​Homazhe në 33-vjetorin rënies së Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë

Kosova

​Homazhe në 33-vjetorin rënies së Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 13:30
Ilustrim

Me rastin e 33-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, zyrtarë institucionesh, bashkëluftarë e familjarë kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

Homazhe bëri Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin shembulli më kuptimplot i cili frymëzoi edhe brezat që erdhën pas.

Konjufca: Erdhëm për të bërë nderime për heronjtë tanë

"Erdhëm për t'i bërë nderimet për heronjtë tanë, të cilët këtu e 33 vite më parë e dhanë shembullin më të vyer se si jepet jeta për lirinë e atdheut. Sepse ata me pushkë në dorë i luftuan forcat e okupatorit dhe ranë heroikisht në krye te detyrës. Kjo është edhe arsyeja që do t'i nderojmë dhe kujtojmë gjithmonë, sepse ishin shembulli më kuptim plotë i cili frymëzoi pastaj edhe brezat që erdhen më pas...Mijëra djem e vajza në vitin 1998/99-të u bashkuan në UÇK-në, duke përjetësuar shembullin e Afrimit dhe të Fahriut se si me pushkë në dorë duhet t'i dilet përpara okupatorit dhe nëse është nevoja të jepet jeta e të sakrifikohet ajo për lirinë e popullit tonë dhe të brezave të ardhshëm. Kështu sa të ketë gjallë populli shqiptar do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë", tha Konjufca.

Kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas homazheve tha se këta heronj do t'i nderojnë çdo herë.

Haradinaj: Përulemi me respekt

"Jemi në nderim të heronjeve, Afrim Zhitija dhe Fahri Fazliu, janë pishtarë të lirisë, ata që ndriquan rrugën për liri shumë luftarëve të zotë e të mendimtarëve. Përulemi me respekt", tha Haradinaj.

Me rastin e 33-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, edhe motra e heronit Zhitia, Sadetja e ka kujtuar si një njëri qe e ka dashur gjithnjë lirinë dhe barazinë në vend.

Zhitija: Vëllain tim e kujtoj si një çun që e ka dashur shumë lirinë

"Vëllaun tim e kujtoj si një çun që e ka dashur lirinë shumë dhe liria për të nuk e ka pasur dimensionin vetëm lirinë kundër pushtuesit, por ka qenë një njeri që e ka dashur lirinë e të menduarit, vepruarit e barazinë gjinore dhe ka qenë një njëri përparimtar që asnjëherë sikur të kishte pasur mundësi nuk e kish marrë armën në dorë...Një njeri që e ka dashtë përparimin dhe emancipimin e vendit, por për t'i arritur zhvillimet e vendit ai e ka pasur si kusht për domosdoshmëri krijimin e një shteti të forte institucional, i cili do të na ndihmonte që t'i realizonim këto ide të tij të cilat ishin për barazi", tha Zhitija.

Zhitija për KosovaPress ka rrëfyer edhe momentin e fundit me vëllain.

Zhitija: Momentin e fundit me të e kam pasur pikërisht këtu ku pushojnë eshtrat e tij.

"Momentin e fundit me të e kam pasur pikërisht këtu ku pushojnë eshtrat e tij. Kur jemi ndrë për herë të fundit, porosia e tij ka qenë që kurrë të mos e ulim kokën dhe sidomos unë si vajzë të jem një shembull i mirë për motrat e atyre që do të bien për luftën për liri, dhe të jem një shembull i mirë për gruan shqiptare në emancipimin dhe kërkimin e barazisë, ky është momenti më i bukur", ka rrëfyer Zhitija.

Vëllai i heroit Fahri Fazliu, Fadili ka falënderuar të gjithë ata që morrën pjesë në homazhe me rastin e 33-vjetorit të dy heronjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat