Nis ç’kyçja e konsumatorëve borxhlinj të ujësjellësit “Prishtina”

Kosova

Nis ç’kyçja e konsumatorëve borxhlinj të ujësjellësit “Prishtina”

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 10:37
Ilustrim

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka filluar me shkyçje të konsumatorëve borxhlinj. Fillimisht të listuara janë bizneset, për të filluar më pas edhe me sektorin e amvisërisë, ka thënë për Radio Kosovën zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Disa biznese në kryeqytet tashmë janë ç’kyçur nga rrjeti i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, pasi që një kohë të gjatë, nuk i kanë paguar shërbimet e ujit. Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha për Radio Kosovën se kompania do të jetë e pakompromis kundrejt të gjithë konsumatorëve borxhlinj, ndërsa aksioni do të vazhdojë deri në fund të vitit në biznese e institucione.

 “Ne jemi duke aplikuar edhe ç’kyçje individuale nga sistemi i rrjetit të Ujësjellësit, të bizneseve afariste të cilët kanë borxhe të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Këtë aksion do e vazhdojmë deri me 30 dhjetor 2022, për të shikuar mundësinë që me këtë aksion të vazhdojmë edhe në vitin 2023, në zonat e tjera me fokus aty ku borxhet më të mëdha janë ndaj shërbimeve të ujësjellësit”, tha Mjeku.  

Zëdhënësja Mjeku bëri të ditur se tashmë kanë marrë vendimin ligjor që ç’kyçja që fillojë edhe në sektorin e amvisërisë, ku 80 për qind e tyre e shfrytëzojnë ujin e Ujësjellësit “Prishtina”, e që borxhi i tyre është rreth 40 milionë euro.

 “Ne shumë shpejt do të fillojmë me ç’kyçje edhe të sektori të amvisërisë, pasi një gjë e tillë na ka hapur rrugët ligjore. Kemi marr vendimin që me kalimin e pandemisë, duke ditur që situata epidemiologjike është në nivel për momentin, ne tashmë do të fillojmë me ç’kyçje edhe në sektorin e amvisërisë, kur dihet se 80 për qind të ujit shpenzohet nga amvisëria dhe borxhi më i madh është nga sektori i amvisërisë, por duke mos përjashtuar bizneset e mëdha dhe të vogla”, u shpreh ajo.

Borxhi që kanë qytetarët dhe bizneset ndaj Ujësjellësit “Prishtina”, sipas kompanisë, është më shumë se 45 milionë euro, tha Mjeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat