​KEDS po ndërton rrjet të ri elektrik në disa fshatra të Deçanit

Kosova

​KEDS po ndërton rrjet të ri elektrik në disa fshatra të Deçanit

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Afër pesë kilometra rrjet të ri elektrik është duke ndërtuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) në Komunën e Deçanit, saktësisht nga fshati Irsniq deri në fshatin Ratish.

Largpërçuesi i Lumbardhit ka qenë një nga më problematikët në komunë e Deçanit, e që me investimet që po bëhen do t'i jepet fund ndërprerjes së energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se janë duke ndërtuar rrjet komplet të ri afër 5 kilometra për t'i dhënë fund problemeve me të cilat janë përballur banorët e kësaj ane.

Buzhala: Një linjë afër pesë kilometra, komplet rrjet i ri

"Bëhet fjalë për largpërçuesin e Lumbardhit, do të thotë ka qenë ndër më problematiku në këtë komunë me rënie të shpeshta, me ndërprerje të furnizimit si pasojë e faktorëve atmosferikë. Ne me të parë këtë gjendje kemi intervenuar menjëherë dhe jemi duke e rregulluar komplet, do të thotë jemi duke bërë degëzime, jemi duke ndërtuar rrjet disa kilometërsh komplet të ri siç po shihet nga Irsniqi deri në Ratish. Do të thotë po flasim për një linjë afër pesë kilometra, komplet rrjet i ri", tha ai.

Buzhala tha se përmes këtij projekti përfitojnë mbi 5 mijë qytetarë të kësaj ane, derisa potencoi se KEDS do të vazhdojë me investime edhe në fshatra të tjerë të Komunës së Deçanit.

Në bazë të planifikimeve, Buzhala tha se puna do të përfundojë brenda një muaji.

Buzhala: Përfitues janë diku rreth 1 mijë e 500 konsumatorë

"Përfitues janë diku rreth 1 mijë e 500 konsumatorë apo mbi 5 mijë qytetarë pasi ne e bëjmë matjen me konsumatorë. Po flasim për një projekt shumë të rëndësishëm për këtë pjesë, ku pas rinimit të saj përkatësisht të ndarjes në degëzime atëherë gjithçka do të jetë e rregulluar dhe konsumatorët do të kenë shërbime shumë kualitative... Në bazë të planifikimeve që ne kemi pritet që të përfundojë brenda një muaji, përkatësisht në stinën e ftohtë të jenë të përgatitur dhe të mos kenë banorët asnjë problem”, tha Buzhala.

Këtë projekt e kanë mirëpritur banorët e fshatit Ratish, kryeplaku i fshatit Asllan Hasani, tha se me këtë projekt do të merr fund problemi i ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ai falënderon KEDS që kanë marrë parasysh zgjidhjen e problemit të tyre, derisa thekson se ky projekt është tejet i rëndësishëm për banorët.

Hasani: Është një projekt që vlen shumë për banorët e këtij vendi

"Sa i përket rrymës dhe tensionit të lartë ne kemi pasur problem katër fshatrat, sidomos në kohë të keqe kur ka pasur frymë, borë, ka pasur defekte. Me fillimin e këtij projekti dhe kur të lëshohet kjo rrymë për Ratishë besoj që kemi me ia pa hajrin shumë si fshatarë. Ne i falënderojmë të gjithë ata që na kanë ndihmuar dhe na kanë përkrahur në këtë projekt... Është një projekt që vlen shumë për banorët e këtij vendi, ne kemi heq keq gjatë kohës së keqe rryma gjithë është ndalur, ne kemi pasur problem me rrymë, mirëpo tash besoj nuk kemi me pas problem", tha ai.

KEDS është duke investuar në rrjet edhe në disa fshatra të tjerë të Komunës së Deçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat