​“Frutex” zgjeroi tregun, së shpejti fabrika ku do të punësohen personat me aftësi të veçanta

Kosova

​“Frutex” zgjeroi tregun, së shpejti fabrika ku do të punësohen personat me aftësi të veçanta

Më: 5 janar 2023 Në ora: 16:24
​“Frutex”

Ashtu sikurse për të gjitha bizneset, edhe për kompaninë “Frutex” viti që shkoi ishte sfidues. Rritja e kostos së transportit, por edhe mungesa e lëndës së parë që u tejkalua falë planifikimit të mirë, ishin disa prej tyre. Mirëpo në këtë kompani nuk munguan as sukseset. Produktet e kësaj kompanie tashmë kanë mbërritur edhe në Australi, Indi, Greqi dhe në Gabon të Afrikës. Sa i përket mbështetjes institucionale, në këtë kompani thonë se subvencionimi i eksportit apo investimeve do të ishte i mirëseardhur.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” në kuadër të së cilës bëhet prodhimi i pijeve të frutave “Relax” dhe “Golden Eagle Energy” bëri të ditur për KosovaPress se më së largu gjatë muajit shkurt do të hapet fabrika e ambalazhit të letrës në të cilën do të punësohen vetëm personat me nevoja të veçanta.

Palushi thekson edhe një nga sukseset më të mëdha gjatë vitit 2022, siç është rritja e eksportit në tregje të reja.

Palushi: Brenda vitit 2023 do të fillojmë tri fabrika të reja

“Pavarësisht që ka qenë një prej viteve më sfiduese, në anën tjetër ka qenë edhe një prej viteve që kompania jonë ka bërë investimet më të mëdha dhe presim që brenda vitit 2023 të fillojmë tri fabrika të reja, dhe natyrisht se kjo do ta prekë përkrahjen prej anës së qeverisë, përkatësisht subvencionimin e kredisë... Ndër sukseset e tjera kishte me qenë rritja e eksportit dhe gjetja e tregjeve të reja, si këtë vit kemi filluar të eksportojmë për herë të parë në Australi, Indi, Greqi dhe në Gabon të Afrikës. Po ashtu një nga sukseset më të mëdha është përfundimi i një investimi që ka të bëjë me fabrikën e prodhimit të ambalazhit të letrës në të cilën do të punësohen vetëm personat me nevoja të veçanta, dhe ky projekt është para përfundimit dhe presim gjatë muajit janar apo shkurt të fillojnë me punën”, theksoi Palushi.

Palushi ka renditur edhe disa nga sfidat që janë ballafaquar gjatë vitit 2022.

Palushi: Për import kanë qenë vështirësitë e shkaktuara nga kriza globale

“Për import kanë qenë vështirësitë e shkaktuara nga kriza globale, sidomos për një pjesë e cila importohet nga Kina e largët ka qenë dhjetëfishimi i kostos së transportit, kurse problemet e tjera kanë qenë mungesa në vazhdimësi për lëndë të parë. Por, ne jemi prej kompanive që shumë herë bëjmë planifikimin dhe nuk kemi pas probleme të theksuara sepse në kompaninë tonë lënda parë gjithmonë është e siguruar disa muaj paraprakisht dhe kjo ka bëre që ne të kemi në vazhdimësi prodhim. Kurse në eksport, pavarësisht se kemi pas një rritje prej 20 për qind, ne jemi të pakënaqur, duke pas parasysh mundësitë që ekzistojnë për të plasuar produktet dhe duke marrë parasysh në njërën anë numrin e madh e diasporës shqiptare nëpër Evropë dhe kudo ne botë, por edhe anën tjetër interesimin e shumë bizneseve kudo në botë për produktet e kompanisë sonë”, shton Palushi.

Duke folur për sfidat, Palushi konsideron se mbështetja e qeverisë për bizneset e tilla duhet të jetë më e madhe.

Palushi: Mungojnë mbështetjet tjera nga qeveria të cilat i kanë bizneset në vendet në rajon

“Taksat që paguhen nga ana e bizneseve nuk janë të larta, janë në nivelin më të ulët por në anën tjetër mungojnë mbështetjet e tjera të cilat i kanë bizneset në vendet në rajon, sidomos mbështetjen për të cilën më së shumti kemi nevojë ne si kompani e orientuar në eksport është subvencionimi i eksportit por edhe subvencionimi i investimeve duke na mundësuar që së paku 10 për qind të vlerës së eksportuar apo vlerës së investimeve të subvencionet nga qeveria dhe kjo do të stimulonte që ne të gjithë profitin e kompanisë ta orientonim në investime dhe në eksport”, tha mes tjerash Palushi.

Sa i përket stafit, Palushi tha se nuk kanë probleme të theksuara, derisa shton se si kompani kanë pagat më të larta në komunën e Suharekës për punëtorë.

Palushi: Numri i atyre që kërkojnë të punësohen në kompani është shumë i lartë

“Sa i përket stafit, sidomos tek kualifikimet e larta ka probleme të vazhdueshme, por meqenëse kemi mbi 20 vite përvojë brenda kompanisë janë krijuar ekspertë por edhe kohë pas kohe kemi nevojë për intervenime nga jashtë, gjithsesi nuk kemi pas probleme të theksuara. Ka lëvizje të vogël të stafit në drejtim të daljes jashtë shtetit por sërish numri i atyre që kërkojnë të punësohen në kompaninë tonë është shumë më i lartë, kjo për shkak se pagat në kompaninë tonë janë më të larta në komunën e Suharekës, ndoshta mbi mesataren e tyre në Kosovë”, tha Palushi.

Në fund, Palushi me shpresën se viti 2023 do jetë më i suksesshëm, vlerëson se nevojitetet fuqizim i bizneseve në tregun ndërkombëtar.

Palushi: Mendoj se viti që po vjen të jetë më i lehtë se ky vit

“Ne pavarësisht problemeve mendoj se viti që po vjen të jetë më i lehtë se ky vit, sepse paralajmërimet janë se do të ketë një ulje të çmimeve të furnizimeve por në anën tjetër edhe pandemia pothuajse po ia japim lamtumirën, dhe kështu do të kemi mundësi të lëvizim më shumë dhe më lirë nëpër tregun ndërkombëtar dhe presim që të fuqizohemi në tregun ndërkombëtar, sepse shumë pak jemi prezent, pavarësisht se jemi ndër kompanitë që kemi eksport më së shumti, përkatësisht në 30 vende, sërish mendoj se mund të dhjetëfishohet vlera e eksportit”, tha Palushi.

Kujtojmë se “Frutex” është kompani e cila u themelua në vitin 1994. Pas vitit 1999 fabrika ndërron lokacionin e punës, si dhe pajiset me një teknologji më moderne për punë, duke ngritur kështu numrin e punëtorëve dhe duke rritur ndjeshëm cilësinë e prodhimit. Në pjesën e parë të vitit 2006, “Frutex” filloi prodhimin e një pije të re energjike me emrin Golden Eagle.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat