Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit Besim Bajraktari

Kosova

Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit Besim Bajraktari

Më: 21 janar 2022 Në ora: 10:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me homazhe në Kazermën ,,Adem Jashari” dhe me ceremoni ushtarake, dje në Batllavë të Podujevës,  në praninë e familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u varros me nderime të larta ushtarake  pjesëtari i FSK-së rreshter i parë Besim Bajaraktari.

Ceremonia e varrimit filloi me homazhe pranë arkivolit të të ndjerit, rreshter Bajraktarit, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë  dhe më pas kortezhi me përcjellje ushtarake vazhdoi për në varrezat e  fshatit të tij të lindjes në Batllavë,  ku u mbajt ceremonia e varrimit me nderime ushtarake.

Për ta nderuar për jetën dhe veprën e tij në ceremoni kishin ardhur eprorë  dhe kolegë nga FSK-ja, përfaqësues të Komunës, shoqatave të dalura nga lufta e  UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.

Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës  foli  zëvendës komandanti i FSK-së,  gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi  shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve, vlerësoi lartë jetën dhe veprën e rreshterit të parë, Bajraktarit, ku ndër tjera tha: “Njerëzit si Besimi janë të rrallë,  që në personalitetin e tyre i kanë të gërshetuara vlerat më të larta njerëzore si urtësinë, edukimin e lartë akademik, sinqeritetin dhe atdhe-dashurinë.  Ne ndihemi krenarë që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Besimi punoi pa-reshtur gjithë jetën”.

Ngushëllime për familjen, shokët, bashkëluftëtarët e ushtarët, shprehën kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi,  kryetari i Organizatës së Veteranëve,  dega në Podujevë, z.Fahri Bala, ndërsa në emër të familjes falënderoi për pjesëmarrje në ceremoni vajza e të ndjerit, Sara Bajraktari.

Besimi ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës  Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe që nga themelimi i Forcës së  Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit.

Besimi u  nda nga jeta me 17 janar 2022, pas një sëmundje të rëndë,  duke lënë pas vetës bashkëshorten dhe tri vajza.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat