Derisa të mos zgjidhet çështja koloniale shqiptare, Ballkani do të jetojë në ethe

Kolumne

Derisa të mos zgjidhet çështja koloniale shqiptare, Ballkani do të jetojë në ethe

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 14 nëntor 2018 Në ora: 09:14
Harta e Ballkanit

Me gjithë përpjekjet e pareshtura të “teknologjisë” strategjike të bashkësisë ndërkombëtare, që vendet ballkanike t’i përfshijë në mekanizmat dhe në proceset e agjendës afatgjatë të integrimeve evropiane dhe rajonale, kjo në kuptimin real pragmatik, është vështirë të realizohet, sepse çështja koloniale shqiptare, e pazgjidhur qe më se një shekull, është barriera kyçe që pengon jetësimin e një koncepti të këtillë dhe, që Ballkanin e mban vazhdimisht në ethe lufte. Si rrjedhim, për të dalë nga një rreth i këtillë vicioz i kënetës koloniale serbomadhe, dhe i ushtrimit të trysnisë së faktorit ndërkombëtar, që kanë “paktuar”, që Kosova dhe trevat e tjera indigjene të Shqipërisë Etnike, (në emër, dhe për hir të agjendave integruese rajonale, që përbëjnë boshtin vertebral të interesave komplementare të fuqive të mëdha botërore) të ngelin edhe më tej “çifliqe” koloniale të Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe të substratit të tyre sllav (Greqia dhe Maqedonia), është i domosdoshëm konsensusi politik gjithëkombëtar shqiptar. Ndryshe, nuk ka asnjë gjasë reale, që të luftohet sundimi robërues kolonial sllav mbi shqiptarët dhe mbi territoret  autoktone pellazgo-ilire-shqiptare të SHQIPËRISË ETNIKE në Ballkan.

Mohimi dhe zvarritja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga OKB-ja, janë ndër treguesit më karakteristikë, që pasqyrojnë “disponimin” e diplomacisë ndërkombëtare të fuqive të mëdha botërore, se vetëm për shqiptarët në Ballkan, nuk “mund” të ndryshohen kufijtë ekzistues ( administrativë-artificialë – M.H.), me “justifikimin” më iracional të politikës së tyre, se njohja e pavarësisë së shqiptarëve dhe e Kosovës, “do të destabilizonte marrëdhëniet me shtetet fqinje, dhe së këndejmi, do të çonte në krijimin e një Shqipërie të madhe”. Konkluzion ky, i barasvlershëm, dhe i përthithur në tërësi nga ndërrimi i tezave të falsifikuara të kuazishkencës historiografike dhe, të politikës propagandistike zyrtare e luftarake të Unionit të Serbisë dhe të Malit të Zi.

Sintagma “Shqipëria e madhe” teorikisht dhe praktikisht mbron Serbinë e Madhe

Pse politika, propaganda dhe diplomacia serbomalazeze antishqiptare manipulojnë me “armën” e tyre “Shqipëria e madhe”, për historinë, për politikën as për opinionin publik shqiptar, as për atë ballkanik dhe evropian, nuk është ndonjë tezë apo argument i ri apo i vjetër i kuazishkencës dhe i kuazipolitikës së  Serbisë, por si dikur, ashtu edhe sot, manipulimi dhe spekulimi i serbomëdhenjve me të, është vetëm shpifje propagandistike e shovinizmit dhe e hegjomizimit serbomalzez në disfavor të çlirimit antikolonial të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike. Pse disa shtete të Evropës së dikurshme të “Koncertit Evropian” dhe të Evropës së sotme të “Bashkimit Evropian”, janë bërë robër të “Shqipërisë së madhe”, tezë kjo e trilluar vetëm nga propaganda politike, religjioze dhe militariste e Serbisë dhe e Malit të Zi, nuk e befason sfondin e politikës dhe të opinionit gjithëshqiptar, si dhe të historiografisë objektive përparimtare ndërkombëtare ngase është recidiv i lashtë i Projekteve të politikës bizantine të kolonializmit serbo-malazez.

Këtë konstatim tonin e provojnë në më mënyrë të dokumentuar edhe “Trillimet dhe spekulimet e këtilla me të drejtën legjitime të popullit shqiptar në njohjen e shtetësisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit, përputhen vetëm me pikëpamjet dhe me idetë serbomëdha të Kishës Ortodokse Serbe, që pikëmbështetjen e kanë në Programin e “Naçertanisë” së Ilija Garashaninit (1844) në veprat nacionalshoviniste të Dositej Obradoviqit (1783), në “Memorandumin e krijimit të Mbretërisë së Përbashkët Serbosllave” të mitropolitit serbomadh të Karllovcit, Stefan Stratimiroviq(1804) drejtuar Oborrit Mbretëror të Rusisë, gjatë periudhës historiko-politike të sundimit të Katarinës II, në veprat e Jovan Subotiqit (1839), i cili konsiderohet si një nga urrjetësit dhe armiqtë më të përbetuar të ilirëve dhe të Ilirizmit.”(Mr.Mehdi Hyseni, Kisha ortodkse dhe shkenca serbe në funksion të gjenocidit serb në Kosovë, Zëri, 6 gusht 1994,f.4).

Trillimi i tezës “Shqipëria e madhe”, e cila është mjet opercionaluzies i makroprojketeve të Kishës Ortodkse Serbe, dhe i politikës kolonialiste të Serbisë së madhe, mund të jetë jetë e pranueshme vetëm për strategët me ide dhe me pikëpamje regresive raciste, siç ishin Hitleri, Gebelsi, Himleri dhe Slobodan Milosheviqi, sepse, thjesht, është e dokumentuar historikisht si nga shkenca dhe politika shqiptare, ashtu edhe nga ajo ndërkombëtare demokratike, se teza “Shqipëria e madhe”, është konstruksion dhe produkt demogagjik i të gjitha projekteve dhe i programeve të politikave kolonialiste të Serbisë dhe të Malit të Zi, e kursesi dhe, në asnjë mënyrë “program politik i nacionalizmit shqiptar”, siç pohojnë edhe sot paturpësisht (edhe në fillimshekullin XXI) politika, propaganda, shkenca dhe Kisha Ortoddokse e Serbisë dhe e Malit të Zi.

Lindë pyetja, edhe sa shekuj duhet të kalojnë (kur, si mbi bazën etnike, ashtu edhe në atë historike, është provuar se territoret e okupuara dhe të aneksuara të Shqipërisë Etnike, janë të shqiptarëve, e jo të serbëve, as të malazezëve imperialistë) , e të binden njëherë e përgjithmonë si kolonialistët racistë serbë, ashtu edhe ata malazezë, se as Kosova, e as trevat e tjera të Shqipërisë Etnike nuk janë “pronësi” legjitime të tyre, por vetëm plaçkë e paligjshme koloniale, të cilën deshën s’ deshën, tanimë janë krijuar të gjitha kushtet, që në mënyrë paqësore, të heqin dorë nga ajo në favor të titullarit të saj të ligjshëm-Shqipërisë Etnike. 

Thjesht, manipulimi me termin politik “Shqipëria e madhe” nga ana e kolonialistëve serbomëdhnej, nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si atak i vazhdueshëm terrorist ndaj së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Përderisa fundamentalistët e qarqeve kishtare dhe qeveritare serbomëdha, spekulojnë në sy të botës me tezën “Shqipëria e madhe”, kjo tregon sheshit se Serbia  nuk është e gatshme që me rrugë dhe me mjete paqësore, të heqë dorë nga kolonizimi i Kosovës dhe i territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike. Kjo është pengesa kryesore, që konteston jo vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të drejtën e shkolonizimnit dhe të pavarësisë së territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike.

Duhet të nëvizojmë se, Serbia dhe Mali i Zi tërë luftën e tyre politike dhe propagandistike, (që karakterizohet nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve) e kanë zhvilluar, dhe po e zhvillojnë edhe sot përmes parullës “Shqipëria e madhe”, në mënyrë që ta “bindin” dhe përvetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, se lufta çlirimtare dhe politika kombëtare antikolonialiste shqiptare, “është në funksion të gllabërimit të territorit serbomalazez, dhe të terrorizmit shqiptar në Ballkan”. Asnjëra nga këto cilësime akuzuese të politikës paranoide serbomalazeze, nuk janë të qëndrueshme as në kutimin teorik, as në atë praktik, sepse nuk është politika paqësore shqiptare, as lufta çlirimtare kombëtare shqiptare, që shkaktuan tragjedinë e mijëra njerëzve të pafajshëm në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, por pikërisht ishte terrorizmi dhe gjenocidi i institucionalizuar i realizimit dhe i konkretizimit në praktikë i Projektit nacionalsocialist-bizantin i Serbisë së Madhe, e jo, assesi i ndonjë “Shqipërie të madhe”, siç po gënjen me paturpësi diplomacia dhe propaganda serbomalazeze me qëllim që t’i “përpunojë” disa nga fuqitë e mëdha botërore.

Pavarësisht nga sondazhet dhe trysnia e amalgamës politiko-propagandistike  serbo-sllave dhe e mbështetësve të tyre nga disa qarqe të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare, politika, as lufta çlirimtare antikoloniale shqiptare, nuk kanë asnjë arsye, që të heshtin problemin e pazgjidhur kolonial të Kosovës, as të trojeve të Shqipërisë Etnike. Kur Serbia dhe Mali i Zi janë të gatshme, që me çdo kusht t’i mbrojnë tezat e tyre të rreme dhe të sofistikuara në kurriz të shqiptarëve dhe të tokave të tyre etnike, duke “harruar” se prej tyre qe më se një shekull, e kanë krijuar Serbinë e Madhe, atëherë pse politika dhe faktori gjithëshqiptar, të mos e mbrojnë të vërtetën para botës, duke kërkuar zgjidhje të drejtë përfundimtare për çlirimin dhe ribashkimin e territoreve të Shqipërisë Etnike, të kolonizuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Në vazhdimësi, politika shqiuptare nevojitet ta mbajë parasysh faktin se, si Kosova, ashtu edhe trevat e tjera etnike shqiptare në Ballakn, kërkojnë zgjidhje dhe trajtim ligjor antikolonial, e jo zgjidhje kontesti ndëretnik të së drejtave dhe lirive të minoriteteve të ndryshme, të ngulitura në hapësirat e Shqipërisë Etnike.


Natyrisht, se kjo strategji e politikës kombëtare dhe antikolonialiste shqiptare ua “vret veshin” si kolonialistëve serbomëdhenj, ashtu edhe partizanëve të tyre neokolonialistë, mirëpo, ne nuk kemi tjetër alternativë politike as kombëtare përpos çlirimit antikolonial dhe mbrojtjes së ligjshme të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike.

E drejta e vetëvendosjes versus “ndërtimit të egër” kolonial serbomadh+sllav në Shqipërinë Etnike

Vetë zvarritja e moszgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës nga ana e OKB-së , provon qartaz se tendencat e politikës ndërkombëtare të fuqive të mëdha (siç janë Rusia, Kina dhe India etj.) kanë për qëllim që, së pari shqiptarëve dhe Shqipërisë së kolonizuar etnike, t’u imponojnë ndërtimin e modeleve të ashtuquajtura multietnike, pluraliste e integruese me emërues dhe titullarë rajonalë dhe subrajonalë të dikurshëm dhe të sotshëm të sferës ndikuese sllave, në mënyrë që me kalimin e viteve (10, 15, 20, 30, 50) të davaritet nga kujtesa historike dhe kombëtare e shqiptarëve se, ndonjëherë ka pasur problem kolonial shqiptar në Ballkan, dhe kështu të pajtohen me vetëkapitullimin e tyre të vullnetshëm. Kjo është esenca e teorisë së dominos së diplomacisë ndërkombëtare, që synon ta zgjidhë probemin e Kosovës dhe të shqiptarëve, jo në kontekstin e së drejtës së vetëvendeosjes (sikurse popujt e tjerë të shkëputur nga Serbia e Madhe, maqedonët, sllovenët dhe kroatët), por në atë multietnikizimit, të pluralizimit dhe të demokratizimit ndëretnik të përbashkësisë së minoriteteve të ndryshme. Po qe se “spontanisht” politika kozmopolite shqiptare, do të pajtohej me një kompromis të këtillë antikombëtar dhe antishtetëror gjithëshqiptar, atëherë do të jetë e pashmangshme, dhe e pashtyshme shfaqja e luftës së përgjithshme popullore kundër sundimit kolonial serbosllav.

Për të mënjanuar politikën e diktatit të fuqive të mëdha botërore, dhe “ndërtimin e egër” kolonial serbomadh në Kosovë, dhe në viset e tjera të Shqipërisë Etnike, politika shqiptare në saje të bashkimit dhe të arritjes së konsensusit të saj, është e detyruar, që ta shfrytëzojë si mjetin parësor të saj të ligjshëm, të drejtën e vetëvendosjes, e cila është sanksionuar si në Kartën e Kombeve të Bashkuara, ashtu edhe në të gjitha aktet dhe konventat ndërkombëtare, që përbëjnë parimet themelore juridike të së drejtës ndërkombëtare, në saje të së cilave edhe kombi i kolonizuar shqiptar në Ballkan, e gëzon të drejtën legjitime, dhe e ka për detyrë, që t’i shkundë përgjithmonë vargonjtë e tiranisë koloniale serbosllave. Pa realizimin e së drejtës së vetëvendosjes, Kosova dhe shqiptarët (me gjithë “kënaqësinë” e vampirizimit të doktrinës dhe të praktikës 50-vjeçare të pluralizmit dhe të “demokracisë” kardeliste dhe titiste, 1970-1990) e tjerë në hapësirat e tjera të Shqipërisë Etnike, do ta gëzojnë vetëm minimumin e minimumit të statusit të dikurshëm politik të përkatësisë minoritare, sikurse në RSFJ-në e Titos, në ‘RFJ”-në e Slobodan Milosheviqit dhe në Maqedonin e  Ali Ahmetit dhe të Zoran Zaevit etj.

 Edhe sa vjet duhet të përkujtohen institucionet ndërkombëtare, dhe titullarët e diplomacisë preventive ndërkombëtare se e drejta e vetëvendosjes së kombit shqiptar në Ballkan, nuk mund të zëvendësohet me pajtimin e ideve dhe të koncepteve koloniale të sllavizmit dhe të pansllavizmit, të cilat edhe sot, në fillimshekullin XXI, duan t’i imponohen me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet, në emër të mohimit të lirisë dhe të qytetërimit demokratik botëror.

Pikërisht, strategjia dhe taktika e këtillë e frikësimit të abuzuesve të së drejtës së vetëvendosjes dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, kanë ndikuar dhe po ndikojnë me të madhe, që në sfondin e politikës shqiptare, t’i gjejnë vasalët e tyre, të zhvillojë ndjenjën dhe shprehinë e inferioritetit dhe të kapitullimit para së vërtetës historike të Kosovës dhe të Shqipërisë Etnike.

Fatkeqësisht, vetë prolongimi i moszgjidhjes së statusit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, dëshmon qartë se kanë ardhur në shprehje individë dhe grupe vasale të interesit, të cilat edhe janë bërë faktorë relevantë dhe të dëgjueshëm në përçuarjen e projektideve dhe të koncepteve poltike të propagandës së huaj armiqësore serbe dhe proserbe për t’i “vënë kapak” kolerës kolonialiste sllave mbi Kosovën dhe mbi tokat e tjera indigjene të shqiptarëve në Ballkan. S’ka dyshim se, përfitimet e përkohshme personale, teknike dhe materiale i kanë verbuar “elitat” e dëgjueshme politike shqiptare para interesave vitale kombëtare, shtetërore, kulturore, tradicionale dhe historike të kombit dhe të shtetit të tyre etnik, i cili në shekuj, (që nga periudha historike ilire, periudha historike e lavdishme e Skënderbeut, e deri në ditët e sotme të shekujve XX dhe XXI, që historia, tradita, kultura, arti dhe identiteti kombëtar shqiptar identifikohen me emrin e famshëm të humanistes botërore, Nënë Tereza, dhe me emrin e shquar të Ismail Kadares ) i ka kontribuar qytetërimit evropian dhe botëror.

Të gjitha politikat shqiptare, e gjithë inteligjencia shqiptare, si dhe i gjithë kombi shqiptar, duhet zgjohemi nga letargjia e “vdekjes klinike” politike, të mos pranojmë asnjë formulë eklektike (qoftë ajo edhe e dekoruar me justifikime strategjike të partnerizmit multilateral të fuqive të mëdha botërore), që do të favorizonte përmbajtjen e devizës robëruese kolonialiste serbomadhe, të ashtuquajtur “Shqipëria e madhe” pas së cilës fshihet i tërë bagazhi i politikës gjenocidale pushtuese, dhe i “prirjeve të reja”, “demokratike”, “multietnike” dhe “civilizuese” të  aleancës slave ballkanike me Rusinë në krye. Siç thoshte patrioti dhe demorkati ynë i madh, Hasan Prishtina, “duhet t’i besojmë vetëvetes se ka ardhur ora vendimtare e kthesës historike” në favor të realizimit të së drejtës së vetëvendosjes së kombit shqiptar në Ballkan. Pavarësisht nga simulimet dhe traktativat e qarqeve të ndryshme diplomatike ndërkombëtare, se e “vetmja zgjidhje fatlume politike” e problemit kolonial shqiptar në Ballkan është “pajtimi multietnik”, ne nuk duhet të tregohemi aq  naivë dhe të verbër, duke u frikësuar që, me çdo kusht të pranojmë këtë “formulë” të keqe të kompromisit politik, sepse në të njëjtën kohë, do ta eliminonim vetëveten nga jetësimi i së drejtës së vetëvendosjes. Këmbëngulësia e politikës sonë të njësuar largpamëse në realizimin e së drejtës së vetëvendosjes, do të ndikonte pozitivisht si te partnerët e politikës ndërkombëtare, ashtu edhe në kundërshtimin e prerë të çdo ndikimi të jashtëm ultimativ, që ka për qëllim të përçajë unitetin politik shqiptar, duke krijuar nebuloza dhe dilema të rrezikshme në artikulimin e këreksës së ligjshme të vetëvendosjes.

E drejtë e ligjshme dhe demokratike është që, çdo popull në botë, të ngulmojë në realizimin e kërkesës së vetëvendosjes, së këndejmi edhe e kombit shqiptar në Kosovë dhe në Ballkan.

Është gabim, dhe meriton çdo gjykim “psikologjia ilegale” politike, e cila kërkesën e politikës shqiptare për vetëvendosje, e sofistikon në skajshmëri, duke e cilësuar atë si antipode dhe të kundërligjshme me projektet strategjike intgeruese evropiane. Përkundrazi, njohja e së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, përkatësisht e Shqipërisë Etnike nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, do të ishte në funksion të drejtpërdrejtë dhe me interes të shumëfishtë për integrimin, bashkëpunimin, paqen, sigurinë. koekzistencën, si dhe për format e tjera organizative institucionale në shkallë evropiane dhe ndërkombëtare.

Fundja, shqiptarët e meritojnë të intgerohen në Evropë, sepse edhe aty e kanë vendin, si populli më i lashtë i kulturës dhe i civilizimit të saj perëndimor. Kjo e drejtë dhe imperativ i pashmnagshëm përbëjnë realitetin e identitetit të lashtë evro-perëndimorë të shqiptarëve në Ballkan. Prandaj, kjo e vërtetë e pakundërshtueshme e historisë  së kombit shqipatar nuk duron  shpifje, trillime, anatema dhe akuza të paqëndrueshme të disa diletantëve politikë, të cilët për hir të karrierizmit dhe interesave të tyre personale, klanore, grupore, partiake, nepotiste dhe despotike po veprojnë njësoj sikurse dikur  OZNA dhe UDBA jugosllave në diferencimin, në izolimin, në survejimin dhe në përndjekjen e e vazhdueshme më se 30-vjeçare (1989-2018) të veprimtarëve të idesë së ribashkimit kombëtar  shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Duke e shfrytëzuar popullin egërsisht, duke e diferencuar brutalisht elitën e në njëmendtë intelektuale shqiptare, duke e varfëruar në skajshmëri, duke e lënë pa bukë, pa punë, pa ekzistencë dhe pa mirëqenie, despotët marionetë milionerë për të “mbiejtuar” vetë të paprekshëm në kastën e lartë pushtetore, veprojnë njësoj sikurse Serbia e Slobodan Milosheviqit, duke i anatemuar dhe diferencuar intelektualët e mirëfilltë shqiptarë para aleatëve dhe partenrëve  evropianë dhe ndërkombëtarë se gjoja  ata janë me koncepte të vjetra, dhe me qëndrime politike “ekstremiste” dhe “radikale”, të cilët janë “pengesa kryesore”  për “ribashkimin-vëllazërmin” intgerues me minoritetet e tjera në Kosovë. Kështu, të paktën flasin raportet zyrtare të organizatave dhe të institucioneve të theksuara ndërkombëtare, të cilat si rrejdhim i politikës së nëndheshme negative antishqiptare, edhe janë duke i riformuluar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre politike lidhur me trajtimin dhe me zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Kërkesa politike për vetëvendosje, që nënkupton shkolonizimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera etinike shqiptare, assesi nuk mund të cilësohet si kërkesë jolegjitime dhe jolegale ose “kriminale-terroriste”, ashtu siç po trumbeton në të gjitha “sofrat” ndërkombëtare politika e jashtme dhe diplomacia propagandistike zyrtare e Serbisë së Madhe, e Greqisë, e Qipros, e Sllovakisë, e Spanjës, e  Rumanisë dhe e Rusisë…etj., por është legale dhe legjitime, e cila mund të realiziohet me rrugë politike paqësore, dhe duke përdorur forcën, si mjet të fundit, i pëlqeu kjo politikës së  Serbisë së Madhe dhe aleatëve të saj latentë shqipfolës në hapësirat e Shqipërisë Etnike apo në diasporë.

Prandaj, duhet të turpërohen dhe, të tregohen të vetëpërmbajtur sahanlëpirësit dhe kolaboracionistët e Serbisë dhe të Malit të Zi , sepse kërkesa e vetëvendojes dhe ribashkimit të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, nuk është në kundërshtim me proceset integruese të transicionit evropian, as me UNMIK-un, as me KFOR-in e as me NATO-n, e as me OKB-në, por është në konfrontim të drejtpërdrejtë me politikën e sundimit kolonial serbo-sllav në Ballkan. Për më tepër, më e preferueshme do të ishte që “argatshtia mëditëse”, e cila po vepron sa fshehur, sa haptazi kundër interesave jetike të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, t’i pezullojë të gjitha aktivitetet dhe fushatat ilegale propagandistike kundër veprimtarëve të devotshëm të çështjes së pavarësisë së Kosovës-Shqipërisë Etnike, sepse dita-ditës testimet e politikës së forcës po bëhen rregull, dhe jo përjashtim. Kështu që, së shpejti pritet të marrë fund edhe dritëshkurtësia dhe egërsia e ”honxho-bonxhove” të Mihal Gramenos si “art” i survejimit dhe i shpifjes së “terrorizmit” shqiptar, sipas listës së zezë rekomanduese të “miqësisë” së deritashme të politikës pushtuese kolonialiste të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat