Vazhdon ‘Goditja’, plot të rinj kapen nga Policia me substanca narkotike – futen në telashe

Kosova

Vazhdon ‘Goditja’, plot të rinj kapen nga Policia me substanca narkotike – futen në telashe

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 08:33
Policia e Kosovës

Pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka hartuar dhe ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë dhe operacioni po vazhdon në gjithë vendin. Sinjali vazhdimisht ka raportuar për kapjen e personave me armë ilegale e gjësende tjera të kundërligjshme.

Gjatë vikendit, por edhe dje, mësohet se kanë vazhduar kontrollet në pika të ndryshme në të gjitha qytetet, me ç’rast edhe janë konfiskuar armë e substanca narkotike.

Njëri nga këto raste u zbulua në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet thonë pas kontrollit, te dy të dyshuarit, një vajzë 18-vjeçare dhe një 28-vjeçar, Policia ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit marihuanë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ata do të hetohen për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndërsa një i dyshuar tjetër u kap në Brezovicë, teksa Policia po zbatonte planin “Goditja”, me ç’rast pas kontrollit policor i gjetën një sasi të kokainës, si dhe marihuanë.

Droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është dërguar në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin dhe më pas ndaj tij është iniciuar rasti, me vendim të Prokurorit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat