Shpresa tek antibiotikët e prodhuar nga milingonat

Këshilla mjekësore

Shpresa tek antibiotikët e prodhuar nga milingonat

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 10:13
Ilustrim

Milingonat, ashtu si njerëzit, ballafaqohen me sëmundje. Për t’u ballafaquar me bakteret që i shkaktojnë disa nga këto sëmundje, disa milingona i prodhojnë antibiotikët e tyre. Një studim i ri krahasues i identifikoi disa specie të milingonave që përdorin agjentë të fuqishëm antimikrobikë - por zbuloi se 40 për qind e specieve të milingonave të testuara nuk dukej se prodhonin antibiotikë. Studimi ka aplikime lidhur me kërkimin e antibiotikëve të rinj që mund të përdoren tek njerëzit.

"Këto zbulime sugjerojnë se milingonat mund të jenë burim i ardhshëm i antibiotikëve të rinj për të ndihmuar në luftimin e sëmundjeve njerëzore", thotë Clint Penick, profesor asistent në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe ish-hulumtues postdoktoral në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut i cili është autori kryesor i studimit.

"Një specie të cilën e shikuam, milingona hajdute (Solenopsis molesta), e kishte efektin më të fuqishëm antibiotik se cilado specie që e testuam - dhe deri më tani askush nuk e ka dëshmuar se i ka shfrytëzuar antimikrobikët", thotë Adrian Smith, autori i punimit, asistent profesor i shkencave kërkimore në shkencat biologjike në NC State dhe kreu i NC Museum of Natural Sciences' Evolutionary Biology & Behavior Research Lab.

Për këtë studim, studiuesit i testuan vetitë antimikrobike të 20 specieve të milingonave. Ata e bënë këtë duke e përdorur një tretës për t’i hequr të gjitha substancat në sipërfaqen e trupit të çdo milingone. Tretësi rezultues më pas u fut në një tretësirë gjysëm-likuide bakteriale. Rritja e baktereve në këtë tretësirë u krahasua me rritjen e baktereve në një grup kontrolli.

Nëse bakteret në tretësirën gjysëm-likuide e cila e përmbante tretësirën e milingonave u rritën më pak se grupi i kontrollit, kjo nënkuptonte që bëhej fjalë për ndërhyrjen e një agjenti antimikrobik. Për shembull, tretësira gjysëm-likuide e cila i përmbanë përbërësit e milingonës hajdute nuk tregoi fare rritje bakteriale.

Studiuesit zbuluan se 12 prej 20 llojeve të milingonave e kishin një lloj agjenti antimikrobik në eksoskeletet e tyre - duke i përfshirë disa specie, si milingona hajdute, të cilat më parë nuk kishin treguar se e bënin këtë. Por tetë prej specieve të milingonave nuk dukeshin se përdorin fare antibiotikë. Ose, të paktën, secili antimikrobik në ekzoskeletet e tyre ishin të paefektshëm ndaj baktereve të përdorura në studim.

"Gjetja e një specieje që e mbart një agjent të fuqishëm antimikrobik është lajm i mirë për ata që janë të interesuar në gjetjen e agjentëve të rinj antibiotikë, të cilët mund t’i ndihmojnë njerëzit", thotë Smith. "Por fakti që kaq shumë specie të milingonave duket se kanë pak ose aspak mbrojtje kimike kundër patogjenëve mikrobikë është gjithashtu i rëndësishëm".

Kjo për shkak se mençuria konvencionale ka thënë prej kohësh se shumica, nëse jo të gjitha, speciet e milingonave mbartin agjentë antimikrobikë. Por ky punim tregon se mençuria konvencionale është e gabuar.

"Ne menduam se çdo specie e milingonave do ta prodhonte të paktën një lloj antimikrobiku", thotë Penick. "Në vend të kësaj, si duket shumë specie kanë gjetur mënyra alternative për ta parandaluar infeksionin duke mos u mbështetur në kimikatet antimikrobike".

"Fakti që jo të gjitha milingonat përdorin antimikrobikë e thekson rëndësinë e rafinimit të kërkimit tonë për speciet që aktualisht premtojnë në kërkimet biomjekësore", thotë Smith.

"Për shembull, milingona hajdute është e afërt me milingonën e kuqe të importuar të zjarrit (Solenopsis invicta), e cila është e njohur për veti antimikrobike të helmit të saj. Por në studimin tonë kemi gjetur se milingona hajdute ishte edhe më efektive kundër baktereve sesa milingona e zjarrit. Mund të ketë lloje të tjera në të njëjtën klasë e që ia vlen të studiohen për potencialin e tyre antimikrobik".

Studiuesit paralajmërojnë se ky studim është një hap i parë dhe se ka kufizime. Për shembull, studiuesit e përdorën vetëm një agjent bakterial në testet e tyre, që do të thotë se nuk është e qartë se si secila specie do të shkonte me bakteret e tjera.

"Hapat e mëtejshëm përfshijnë testimin e specieve të milingonave kundër baktereve të tjera, përcaktimin se cilat substanca prodhojnë efektet antibiotike - dhe nëse milingonat i prodhojnë ato ose i marrin gjetkë; dhe hulumtimin se cilat strategji alternative i përdorin milingonat për t’u mbrojtur nga patogjenet bakteriale", thotë Smith.

Legjenda: Foragjeret e milingonës së zjarrit të shkretëtirës, Solenopsis xyloni, duke mbledhur nektar të luleve. Një artikull i kohëve të fundit nga Penick, et al., zbuloi se milingonat në këtë klasë i prodhojnë disa nga antimikrobikët më të fortë të matura në insektet sociale. Por në kundërshtim me teorinë e popullarizuar, jo të gjitha milingonat duket se investojnë në antimikrobikë të fuqishëm. /Clint Penick

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat