Peci: Rahoveci, kryeqytet i bujqësisë për Kosovën

Kosova

Peci: Rahoveci, kryeqytet i bujqësisë për Kosovën

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 20:03
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në hapjen zyrtare të Festës së Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest 2022” i cili filloi sot dhe do të zgjasë deri me datë 4 shtator. 

Ky festival, i cili organizohet nga viti 2001, ndërsa për arsye të situatës pandemike nuk është organizuar përgjatë dy viteve të fundit, ka për qëllim promovimin e sektorit të vreshtarisë dhe verëtarisë në rajonin e Rahovecit, si dhe turizmin rural në Kosovë.

Ministri Faton Peci në fjalën e tij hyrëse, Rahovecin e quajti Kryeqytet të Bujqësisë për Kosovën dhe shtoi se që nga marrja e detyrës si Ministër i Bujqësisë, Rahoveci ka qenë komuna të cilën më ka rastisë ta vizitoj më së shpeshti. Ai ndër tjerash tha se “banorët e kësaj zone shquhen për nga zellshmëria dhe dashuria që kanë për tokën e vreshtat, prandaj edhe sektori i verëtarisë është një ndër shembujt e suksesit. Verërat tona janë aq cilësore sa me lehtësi i gjen në dyqanet e restorante anë e mbanë vendeve të rajonit, Bashkimit Evropian e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Gjithashtu, ministri Peci tha se qëllimi i tij si Ministër i Bujqësisë është që përveç hartimit të politikave që zhvillojnë sektorin e bujqësisë, njëherësh edhe të promovoj prodhimet vendore, punën e palodhshme të bujqve, vreshtarëve e verëtarëve vendorë. “Në çdo vizitë zyrtare përkujdesem që homologëve të mi dhe të gjithë mysafirëve t’ua prezantoj sa më mirë verërat tona e njëherësh edhe t’ua dhuroj ato, si simbol i suksesit që zanafillën e ka nga toka jonë e vogël por e begatë”, tha në fjalën e tij ministri Peci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat