Ekskluzivisht për “Bota sot” flet Spartak Ngjela: Kosovën mund ta ndajë vetëm lufta, po dështon ideja e Vuqiç-it, Thaçit dhe Ramës për territoret - Bota Sot
Ekskluzivisht për “Bota sot” flet Spartak Ngjela: Kosovën mund ta ndajë vetëm lufta, po dështon ideja e Vuqiç-it, Thaçit dhe Ramës për territoret

Intervista

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Ekskluzivisht për “Bota sot” flet Spartak Ngjela: Kosovën mund ta ndajë vetëm lufta, po dështon ideja e Vuqiç-it, Thaçit dhe Ramës për territoret

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 tetor 2018 Në ora: 17:33
Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela

Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, i cili është edhe njohës i thellë i çështjeve politike e kombëtare, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, asnjëherë nuk u tregua i qartë me çështjen e kufijve. Ngjela mendon se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka gisht në këtë “valle” siç e quan ai, e krejt kjo bazuar në sjelljen politike e Ramës në takimet me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ngjela drejtpërdrejtë thotë se, Hashim Thaçi dhe Edi Rama ishin për ndërrime territoresh me shtetin serb. Siç thotë ai, një ndarje apo shkëmbim i territoreve, mund ta qoj dëm luftën e shqiptarëve dhe amerikanëve në vitin 1999. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Spartak Ngjela: Edhe pse me një krizë artificiale që vjen si pasojë e konkurrencës politike dhe ndërhyrjes së kundërshtarëve Moskë - Beograd, mendoj se gjendja e politikës aktuale në Kosovë është në progres drejt daljes në arenën ndërkombëtare si shtet me personalitet.

Vlerësoj shumë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj. Kam mendimin se Ramush Haradinaj do të cilësohet në histori si figurë kombëtare, sepse, pasi ishte një nga ata që e shpëtoi Kosovën në luftë, diti që si kryeministër ta ruante atë në paqe.

Ajo që thashë pak më lart, që duket si një krizë anësore ishte çështja e kufijve dhe e ndërrimit të territoreve. Si mund të flitet për ndërrim territoresh në një kohë që kjo është kërkesë e të mundurit në luftë? Nuk kemi asnjë rast në histori ku fitimtari të jetë drejtuar nga i munduri, ose nga interesi i të mundurit. Politika zyrtare e Kosovës dhe liderët e saj, edhe pse janë pa eksperiencë të gjatë politike në funksion të shtetit të pavarur, në veprimtaritë e tyre nuk duhet të harrojnë që në raport me Beogradin janë fitimtarë në një luftë ku aleatët kryesorë të Kosovës kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

A e dini ju pse Kosova mbeti jashtë shtetit shqiptar, në një kohë që ishte pjesa më esenciale e historisë së Shqipërisë?

Kosova mbeti jashtë, sepse Fuqitë e Mëdha Evropiane, me përjashtim të Austro-Hungarisë, ishin kundër nesh. Politikanët e mëdhenj, shqiptarët e atëhershëm në të treja trevat edhe në Kosovë, edhe në Veriun e Shqipërisë, edhe në Jugun e Shqipërisë, kanë bërë një luftë titanike për të shpëtuar Kosovën edhe Çamërinë, por nuk ja dolën dot.

Por, pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast është kjo: po tani që aleatët më të mëdhenj të botës perëndimore janë me ne, si po luan politika shqiptare në Kosovë dhe në Tiranë?

Le ta lëmë Tiranën mënjanë se është e komplikuar, por politika e liderëve të Kosovës dhe qëndresa e tyre dallon se ka marrë një cilësi të re për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Politika kosovare po të jetë e aftë dhe po të dijë t’i drejtohet konkretisht botës akademike të saj, që është në Kosovë dhe jashtë Kosovës, kam bindjen se krijon risi të reja në politikën kombëtare shqiptare.

Hapi më serioz që ndodhi këto kohët e fundit dhe që më shtyn të mendoj sipas gjykimit të mësipërm, është fakti tani real që Kosova vendosi të ngrejë armatën e saj. Kjo është lëvizja më e saktë politike kundrejt Beogradit, prandaj ushtria kosovare duhet të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Për ngritjen e saj duhet të ndihmojnë të gjithë, edhe aleatët, por edhe Tirana. As Shqipëria nuk ka armatën e saj sot, por ka mbrojtjen ndërkombëtare të tjetër lloji, prandaj është detyrë që shteti shqiptar të ndihmojë drejtë për së drejti me ndihmë financiare krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Për të gjitha këto, mendoj se politika kosovare e përqendruar në Prishtinë dhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj duhet të kenë guximin historik që të bëhet faktori kryesor në të gjithë lëvizjen e pritshme që do të vijë në funksion të fermentimit real të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për dialogun Kosovë - Serbi?

Spartak Ngjela: Dialogu Kosovë - Serbi i kërkuar nga ndërkombëtarët, nga politika serbe u mendua se mund të ishte një kthim i rrjedhës nga interesi amerikan kundrejt Shqipërisë, tek interesi amerikan kundrejt Beogradit. Ka një interes amerikan në segmentin Tiranë - Prishtinë ashtu sikurse ka një interes shqiptar shekullor në këtë segment. Në funksion të kësaj, kryeministri në fillim dhe presidenti më pas i Serbisë, Vuçiçi, u mundua të krijonte përshtypjen e ndryshimit të rrjedhës të interesit dhe të krijonte një politikë anti-shqiptare duke gjymtuar shtetin e Kosovës. Pala shqiptare në këto bisedime la për të dëshiruar, sepse Presidenti i Kosovës, Thaçi, kurrë nuk foli qartë për çështjen e kufijve. Por, çfarë ka dashur të luajë politikisht Presidenti serb në funksion të kufijve dhe ndërrimit të territorit që e hodhi si ide underground?

Ne nuk kemi fakte, por me racionalizëm kuptojmë që në këtë çështje, për territoret në bisedimet Kosovë – Serbi, ka ndërhyrë interesi rus. Nga kjo kuptojmë që Veriun e Kosovës nuk e dëshiron aq shume Beogradi, sesa Moska. Në funksion të kësaj, u pa në Kosovë dhe u dallua qartë se edhe në fluksin politik kosovar, në media, në portale, në individë “analistë” u kuptua se kishte ndërhyrje nga Beogradi, por ndoshta edhe nga Moska. Po ta shikosh në një prizëm strikt - politik edhe në funksion të historisë, në rast se politika serbe merr territore shqiptare në Kosovë, dhe sidomos veriun e saj, në funksion të konceptit historik ajo nuk është më fuqi e humbur, Serbia nuk quhet më një shtet agresor dhe të gjitha krimet që ka bërë kundrejt popullit të Kosovës do quheshin të shlyera.

Zotërinj! Politika në funksion të historisë është një segment që vetëm 40% e ka logjikë dhe arsye, dhe 60% është psikologji, dhe deri tani kjo quhet ose psikologjia e fitimtarit, ose psikologjia e të humburit. E shikoni se çfarë ka dashur të fitojë politika ruso - serbe kundrejt luftës çlirimtare të vitit 1999? Ajo ka dashur dhe po dëshiron të mos quhet më humbëse e asaj lufte; dhe jo vetëm kaq - ajo kërkon ta gjymtojë shtetin kosovar që në lindje të tij.

Kjo është arsyeja që unë pak më lart e ngrita në vendin që meriton figurën vendimtare të politikës kosovare në këtë çështje, që kërkon para së gjithash ndershmëri patriotike dhe guxim historik - kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Bota sot”: A mendoni se në idenë për korrigjim kufijsh ka gisht Edi Rama?

Spartak Ngjela: Nuk kam fakte, por nga mënyra e sjelljes politike, nga tërheqja e plotë e kësaj çështjeje dhe nga bisedimet bilaterale që tregojnë se Edi Rama ka pasur me presidentin Vuqiç, më jep mendimin me bindje se edhe Edi Rama ka qenë i ngatërruar në këtë “valle”, që kam përshtypjen se historia e afërt do ta konceptojë si anti-kombëtare.

“Bota sot”: A keni ndonjë koment për treshen Thaçi - Rama - Vuçiç?

Spartak Ngjela: Kam një koment për këtë treshe por, ekuacioni ose rrjedha e vendosjes së figurave duhet të jetë: Vuçiç – Thaçi - Rama.

Nuk di çfarë të them për presidentin e Kosovës, Thaçi, dhe as për kryeministrin shqiptar Rama, se kuptohet që këta kanë qenë për ndërrimin e territoreve. Ajo që dua të them është mendimi politik se që të tre kanë humbur, por nuk mendoj se e kanë lënë tendencën politike të ndërrimit të territoreve. Por, aktualisht nuk janë në ngjitje dhe dallohet që nuk kanë më forcën politike për të shprehur hapur ndërrimin e territoreve.

Sipas analizës sime kjo rënie e forcës politike e treshes Thaçi – Rama - Vuçiç erdhi si pasojë e qëndrimit solid të kryeministrit aktual të Kosovës. A e dini ju që në një republikë parlamentare figura kryesore e shtetit nuk është presidenti, por kryeministri?

Në funksion të kësaj, brenda analizës sonë, kemi faktin që asnjë gjë nuk bëri dot presidenti Thaçi kundër kryeministrit të Kosovës, edhe pse përmendi shumë bëma të mundshme kundër tij. Fakti që nuk i bëri dot, dhe fakti që ato që kryeministri aktual i Kosovës doli i fortë nga kjo betejë, kuptohet se forca politike Thaçi-Rama-Vuçiç është e dobët.

“Bota sot”: Si mund të ndahet Kosova, dhe kush mund ta ndajë atë?

Spartak Ngjela: Kosovën mund ta ndajë vetëm lufta. Por këtu mund të qëndrojmë pak, sepse në politikë asnjë gjë nuk ndodh kot: Çdo ngjarje ka motivin e vet.

Atëherë pyetja që ngrihet këtu është: Kush është ngjarja më e re për politikën e Kosovës? Ngjarja më e re në politikën e Kosovës është krijimi i ushtrisë së Kosovës, e cila nuk është një kërkesë kosovare, por është një kërkesë e Uashingtonit, që ka dy vjet që është bërë. Ardhja në skenë e ushtrisë së Kosovës mbyll çdo hesap bisedimesh dhe llogarit çdo detyrim që duhet shlyer, njohja e Kosovës nga Beogradi.

“Bota sot”: Sa ka gjasë që realisht Presheva, Bujanovci dhe Medvegja të bashkohen me Kosovën?

Spartak Ngjela: Duhet të jemi realist: Sot, në Ballkanin Perëndimor janë dy shtete shqiptare: Shqipëria dhe Kosova. Që të dy shtetet kanë hyrë në skenën e historisë me ndihmën direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; por, të dy këto shtete kanë territore të mirëfilltë jashtë kufijve të tyre - Shqipëria ka Çamërinë dhe Kosova ka Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën. Kjo është historia jonë, e cila është në ngjitje drejt personalitetit shqiptar të nëpërkëmbur historikisht në Ballkanin Perëndimor.

Të tjerat vetëkuptohen.

“Bota sot”: Dorëheqja e David L. Phillips, me arsyetimin se nuk dëshiron të bëhet pjesë e ndarjes së Kosovës, a e vërteton faktin që SHBA-ja është kundër idesë së Hashim Thaçit?

Spartak Ngjela: Po ta njohësh mirë politikën amerikane, do gjesh se ajo politikë e ka vështirësi të tejme atakimin e presidentëve. E ka brenda filozofisë së vet këtë natyrë, dhe s’kemi pse zgjatemi se ky është fakt. Në funksion të kësaj, e veçoj si mendimin tim se politika amerikane iu krijon presidentëve elementë anësorë që i thotë se janë kundër mendimit tënd politik. Mendoj se edhe zoti Phillips hyn në këtë rrjedhë gjykimi politik. Por, ajo që dua të theksoj është arsyetimi që dhashë deri tani se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, sepse dalim nga doktrina Klinton, dhe Amerika e Kosova nuk janë më fituese absolute të luftës së vitit 1999. A e kuptoni tani që kjo çështje është e vdekur - Kosova do të jetë shteti i pavarur, kjo që është, dhe me ushtrinë e saj.

Jam i bindur kur them se, historia do të shkruajë që: Shteti i Kosovës e mori vendimin për krijimin e ushtrisë së vet në tetorin e vitit 2018, për të ruajtur të pacenuar territorin e saj.

“Bota sot”: A duhet të këtë kujdes Kosova nga diplomacia turke?

Spartak Ngjela: Sigurisht që duhet të ketë kujdes, se edhe këtë diplomaci nuk dihet se kush e paguan. Ka një fakt historik - më shumë në ndarjen dhe gjymtimin e territorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor ka vepruar politika osmane. Ajo ka qenë e gjitha me sllavët e jugut kundër territoreve shqiptare dhe gjuhës shqipe.

Sot, po shohim që presidenti Erdogan kërkon të kalojë në neo-osmanizëm. Atëherë, logjika është shumë e thjeshtë: Ajo politikë nuk mund të jetë për ngritjen dhe vlerësimin historik territorial të Arbërisë.

Zotërinj, a e dini pse jemi ndarë dhe gjymtuar si komb ne shqiptarët? Sepse gjithë diplomacia ruse, gjithë propoganda e sllavëve të jugut, gjithë propoganda greke ka thënë se: nuk ka shqiptarë, por turq në Ballkanin Perëndimor. Por edhe osmanët kështu kanë thënë. Atëherë gjykimi im vjen dhe përfundon në këtë maksimë: Kujdes nga neoosmanët.

“Bota sot”: Kur mund të jetë në rend të ditës çështja e bashkimit kombëtar Kosovë - Shqipëri?

Spartak Ngjela: Kur të dy shtetet të kenë nxjerrë doktrinën e vet intelektuale si rrjedhë e nivelit të lartë për njohjen e historisë së Shqipërisë. Kur të dy shtetet të kenë ngritur minimumi dy universitete të nivelit të lartë perëndimor në Prishtinë dhe në Tiranë. Dhe kur të dy shtetet ta kenë ngritur ekonominë e tregut, demokracinë ideale që rrjedh nga kjo ekonomi, dhe të kenë ngritur edhe ushtritë e tyre respektive.

“Bota sot”: Sa do t’i kontribuonte sistemit të drejtësisë së Kosovës, vettingu?

Spartak Ngjela: Eksperimenti i vettingut po bëhet në Tiranë. Vettingu është risia autoritare në progres që politika amerikane t’i imponohej me forcë filtrimit anti-korrupsion të pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Unë kam shumë besim në këtë doktrinë, e cila po aplikohet me sukses në Tiranë.

Vettingu i ndërmarrë sot ligjërisht dhe në funksion, në Tiranë për anti-korrupsionin e pushtetit gjyqësor, është reformë amerikano-gjermane për ngritjen e Shqipërisë në nivel të demokracisë perëndimore. Por, ky është vetëm hapi i parë i procesit anti-korrupsion në Shqipëri, se menjëherë pas institucionalizimit postveting të pushtetit gjyqësor, fillon hetimi dhe investigimi i politikanëve të korruptuar nëpërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme që vinë si rrjedhojë e vetingut.

Jam i bindur kur them se, edhe pse kam mendimin që korrupsioni në drejtësinë e Kosovës është minimal me atë të Shqipërisë, vettingu do të jetë i dobishëm për ecurinë demokratike të Kosovës në funksion të tregut të lirë dhe të parlamentarizmit.

“Bota sot”: Si i komentoni raportet aktuale PD-PS në Shqipëri?

Spartak Ngjela: Këto raporte konstatoj se janë raporte frike; por kjo nuk është një frikë që vjen prej njëri-tjetrit, por një frikë që vjen si pasojë e reformës në drejtësi.

Vettingu i ka trembur të dyja palët dhe unë e kam konstatuar që para 2-vitesh se kishte filluar një politikë underground midis kryetarit të PS,  Rama dhe kryetarit të PD, Basha. Deri tani nuk arritën dot gjë, se nuk u frenua dot reforma, por kohët e fundit kryesocialisti Rama e prishi marrëveshjen e fshehtë me Lulëzim Bashën. Kam përshtypjen se këtë akt Rama e ndërmori si pasojë e presionit të politikës amerikane, e cila duket se e ka kapur këtë marrëveshje dhe nuk e lejoi të ecë më tej.

Sipas mendimit tim, Rama e ka pranuar më në fund dorëzimin e tij kundrejt reformës në drejtësi, por, për ligjet që janë në vijim mendoj se do të ketë presion ndaj lidershipit të Partisë Demokratike nga politika amerikane; sepse në këto momente Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin për të bllokuar reformën në drejtësi.

Por, ju me të drejtë mund të pyesni: Si do ta arrijë politika amerikane këtë? Përgjigjja është e thjeshtë: Njëlloj siç e arriti ajo e zëvëndës - sekretarit të Departamentit të Shtetit amerikan në Shkup. A e patë sesi hyri Gruevski i verdhë dyll në fytyrë në parlament, në mes të natës, dhe votoi vendimin për ndërrimin e emrit të Maqedonisë? Kështu do hyjnë në parlament edhe këta tanët. Të paktën ky është mendimi im.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test