Pensionistët e Prishtinës pritet të kenë një pushimore në Banjë të Istogut

Kosova

Pensionistët e Prishtinës pritet të kenë një pushimore në Banjë të Istogut

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 07:53
Ilustrim

Ky objekt i cili ndodhet në Banjë të Istogut është në pronësi të Pensionistëve të Prishtinës, e që nuk është funksional që nga viti 2005, andaj edhe po renovohet e po bëhet gati që të shfrytëzohet nga shumë pensionistë.

Sipas gjitha gjasave, ajo do të jetë në shërbim të tyre pas muajit gusht.

“Kemi pasur ngecje në këtë process që nga viti i kaluar, meqë ishin rrethanat e ndryshme si shtrenjëtimi i çmimeve dhe në përgjithësi, andaj sigurisht e preku edhe këtë projekt, tani më jemi në një dinamikë të shtuar punimet veçse kanë filluar, kjo pushimore do të ketë një kosto rreth 60 mijë euro, me standard më të larta dhe do të plotësohen të gjitha nevojat e pensionerëve tanë, më pas edhe inventarizimi e kap një shifër goxha të lartë rreth 40 mijë euro ku do të ketë shtretër, tavolina, karrige dhe të gjitha sipas specifikave dhe kërkesave për pensionerët tanë”, bëri të ditur Adelinë Sahiti, Drejtoreshë e Mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, nga shoqata e pensionistëve të Prishtinës thonë se këtë pushimore e kanë trashëguar qysh para lufte.

“Pushimoren e kemi trashëgu para lufte aty kanë qenë dy ndërtesa ku kanë banu oficerë kroat dhe kur kanë dalë në pension ua kanë dhanë pensionistëve me një qmim të kushtueshëm, dmth pensionistëve të Prishtinës, njëri objekt u rrëzu se u vjetru prej vetveti, njëri o ma i fortë e atë janë duke e renovar”, deklaroi sekretari i Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, Asllan Asllani.

Tutje, sekretari i kësaj shoqate, Asllan Asllani tregon se si do vijoj procesi për akomodime në pushimore.

“E kanë marrë përsipër komuna, më pas kur ta renovojnë krejt na e dorëzojnë neve më pas ne kemi e lëmë një përson që e merr me shfrytëzu dhe me e pagu qiranë kështu ka qenë përpara… ne i kemi organet këtu kryesinë, i qesim kryesinë dhe i shqyrtojmë ofertat se kush po ofron kushte më të mira”, shtoi ai.

Ndryshe, komuna e Prishtinës gjatë viteve të fundit ka hapur katër qendra për qëndrim ditor për të moshuarit në disa lagje të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat