​Komuna e Vushtrrisë prezanton draft-hartën Zonale, zotohet ta ruajë zonën historike të qytetit

Kosova

​Komuna e Vushtrrisë prezanton draft-hartën Zonale, zotohet ta ruajë zonën historike të qytetit

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 14:02
Xhafer Tahiri

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur sot një debat publik për të prezantuar draft-hartën zonale të këtij qyteti, dokument i cili u tha se është i rëndësishëm për zhvillimin e kësaj komune.

Para qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë u prezantua draft-harta zonale, e për të cilën u tha se është dokumenti më i rëndësishëm pas planit komunal të zhvillimit.

Harta zonale e Komunës së Vushtrrisë është realizuar në bashkëfinancim nga komuna dhe nga UN-Habitat, e cila ka investuar 160 mijë euro.

Kryetari Xhafer Tahiri tha se zhvillimi i qëndrueshëm në qytet dhe në fshat duke kufizuar zonat e banimit dhe zonat bujqësore, të kenë kosto të përballueshme të jetesës për familjet në Vushtrri dhe ruajtja e qendrës historike kanë qenë elementet më të rëndësishme për të.

Tahiri: Është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit tonë

“Harta zonale siç e tha eksperti pas planit zhvillimor komunal është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit tonë po edhe të fshatrave...Ne kemi hyrë në një partneritet me UN-Habitat-in dhe kemi përfituar një grant 160 mijë euro nga UN-Habitat dhe kemi vendosur edhe 80 mijë euro nga buxheti i komunës dhe kemi mbërri në këtë fazë që jemi", tha ai.

Tahiri tha se janë tri elemente të këtij plani e që për të si kryetar i Komunës kanë qenë të rëndësishme. Ai tha se ka qenë e rëndësishme që të ruhet zona historike e Vushtrrisë, pasi një gjë të tillë ua kanë borxh edhe gjeneratave të ardhshme.

Tahiri: Të kemi zhvillim të qëndrueshëm edhe në qytet edhe në fshat

"Për mua kanë qenë këto tri udhëzime themelore si kryetar i Komunës, e para të kemi zhvillim të qëndrueshëm edhe në qytet, edhe në fshat duke kufizuar zonën e banimit dhe duke ruajtur tokën bujqësore. E dyta, të kemi një kosto të përballueshme të jetesës për familjet në Vushtrri, sidomos për familjet e reja, dhe e treta, të ruajmë qendrën historike të Vushtrrisë", tha ai.

Drejtori i zyrës së UN-Habitat në Prishtinë, Omar Siddique, tha se harta zonale është një ndër dokumentet më të rëndësishme për komunën e Vushtrrisë.

Siddique: Që ndryshimi të ndodh, na duhet pjesëmarrje

"Këto dokumente janë shumë kritike, sepse ato jo vetëm që ndihmojnë në prezantimin dhe mbrojtjen e integritetit të vendeve të caktuara, si trashëgimia kulturore dhe asetet mjedisore, por gjithashtu nëse ne i përziejmë bashkë me zhvillim kompakt, krijojmë potencial në rigjenerimin e zonave tjera në komunë. Dhe ne e shohim bashkëpunimin me ju jo vetëm në nënshkrimin e një dokumenti, por duke shkuar përtej saj, në prodhimin e zgjidhjes për implementimin e këtij dokumenti në lagjet tuaja, komunitetet tuaja, për zhvillim të qëndrueshëm. I gjithë zhvillimi po bëhet për ndryshim. Por që ndryshimi të ndodh, na duhet pjesëmarrje", tha ai.

Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Vushtrri, Berat Sadiku, tha se e kanë shumë të rëndësishme të ruajnë zonën historike brenda qytetit të Vushtrrisë. Në funksion të kësaj ai tha se gjatë mandatit të tyre në Vushtrri nuk kanë lëshuar lejë ndërtimore.

Sadiku: Ne nuk kemi lëshuar asnjë leje ndërtimore

"Gjatë këtyre tri vjet e gjysmë pavarësisht që nuk kemi mundur ligjërisht ta aprovojmë këtë zonë historike ne nuk kemi lëshuar asnjë leje ndërtimore. Që nga dhjetori i vitit 2017 ne nuk kemi asnjë leje ndërtimore që është lëshuar brenda kësaj zone historike", tha ai.

Në fund të këtij prezantimi, qytetarët kanë paraqitur idetë e tyre se çka duhet të përfshihet në këtë hartë zonale, e për çka kanë marrë zotimin e Komunës e Un-Habitat se kërkesat e tyre do të merren parasysh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat