Prej janarit biznesi mund të kryejë online dhjetëra pagesa tatimore

Biznes

Prej janarit biznesi mund të kryejë online dhjetëra pagesa tatimore

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 17:01
Ilustrim

Prej janarit të vitit të ardhshëm biznesit do t’i mundësohet të kryejë online dhjetëra pagesa tatimore, duke nisur nga pagesa e tatim-fitimit, pagesa e tatimit të lojërave të fatit të biznesit, pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale apo pagesa e taksave kombëtare.

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Shqipëri, duke renditur disa prej shërbimeve efikase për biznesin të ofruara nga institucionet përgjegjëse përmes portalit, si aplikime për lloje të ndryshme licencash, aplikimet për e-leje, bëri të ditur se prej janarit të vitit të ardhshëm biznesit do t’i mundësohet të kryejë online dhjetëra pagesa tatimore, duke nisur nga pagesa e tatim-fitimit, pagesa e tatimit të lojërave të fatit të biznesit, pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale apo pagesa e taksave kombëtare.

Nga ana tjetër, vijoi Karçanaj, nisma e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për kryerjen online të deklaratave doganore po merr formë konkrete dhe shumë shpejt do të gjeni në portal një pjesë të këtyre shërbimeve, ndërkohë që po punojmë ngushtë me institucionin për të mundësuar në formë elektronike të 24 aplikimet për deklarata doganore.

“Si një vlerë e shtuar e këtyre shërbimeve do të vijë edhe pajisja me nënshkrim elektronik e agjentëve doganorë, për të garantuar një aplikim më vlerë ligjore dhe sipas standardeve bashkëkohore”, shtoi ajo. 

Me moton “e-Albania, në funksion të plotë për qytetarin dhe biznesin”, kreu i AKSHI-t, vlerësoi se 2017 konsiderohet një vit i frytshëm, pasi hyrja në fuqi e vulës digjitale, u mundëson sot mijëra punonjësve të administratës publike të mos ia kërkojnë më në sportel qytetarit apo biznesit një listë prej 29 dokumentesh, por t’i gjejnë vetë ato duke e lehtësuar qytetarin nga barra e mbledhjes së dokumenteve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat