Objekti i Fakultetit të Bujqësisë, SKV hedh akuza për keqpërdorime

Kosova

Objekti i Fakultetit të Bujqësisë, SKV hedh akuza për keqpërdorime

Më: 11 janar 2022 Në ora: 13:15
Pamje nga vendi i ngjarjes

Lëvizja Studentore ''Studim Kritikë Veprim'' (SKV) përmes një aksioni para hyrjes së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kërkoi që objekti i ri Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të funksionalizohet sa me shpejtë pasi që i njëjti ka filluar të ndërtohet në vitin 2013.

Getoar Sylaj, anëtar në SKV, tregoi se në tenderin prej 3.5 milionë eurosh për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë ka pasur keqpërdorime dhe se ky objekt është dashur të përfundojë në vitin 2016.

Sylaj: Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2013

“Ky objekt në fjalë (Fakulteti i Bujqësisë) ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2013 dhe ende nuk ka përfunduar, me 4 korrik po të atij viti është nënshkruar kontrata sipas të cilës inaugurimi do duhej të behej në vitin 2016, pra edhe pak muaj bëhen plot 9 vite që Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë është në ndërtim e sipër. [...] Është më se e qartë se në këtë tender prej 3.5 milionë eurosh ka pasur keqpërdorime, është bërë biznes që nga fillimi. Mungesa e transparencës dhe prolongimi i finalizimit të punëve të objektit nuk është i rastësishëm. Kompania ndërtuese në bazë të dhënave të ARBK-së është regjistruar një vit pasi kanë filluar ndërtimet e këtij objekti dhe 50% e aksioneve të kësaj ndërmarrje ishin në pronësi të një ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Valon Grabovci”, ka thënë ai.

Sylaj shtoi se keqpërdorim e shkelje janë konfirmuar edhe nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit se Universiteti i Prishtinës ka zgjedhur kompaninë me të shtrenjtë për t’i kryer punët në tenderin e rregullimit të rrugës së Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në vlerë prej 60 mijë eurosh, pavarëissht se kompania nuk i kishte plotësuar kriteret.

Ndërsa, Dea Lala, studente e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, tha se nga e gjitha kjo situatë studentët janë ata që po dëmtohen, ku kërkojnë sigurimin e një hapësire ku mund të ndjekin ligjëratat.

Lala: Jam dëshmitare e kushteve të vështira nëpër të cilat i zhvillojmë studimet

“Jam dëshmitare e kushteve të vështira nëpër të cilat i zhvillojmë studimet ne studentët e këtij fakulteti. Tash e sa vite, e sidomos këtë vit të ri akademik, ku si pasojë e vënies jashtë funksionit të objektit të vjetër të Fakultetit të Bujqësisë jemi detyruar që studimet t’i vazhdojmë në Gjimnazin Matematikor, përkatësisht kati përdhese të këtij fakulteti, ku po i zhvillojmë ligjëratat, ndërkaq në laboratorët në objektin e vjetër të Fakultetit të Bujqësisë jemi duke i mbajtur ushtrimet. Këta laboratorë fatkeqësisht nuk plotësojnë as kushtet elementare për të zhvilluar pjesën praktike dhe shpeshherë ka ndodhur si pasojë e mungesës së mjeteve të punës, pra pajisjeve laboratorike si dhe të ftohtit të madh që është aty t’i pezullojmë edhe ushtrimet. Nga e gjithë kjo situatë po dëmtohemi në studentët e këtij fakulteti”, ka thënë ajo.

Ndërtimi i objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë ka filluar së ndërtuari në vitin 2013 me investitorë Qeverinë e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, punimet nuk kanë përfunduar. Në vazhdimësi studentët e këtij universiteti kanë kërkuar që objekti të përfundojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat