Çfarë është somnambulizmi? - Bota Sot
Çfarë është somnambulizmi?

Këshilla mjekësore

E hënë, 24 shtator 2018

Çfarë është somnambulizmi?

Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 09:50
Ilustrim

Ecja në gjumë, e njohur në gjuhën mjekësore si somnambulizmi, është një çrregullim që ndodh gjatë gjumit të thellë dhe çon në ecjen apo kryerjen e veprimeve të tjera komplekse. Somnambulizmi është më i zakonshëm tek fëmijët sesa tek të rriturit dhe ka më shumë gjasë të ndodhë kur një njeri është i lodhur.

Për shkak se një person somnambul mbetet në gjendje të thellë gjumi ndërkohë që i ndodh ky episod, ata nuk janë të lehtë për t’u zgjuar nga gjumi dhe me gjasë nuk do ta mbajnë mend që kanë ecur ndërkohë që ishin në gjumë.

Zakonisht, një njeri somnambul është në gjendje të kryejë disa veprime, por më e zakonshmja është ecja.

Simptomat e somnambulizmit variojnë që nga të qëndruarit ulur në shtrat dhe ecja nëpër shtëpi, apo edhe largimi nga banesa, e deri tek të dhënia makinës me distanca të largëta.

Ekziston një koncept i gabuar gjerësisht se një njeri që ecën në gjumë nuk duhet zgjuar. Në fakt, sipas ekspertëve, kjo është krejtësisht e gabuar, pasi mos zgjimi i personit në fjalë mund të jetë tepër i rrezikshëm.

Prevalenca e personave që vuajnë nga ky çrregullim në popullsinë e gjerë përllogaritet të jetë 1 deri në 15 përqind. Tek të rriturit, të ecurit në gjumë nuk lidhet me ndonjë problem psikiatrik apo psikologjik.

Shkaqet që çojnë zakonisht në gjendje somnambulizmi janë mungesa e gjumit, agjentët sedativë, përfshirë alkoolin apo ilaçe të caktuara.

Prevalenca e të ecurit në gjumë është më e lartë tek fëmijët, sidomos ata të moshës 3-7 vjeç dhe ndodh më shpesh tek fëmijët me apnea të gjumit. Ekziston gjithashtu një numër më i lartë i këtyre episodeve tek fëmijët që lagin gjatë natës shtratin.

Nuk ekziston një trajtim specifik për somnambulizmin. Në të shumtën e rasteve, një gjumë i rregullt mund ta eliminojë, shkruan tvklan. Në rast se dalloni simptoma të këtij çrregullimi, ekspertët këshillojnë që të bëni menjëherë një vizitë tek  mjeku, apo një specialist gjumi, në mënyrë që të parandaloni çdo incident të mundshëm.

Një ndër trajtimet që përdoret tek të rriturit është hipnoza, që deri më tani ka rezultuar e suksesshme, megjithatë ka dhe raste kur ilaçe të caktuara u kanë ardhur gjithashtu në ndihmë atyre që vuajnë nga somnambulizmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test