikani ka publikuar një botim të veçantë me përshtypjet e një numri grash diplomate dhe ambasadore në Selinë e Shenjtë për Nënë Terezën; të gjitha ato kanë qenë pjesëmarrëse në ceremoninë e shenjtërimit të misionares katolike, dy vjet më parë, më 4 shtator të vitit 2016. Libri u botua nën kujdesin e Edlira Agaj Zhitit, e cila është edhe ideatorja e këtij botimi; Edlira ishte e pranishme ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, së bashku me bashkëshortin e saj, poetin Visar Zhiti, në atë kohë diplomat i Shqipërisë në Vatikan:

Edlira Agaj Zhiti: “Unë pata fatin të jem e pranishme në Sheshin San Pietro në Vatikan, në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës. Sheshi ishte i mbushur plot e përpërplot me njerëz, rreth 120 mijë vetë; shihja që valëviteshin shumë flamuj, mes tyre edhe flamuri shqiptar dhe me veten time pyesja: ç’mendojnë vallë këta njerëz?”- thotë zonja Zhiti.

Edlira kujton emocionet e asaj ngjarjeje. Ajo thotë se pikërisht atëhere i lindi ideja për botimin e një antologjie me mbresa nga ajo ditë e veçantë….

Laura Konda: Disa prej zonjave të intervistuara e kanë njohur Nënë Terezën, disa të tjera jo. Çfarë mund të veçoni nga mbresat që ato kanë dhënë për librin?

Edlira Agaj Zhiti: Unë kontaktova secilën prej tyre dhe ato patën mirësinë të më përgjigjeshin menjëherë; gjithësecila ka mbresat e saj shumë të veçanta; disa prej tyre kanë patur fatin ta takojnë Nënë Terezën. Psh shembull, gruaja e ish ambasadorit të Hungarisë është lutur së bashku me të. Bashkëshortja e ish ambasadorit austriak, tregon se ka qenë e pranishme jo vetëm ditën e kanonizimit të Nënë Terezës, por edhe në ditën e lumturimit të saj. Disa murgesha austriake, pas ceremonisë së lumturimit, i janë lutur që ajo dhe bashkëshorti i saj të mund të transportojnë disa relike të Nënë Terezës nga Roma, për një kishë në Vienë. Dhe ajo rrëfen me shumë emocion, pikërisht këtë udhëtim të jashtëzakonshëm.

"… E shoh akoma para syve të mi atë grua trupvogël, duke bekuar fëmijët e shumtë (në një jetimore të Misionareve të Bamirësisë në Nju Delhi, në Indi). Fjalët që thonte ishin të pakta, të thjeshta, por të thella. Më kujtohen dy prej tyre: Një familje që lutet së bashku, është e bashkuar" dhe "Bëji gjërat e vogla me dashuri të madhe",- kujton Anna Maria Kloss, bashkëshorte e ambasadorit të Austrisë në Selinë e Shenjtë.

"Nuk e kam njohur kurrë personalisht Nënë Terezën, por prania dhe mesazhi i saj kanë qenë me mua që në vitet e rinisë, në Poloninë komuniste. Në një regjim totalitar librat e ndaluar shtypeshin fshehurazi në formatet më të vogla të mundshme. Në vitet '80 më ra në dorë një libër i vogël, me shkrime të zgjedhura të Nënë Terezës…Ky format modest i përshtatej më së miri autores. E kam lexuar shumë herë atë libër…Më pas jam përpjekur të ndjek nga afër veprat, mësimet dhe jetën e saj. Pamja fizike: e vogël, e përkulur, me fytyrë të rrudhur, shpjegonin më mirë se një mijë fjalë fatin e njeriut: vuajtjen, sëmundjen, vdekjen… Nënë Tereza ishte mishërimi i botës sonë dhe ishte impenjuar së tepërmi me të, edhe pse ne shihnim tek ajo një njeri të jashtëzakonshëm, sikur të vinte nga një botë tjetër." - kujton bashkëshortja e ish ambasadorit të BE-së në Vatikan, Agnieszka Tombinska.

"…Në mars të vitit 1978, Nënë Tereza vizitoi vendin tonë…Falë mediave, mesazhi i Nënë Terezës është më i pranishëm në mesin e të rinjve…kur bisedon me studentët në Mostar, sheh se si ata i citojnë me kënaqësi mesazhet e saj. Nga ato që më kanë mbetur në mendje janë: "Mos i lejo askujt të largohet prej teje pa e bërë që të ndjehet i lumtur" dhe "Mos ki frikë, mjafton të besosh"… Mesazhi i shenjtores Tereza është shumë i pranishëm në mesin murgeshave të bamirësisë që operojnë në Banja Lluka. Ato ja kanë dedikuar jetën njerëzve që kanë më tepër nevojë." - thotë ambasadoja e Bosnje Hercegovinës pranë Selisë së Shenjtë.

Edlira Zhiti kujton se ajo ka qenë e pranishme me familjen edhe në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, në shtator 2003 dhe ndan me ne një episod mjaft të dashur për të:

Edlira Agaj Zhiti: “Unë kam qenë e pranishme edhe Ditën e Lumturimit me tim shoq Visarin dhe djalin tonë, Atjonin. U nisëm me shumë pelegrinë të tjerë nga Tirana. Në mendjen time ka mbetur udhëtimi nga Tirana për në Romë. Papritur, biri ynë Atjoni na shkëputet dhe shkon në krye të autobusit, merr mikrofonin në dorë, hap librin me lutje të Nënë Terezës të përkthyer nga i ati i tij dhe fillon të lexojë një lutje të Nënë Terezës…”

Laura Konda: Në prologun e librit tuaj ju thoni se ky libër do të mbetet i hapur. Çfarë doni të thoni me këtë?

Edlira Agaj Zhiti: Dua të them që për Nënë Terezën është shkruar shumë dhe do të vazhdohet të shkruhet akoma. Sepse Nënë Tereza vazhdimisht e frymëzon gjithësecilin nga ne, për të qenë më të mirë, për të dashur më shumë njëri tjetrin dhe për të bërë më shumë për tjetrin. Ajo është misionarja e dashurisë dhe vazhdimisht shpërndan dashuri dhe mëshirë…

Nënë Tereza është cilësuar si një qytetare e të gjithë botës, por ajo vetë ka thënë se me gjak është shqiptare…Sot, më tepër se kurrë, jeta dhe përkushtimi ndaj të më të varfërve dhe më të vuajturve i shenjtores Tereza shërben si mesazh mirësie për shqiptarët. Edlira Zhiti thotë se Nënë Tereza përcjell mesazhin e paqes:

Edlira Agaj Zhiti: Mesazhi i Nënë Terezës është mesazhi i dashurisë, mesazhi i paqes. Në këtë libër unë kam përfshirë veç eseve dhe kujtimeve të ambasadoreshave, edhe lutje të Nënë Terezës, autenticitetin e të cilave unë e kam konfirmuar me motrat e Nënë Terezës në Romë. “Çdo njeri duhet të shohë mirësi në fytyrën tënde, në sytë e tu, në buzëqeshjen tënde…”

Libri “Dita e shenjtores Nënë Tereza” është i shkruar në italisht dhe pritet të botohet vitin e ardhshëm edhe në gjuhën shqipe. Për Ditarin, Laura Konda, Washington.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat