Taksat shtesë për produktet e Serbisë, drojë se tregtarët mund të rrisin çmimet

Biznes

Taksat shtesë për produktet e Serbisë, drojë se tregtarët mund të rrisin çmimet

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 14:02
Pamje nga vizita

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës Sala Berisha-Shala bashkë edhe me kolegun e saj nga komuniteti egjiptian, deputeti Veton Berisha dhe me përfaqësues nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës kanë vizituar dyqanin “Plus” në Ferizaj i cili që nga hapja e tij nuk mban asnjë prodhim që vjen nga Serbia.

Kryetarja, Berisha-Shala, tha se arsyeja e vetme për këtë vizitë është se këtu mund të gjesh produkte nga të gjitha vendet e botës, por jo nga Serbia dhe Bosnja, të cilave së fundi Kosova ka vendosur një taksë shtesë prej 10 përqind për mallrat e tyre.

Berisha-Shala tha se modeli për respektim të ligjit për mbrojtje të konsumatorit është pikërisht, dyqani ‘Plus’.  Sipas saj, këtë dyqan duhet ta marrin shembull gjitha dyqanet tjera.

Berisha-Shala: Ky market të jetë shembull për respektim të ligjit

“Kemi dalë pikërisht për me pa se sa, në ketë rast ligji për mbrojtje të konsumatorit. Kemi pa këtë pikë jashtëzakonisht të rëndësishme që këtu zbatohet ky ligj dhe të jetë model për gjithë Kosovën, tek të gjitha marketet tjera që shesin mallra me pakicë”, tha Berisha-Shala.

Ajo shtoi se duhet dhënë hapësirë dhe mundësi produkteve vendore,  pasi që siç tha Berisha-Shala kjo do të bëjë që edhe tregtarët të vetëdijësohen.

Por kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik ka shfaqur frikën se kjo taksë mund të bëjë që shporta e konsumatorit të rritet.

Berisha-Shala: Mund të ketë lëvizje të produkteve

“Ne si shtet duhet të sillemi në favor të qytetarëve dhe shtetit tonë, duhet të kërkojmë reciprocitet me shtetet tjera... ne kemi frikën që tregu, mund të ketë lëvizje të produkteve... tregtarët mund ta shfrytëzojnë këtë dhe shporta e konsumatorit të jetë me e shtrenjtë”, tha ajo.

Pronari i dyqanit “Plus”, Sylejman Neziri tha se edhe pse e vonuar kjo vizitë është e mirëpritur. Ai theksoi se taksa për produkte të Serbisë është e mirëseardhur dhe se  sipas tij ajo duhet të rritet.

Neziri, ka drejtuar akuza edhe drejt Qeverisë së Kosovës e cila sipas tij po e bllokon për shkak të një çertifikate, që sipas tij, duhet ta sigurojë vet ajo.

Me këtë rast ai kërkon nga krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës që t’ua lehtësojnë punën kur blejnë mallra nga Shqipëria.

Neziri: Të bëhet vlefshëmria e faturave

“Ne e kemi dërguar një kërkesë te  Fatmir Limaj Edi Rama dhe Ramush Haradinaj që ta bënë vlefshmërinë e faturave... Kjo do të jetë një hap historik për popullin tonë, që do të thotë se kur unë shkoj në Shqipëri mund të marr mall kudo që shkoj, sikur me ble në Prishtinë, si Tirane me qenë njëjtë”,  tha Neziri.

Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës tha se qëllimi i kësaj vizite është vetëdijesimi se ka dyqane  që nuk mbajnë produkte serbe, dhe respektohet ligji për konsumatorë.  Ai kërkoi nga qytetarët që të blejnë prodhime vendore.

Osmani: Është një dëshmi që cilësia e produkteve të Kosovës ekziston

“I lusim konsumatorët e Kosovës që të kthehen nga produktet e Kosovës, produktet e Kosovës kanë një cilësi të dëshmuar, kjo dëshmohet në këtë supermarket këtu… është një dëshmi që cilësia egziston, ta hekim atë aspektin që në mendjen tona na ka mbetë për një kohë të gjatë që produktet e Kosovës nuk janë të mira, por produktet e Kosovës janë cilësore dhe janë duke shitur në të gjitha vendet e botës”, tha Osmani.

Këtë dyqan në Ferizaj dje e ka vizituar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj bashkë me përfaqësues nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat