​Vihet gurthemeli i urës që lidh Kamenicën me Bujanocin

Kosova

​Vihet gurthemeli i urës që lidh Kamenicën me Bujanocin

Më: 24 gusht 2021 Në ora: 11:41
​Vihet gurthemeli i urës që lidh Kamenicën me Bujanocin

Është vënë të martën gurthemeli i urës që lidhë Kamenicën me Bujanocin dhe Luginën e Preshevës.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se me ndërtimin e urës në Breznicë dhe Karaçevë të Poshtme do të lehtësohet qarkullimi dhe lëvizja e qytetarëve të të dy anëve.

Kastrati tha se ndërtimi i kësaj ure ka një rëndësi të veçantë pasi lidhë Kamenicën me Bujanocin, teksa shtoi se për ndërtimin e saj kanë kërkuar edhe ndihmën e qeverisë, por që për shkak të rrethanave kanë arritur që ta implementojnë si dy komuna.

Kastrati tha se ky është vetëm një ndër projektet e para me Komunën e Bujanocit.

Kastrati: Po ndërtojmë një urë që lehtëson qarkullimin e qytetarëve

"Sot, për mua personalisht është një prej momenteve më të veçanta dhe që kam një emocion të veçantë, duke pasur parasysh dy komuna së bashku dhe raportet në mes të shteteve që i kemi, po arrijmë me fillua dhe me e ndërtua një urë me kushte më të mira për qytetarët e kësaj pjese... Uroj që ky projekt të jetë ndër të parët dhe që në të ardhmen si shtet i Kosovës por edhe si shtet i Shqipërisë të jemi sa më afër dhe t’u gjendemi sikurse shtetet demokratike", tha ai.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë pasi bashkon dy shtete.

Arifi: Kjo urë lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Serbisë

"Sot është një kënaqësi e posaçme për ju dhe për neve sepse së bashku me Komunën e Kamenicës, për herë të parë po e bëjmë një projekt të përbashkët, ku me ndërtimin e kësaj ure po i lidhim jo vetëm 2 fshatra, jo vetëm komuna e Bujanocit por edhe Republika e Serbisë me Republikën e Kosovës. E ka një rëndësi të veçantë ky projekt", tha ai.

Projekti për ndërtimin e urës në Breznicë kushton mbi 52 mijë euro, ku 41 mijë prej tyre të financuara nga Komuna e Kamenicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat