Ballazhi: Po e funksionalizojmë fabrikën që zgjidh problemin e ujit në Han të Elezit

Kosova

Ballazhi: Po e funksionalizojmë fabrikën që zgjidh problemin e ujit në Han të Elezit

Më: 1 prill 2023 Në ora: 07:15
Mehmet Ballazhi

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tha se janë duke e zgjidhur problemin e ujit të pijshëm.

Ballazhi në emisionin “Info Nata” ka bërë të ditur se sot kanë filluar punën me testimin për të funksionalizuar fabrikën, e cila zgjedh problemin e ujit.

“E kam listuar si një ndër prioritetet mbi prioritetet tjera çështjen e zgjidhjes së problemit të ujit. Është ndërtuar një fabrikë para 12-13 vitesh, prandaj ne po e funksionalizojmë atë fabrikë. Fatmirësisht ka rastisë që sot të jetë dita që kanë filluar ata me provu me funksionalizu fabrikën. Është lajm i mirë, ne që nga viti i kaluar e kem premtimin nga punëkryesi se fabrika do të bëhet për vitin e kaluar në prill më kanë thënë. Unë ju pata thënë në qershor, ju dhashë afat një muaj apo dy. Pastaj, ajo neglizhenca burokratike siç e kemi zakon ne me i zvarrit edhe ka ardh deri këtu ku janë paraqit edhe disa punë të cilat nuk janë kryer nga ish-qeverisja”, deklaroi Ballazhi.

I pari i Komunës Hanit të Elezit tha se pritet që ndërmarrja “Bifurkacioni” ta marrë në menaxhim problemin e ujit.

“Ne kemi marrë iniciativa i kemi kryer të gjitha këto, me trafo me ndërrimin e shtyllave, të gjitha pjesët tjera përcjellëse, vendosjen e matëse, sepse aty është edhe problemi i menaxhimit të ujit që na tash po presin Bifurkacionin me marrë në menaxhim dhe po shpresoj që ka me shkua mirë”, shtoi ai.

Ndërsa, për ndotjen e ajrit që shkaktohet nga fabrika e çimentos, Ballazi tha se janë duke u munduar që të ketë ndotje të nivelit të ulët, pasi që sipas tij ndotje do të ketë përderisa ekziston fabrika.

“Nuk them që nuk ka ndotje, por ne jemi në bashkëpunim shumë të mirë me menaxhmentin, dhe po mundohemi gjithmonë që të ulim këtë ndotje duke ndërruar filtrat ose materialet që janë jashtë në hapësirë të mbulohen. Ka qenë edhe Inspektorati janë dhënë këshillat, rekomandimet se çfarë duhet të bëhet për me ulë ndotjen. Ideja është se ndotja e ambientit si të jetë nën parametrat e lejuara të ndotjes së ajrit. Edhe pse ndotje kish me qenë mirë mos me pas fare, por fabrika është e nevojshme dhe duhet të funksionojë, por gjithmonë në menaxhim të asaj që mos të ketë ndotje mbi parametrat e lejuara”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat