Rritet numri i fëmijëve lëmoshëkërkues

Kosova

Rritet numri i fëmijëve lëmoshëkërkues

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Numri i fëmijët lëmoshëkërkues vazhdon të rritet nga viti në vit. Qendra Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge vetëm këtë vit ka identifikuar mbi 100 fëmijë lëmoshëkërkues në rrugët e Prishtinës. Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës ankohen për mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim nga komunat e tjera, derisa thonë se barra e përgjegjësisë po u mbetet vetëm atyre.

Fëmijët lëmoshëkërkues qëndrojnë me orë të tëra në rrugët e Prishtinës, për t’i pastruar xhamat e veturave, në këmbim të lëmoshës. E numri i tyre vazhdon të jetë i lartë.

“Ky numër varion nga periudha të ndryshme kohore, për shembull kur është koha e festave, numri është më i rritur, kur është koha e reshjeve, kushteve të rënda atmosferike atëherë numri bie”, thotë Egzona Gashi, koordinatore e Qendrës Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge.

Sipas Gashit, numri më i lartë i fëmijëve lëmoshëkërkues ka qenë vitin e kaluar.

“Vlen të theksohet se vetëm vitin e kaluar, e kemi pasur një numër prej 200 fëmijëve”, tha ajo.

Përveç numrit, problematikë në vete përbën fakti se këta fëmijë vijnë edhe nga qytetet e tjera.

“Këta fëmijë vijnë kryesisht nga qytetet përreth të kryeqytetit, e kryesisht numri më i madh i tyre është nga Fushë Kosova”, thotë Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës.

Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës ka edhe ankesa.

“Shfrytëzoj rastin që të ftojë Komunën e Fushë-Kosovës që të jetë më bashkëpunuese, që të jemi bashkë në këtë rrugë dhe që të shohim punë sepse barrën dhe përgjegjësinë po e marrim vetëm ne si kryeqytet”, tha ajo.

RTK ka provuar të kontaktojë me Drejtorinë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Fushë-Kosovës për ankesat e drejtuara nga Komuna e Prishtinës për mungesën e bashkëpunimit, por ata nuk janë përgjigjur.

Përveç lëvizjes nga komunat e tjera, shqetësues është fakti se këta fëmijë shpesh bien pre e keqtrajtimeve dhe abuzimeve, çka edhe dëshmohet në të dhënat e Policisë.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, 32 raste janë iniciuar këtë vit për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve, me gjithsej 34 të dyshuar, ndërkaq një ka qenë viktimë e trafikimit, forma e shfrytëzimit për kërkim lëmoshe.

Ndërsa vitin e kaluar, janë iniciuar 44 raste për keqtrajtim apo braktisje të fëmijës, me gjithsej 53 të dyshuar.

Megjithatë, zyrtarë nga Policia theksojnë se vazhdimisht janë duke trajtuar dukurinë e lëmoshëkërkuesve dhe se janë duke organizuar plane operative për mbrojtjen e tyre dhe referimin në institucione përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat