Sipas serbomadhit Dushan T. Batakoviq: “Nuk ekziston kombi shqiptar në Kosovë”?! - Bota Sot
Sipas serbomadhit Dushan T. Batakoviq: “Nuk ekziston kombi shqiptar në Kosovë”?!

Kolumne

E martë, 16 tetor 2018

Sipas serbomadhit Dushan T. Batakoviq: “Nuk ekziston kombi shqiptar në Kosovë”?!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 18 shtator 2018 Në ora: 15:41
Dushan T. Batakovic

Kjo tezë shoviniste dhe iracionale, ka vetëm një element pozitiv, e ky është: Në historinë e Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, që nga periudha e ilirëve dhe e lulëzimit të ilirizmit e deri më sot në fillimshekullin XXI, nuk ka figuruar dhe nuk figuron asnjë komb serb as malazez, por vetëm si fundërrina të hordhive barbarike, migruese-koloniste gjithmonë në lëvizje kërkuese për të grabitur pasuri, prona dhe toka të huaja ( shqiptare, kroate, hungareze, bullgare, rumune), për të shkatërruar kultura dhe për të shlyerë gjurmët e qytetërimit të lashtë evroperëndimor, e së këndjemi, edhe historinë, identitetin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar.

Prandaj, në këtë kuptim është plotësisht e pranueshme kjo "tezë e re shkencore" e akademikut serbomadh, Dushan T.Batakoviq, i cili përmes saj ka aluduar sheshit, që të vërë në pikëpyetje gjenealogjinë historike dhe etnike jo vetëm të  pjesës së kombit shqiptar të Kosovës, por të mbarë Shqipërisë Etnike.

Ja, cilat janë "argumentet valide" të kësaj teze të ndërruar pseudohistoriko-shkencore dhe politike të histrianit serb, Dushan T.Tabakoviq: (1) "kantonizimi i Kosovës e pengon terrorin dhe dhunën; (2) as para ndërhyrjes së NATO-s, shqiptarët nuk përbënin më shumë se 75-80% të popullsisë së Kosovës (mbi 1 milion), sepse në hapësirat e saj kanë jetuar mbi 300.000 mijë serbë dhe mbi 100.mijë myslimanë sllavë, turq dhe romë, sipas këtyre të dhënave nuk ka popull unik në Kosovë; (3) konflikti në Kosovë është ndërlidhur edhe me faktin se kush do ta ushtrojë kontrollin e plotë mbi territorin e saj. Këtë e dëshmon edhe periudha e viteve 1968-1989, e sundimit të elitës politike komuniste shqiptare, e cila ka ndikuar, që gjatë kësaj periudhe të diskriminohen dhe të shpërngulen nga Kosova mbi 100.000 mijë serbë. Kjo dukuri ka qenë e shoqëruar edhe me asimilimin e pakicës myslimane ( p.sh. turqit etnikë) në kombin shqiptar në Kosovë. Prandaj, për këtë arsye, shqiptarët e Kosovës po insistojnë në mbrojtjen e konceptit etnik, i cili në aspektin territorial është përkufizuar: vetëm atyre u konvenon termi "komb i Kosovës", sepse ky iu mundëson mbizotërimin e tyre absolut në një mozaik etnik, dhe krijon hapësirë për vazhdimin e diskriminimit etnik."[1] 

 Ky "bilanc statistikor" i "argumenteve faktografike" të dioptrisë politike të akademikut serbomadh Dushan T.Batakoviq, në esencë nuk përbën asnjë element të bazueshëm qoftë historik, juridik apo politik, por është riprodhim direkt dhe indirekt i ushtrimit të propagandës së politikës zyrtare të Beogradit dhe të "teftereve" të rreme dhe të falsifikuara të "engjujve" të zi të politizuar (siç janë Artemije Radosavleviq, Sava Janjiq, Anastasije..., etj.) të Kishës Ortodokse Serbe (KOS-it) dhe të "ekspoziturave" sekrete të zbulimit dhe të kundërzbulmit të shërbimeve policore dhe ushtarake serbosllave, të njohura si "OZNA" dhe "UDBA", që ka për qëllim të manipulojë me historiografinë dhe me politikën ndërkombëtare.

Sa i përket pasqyrimit të shifrave, se sa serbë janë shpërngulur nga Kosova(1968-1989), dhe në çfarë rrethanash politike, edhe në këtë rast, Dushan T.Batakoviq manipulon në mënyrë të njëanshme dhe krejtësisht falsifikuese, duke ndërruar tezat në favor të fabrikimit të gënjeshtrave të vjetra serbe të elaborateve të Ivo Andriqit, të Vasa Qubrilloviqit dhe të Slobodan Miloshevit, që kanë pasur, dhe kanë për qëllim pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera të Shqipërisë Etnike.

 E vërteta është krejtësisht ndryshe: Së pari, gjatë kësaj periudhe (1968-1989) nuk ka pasur shpërngulje masive të serbëve (100.000 sish) nga Kosova, siç pohon D.Batakoviq, por ka pasur  migrime ekonomike individuale dhe familijare të serbëve në një  shkallë tejet të ulët prej 11%[2], të cilët për kushte  më të mira ekonomike, materiale, të punësimit, si dhe dhe për standard më të lartë  jetese kanë gravituar në zonat më të zhvilluara të Serbisë (duke përfshirë edhe Beogradin si kryeqytet të Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë), e jo për shkaqe të diskriminit politik, as ekonomik nga ana e shqiptarëve në Kosovë. Sipas burimeve të shumta historiografike të periudhave të ndryshme kohore, nga Kosova, asnjëherë nuk ka pasur shpërngulje masive me "shtrëngim" të serbëve, si pasojë e diskriminimit të elitave politike shqiptare e as pas përfundimit të LDB, sepse, ata kurrë nuk e kanë pasur pushtetin faktik, as material, por vetë elitat dhe harangat çetniko-komuniste dhe fashiste serbe, të cilat deri më 24 mars 1999, kanë luajtur me fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës si ua ka dashur qejfi dhe teka e tyre e sundimit barbar kolonialist.

Së dyti, shpërngulje masive, për shkak të terrorit gjenocidal kolonial serb ka pasur në anën shqiptare, këtë e di shumë mirë historiani D.Batakoviq dhe histrianët e tjerë serbomëdhnj, por tradicionalisht, e kanë pasur për "detyrë patriotike" nga politika e të gjitha regjimeve dhe e Kishës Ortokdse Serbe, që ta murkullojnë të vërtetën historike mbi Kosovën dhe shqiptarët e Shqipërisë Etnike. Duke mos dashur të hyjmë në statistikën e hollësishme shekullore serbe të kryerjes së pastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, po e përkujtojmë D. Batakoviqin, se “vetëm gjatë periudhës së viteve 1945-1966 nga Kosova dhe nga viset e tjera etnike janë shpërngulur mbi 300 mijë shqiptarë në Turqi[3], kurse prej vitit 1980 deri më 1999, si rrjedhim i shtypjes dhe terrorit gjenocidal të regjimit të Slobodan Milosheviqit, dhe të shpifjeve dhe inskenimeve brutale të KOS-it me "tefteret" e tyre antishqiptare nga Kosova janë shpërngulur afër një milion shqiptarë, ku edhe sot, gjysma prej tyre ende ndodhen nëpër shtete të ndryshme të Evropës, të Amerikës, të Australisë etj. Së treti, është rrenë e kulluar e D.Batakoviqit, kur pohon se "në Kosovë nuk ka më shumë se 1 milion shqiptarë", kur dihet se Kosova, qysh në vitin 1968 ka pasur 1.200.000 mijë banorë, domethënë tre herë më shumë se Republika e Malit të Zi. Ky rast konket, dhe vitet e mëpastajme të statusit kolonial të Kosovës dhe të shqiptarëve, dëshmojnë se regjimet serboçetnike dhe fashiste drejtuese ishin diskriminatore dhe raciste, që zbatuan "reformat agrare" dhe "demokratike" në favor të asimilimit, të shpërnguljes me dhunë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të minoritet turk e të tjerëve, e jo "elitat komuniste" shqiptare, siç gënjen me paturpësi D.Batakoviq.

Prandaj, nuk është e vërtetë, se shqiptarët kanë qenë në gjendje të nënshtrojnë apo asimilojnë minoritetin turk, por shovinistët serbë janë ata që në vazhdimësi kanë tentuar t'i asimilojnë si shqiptarët, ashtu edhe turqit ngase ata e kishin në duart e tyre aparatin policor dhe ushtarak shtetëror e jo shqiptarët, as minoriteti turk. Në favor të këtij konstatimi, po jap vetëm një kundrargument tezave politike shpifëse dhe propagandistike antishqiptare të D.Batakoviqit. Deri më 1974, kur u miratua Kushtetuta për të ashtuquajturën autonomi të Kosovës, regjistrimi i popullësisë shqiptare në Kosovë është bërë në trysninë direkte të politikës dhe të ligjeve dhe ligjshmërive policore, ushtarake e kishtare serbe, duke i detyruar shqiptarët të deklarohen " turq elhamdulilah", e jo shqiptarë. Kjo është e vërteta e jo teza e ndërruar dhe e falsifikuar e D.Batakoviqit, i cili këtë bagazh diskriminimi, aparteidi dhe racizmi, me këmbëngulësi është orvatur t'ua qepë shqiptarëve dhe elitave politike të tyre drejtuese pa pushtet as shtet faktik. Së treti, nuk është i saktë pohimi i D.Batakoviqit, se struktura e popullatës shqiptare në Kosovë është "vetëm 50-80", por është mbi 90% këtë e kanë prvuar të gjitha zgjedhjet e organizuara në Kosovë, që nga viti 1990 e deri më sot (2018).

Prandaj, pavarësisht nga tendenca dhe qëllimet e errta të kuazishkencës, të politikës zyrtare dhe të Kishës Ortodokse Serbe, se "Kosova nuk përbëhet nga kombi i njësuar shqiptar", kjo në asnjë aspekt nuk është e vërtetë, sepse Kosova e ka kombin shqiptar me shumicën dërrmuese prej 90%, ka territorin unik me kufijtë e saj, ku pushtetin e ushtrojnë organet dhe institucionet kompetente shtetërore të Republikës së pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

 Sipas këtyre tezave të shtrembëruara dhe të trilluarara, të shtruara nga akademiku serbomadh(këshilltar special i Kishës Ortodokse Serbe, sidomos për çështjen historike të Kosovës) Dushan T.Batakoviq, se "kanotnizimi" i Kosovës po pengojka "terrorin dhe dhunën shqiptare" ndaj serbëve, si dhe "asimilimin" e pakicave të tjera prezente në Kosovë, me një fjalë qenka "zgjidhja" e vetme "fatlume" për problemin e Kosovës?! - Vënia e pikës çështjes së Kosovës , sipas kësaj çasjeje propagandistike të zëdhënësit  politik, të kishës dhe të shkencës serbomadhe, D. Batakoviq, do të thotë që me çdo kusht, pa zgjedhur mjete (sikurse politika militariste dhe gjenocidale e regjimit të Slobodan Milosheviqit), të favorizohet dhe të materializohet "e drejta historike" e serbëve mbi territorin etnik shqiptar të Kosovës, duke e ndarë atë në "dy entitete", domethënë serbo-shqiptare.

Kjo është arsyeja kryesore pse "i ngarkuari special" i KOS-it dhe i peshkopit Artemije Radosavleviq, ka spekuluar dhe tani serish spekulon me shifra të rreme statistikore të elaborateve kolonizuese serbomëdha mbi të vërtetën historiko-gjeopolitike dhe etnike të Kosovës shqiptare.

Si këto "fakte" të falsifikuara dhe iracionale të historianit D.Batakoviq, ashtu edhe deklaratat dhe rezolutat më të reja, të miratuara nga qeveria dhe Kuvendi i Serbisë për "kantonizimin" dhe për "decentralizimin e Kosovës, pasqyrojnë vetëm këtë të vërtetë: Së pari, Kosovën ta copëtojnë në dysh (nën maskën e rrezikshme të multietnikes dhe pluralizimit abstrakt në rastin konkret, ngase asnjëra nga këto dy koncepte praktikisht nuk mund të jetësohen mbi amtinë dhe recidivat kolonialë shekullorë të Serbisë imperialiste), domethnë një pjesë të territorit të Kosovës-Shqipërisë Etnike, t'i dhurohet në mënyrë vullnetshme  Serbisë. Së dyti, krijimi i "kantonit serb", do të vihej nën kontrollin dhe mbrojtjen direkte të policisë dhe ushtrisë serbe. Së treti, sipas kësaj "filozofie" të oreksit tradicional të politikës neokolonialiste serbomadhe, si dhe përfillësve të saj aleatorë nga jashtë, do të thoshte se "kantoni shqiptar", do të ngelte nën mbrojtjen dhe kontrollin e forcave të huaja ndërkombëtare. Ja, sipas "dioptrisë" së politikës dhe propagandës subversive shoviniste serbomadhe, kjo do të ishte "formula përfundimtare e zigjdhjes" së problemit të Kosovës?!

Përkundrazi, kantonizimi i tillë i Kosovës, shikuar përkohësisht dhe në afat të gjatë, do të nënkuptonte rikthimin e sovranitetit kolonial të Serbisë mbi Kosovën dhe shqiptarët. Prandaj, kjo "formulë" dhe të gjitha të tjerat si kjo, janë të papranueshme për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës mbase realizimi i tyre drejtpërdrejt, do të shpiente në një luftë të re të përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve, e jo kursesi në pajtimin e tyre fqinjësor. Këtë rrezik potencial, duhet ta ketë mbajtur parasysh si Serbia e Madhe, ashtu edhe eksponentët e saj evrondërkombëtarë me orientim proserb dhe prosllav. Në mënyrë që, me çdo kusht, të evitohet edhe një katastrofë e re në Ballkan, si Serbia, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare, duhet të pajtohen me krijimin e realiteteve të reja si në Ballkan, në Evropë dhe në mbarë botën, e së këndejmi, t'i njohin pavarësinë e Kosovës, sepse as Kosova, as pjesët e tjera të Shqipërisë Etnike, më nuk ka gjasa reale, që të mbahen dhe të trajtohen edhe më tej si "njësi të reja integruese dhe riintegruese" të kolonializmit dhe të hegjemonzimit ekzistues serbomalazez. Për më tepër, po qe se i marrim në konsideratë velrat dhe standardet e drejtësisë dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, sipas të të cilave kolonializmi është krim ndërkombëtar,domethënë është i dënueshëm sipas tyre, atëherë, lind pyetja e pashmangshme, pse vetëm mbi Kosovën-Shqipërinë Etnike dhe shqiptarët në Ballkan, të tolerohet kolonializmi serbo-sllav? Faktikisht, as juridikisht mbi këtë bazë të pajusitifikueshme (të prezencës së kolonializmit serbo-sllav) nuk mund të ruhet, as të ndërtohet kurrfarë shoqërie multietnike dhe pluraliste, sepse ka për shkak dhe pasojë sundimin e egër koloniaist serbosllav. Realisht, shqiptarët mund të kohabitojnë me serbet, me malazezët, me grekët, me maqedonët, vetëm atëherë kur të jenë çliruar përfundimisht nga bagazhi kolonial dhe imperialist i tyre, ashtu siç parashikojnë të të gjitha konventat dhe traktatet e së drejtës ndërkombëtare, si dhe Karta e Kombeve të Bashkuara, të cilat çdo lloj të kolonializmit e sanksionojnë si vepër penale ndërkombëtare.

Prandaj , përbashkësia, stabilizimi dhe paqja e një vendi multietnik mund të sigurohen vetëm atëherë, kur populli i tij është i lirë dhe i pavarur nga vargonjtë e çdo lloj hegjemonizmi dhe kolonializmi të huaj. Ndryshe, këto koncepte, do të ngelin vetëm si standarde të proklamuara në letër, me të cilat do të shërbehen në praktikë dhe në teori vetëm autorët e tyre, e jo edhe subjekti i "studmit" të tyre-kolonializmi si fenomen anticivilizues dhe antinjerëzor, i cili është i dënueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

_________

[1]  “Sloboda”, organ zyrtar i Mbrojtjes Popullore Serbe në Amerikë,  August 25, 1999, Issue 1753.

[2] https://sq.wikipedia.org/wiki/Demografia_e_Kosoves

[3]  Kosova në vështrim enciklopedik,  Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Qendra e Enciklopedisë Shqiptare), “Toena”, Tiranë, 1999,f.51.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test