Prokuroria po heton vdekjen e foshnjës që lindi në shtëpi

Kosova

Prokuroria po heton vdekjen e foshnjës që lindi në shtëpi

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 00:31
Ilustrim

Jetonte fare pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Prishtinë, por një nënë procesin e lindjes e kreu në banesën e saj një ditë më parë.

Ndonëse nuk dihen shkaqet pse lindja u bë në ambiente banimi, televizioni mëson se foshnja lindi në muajin e tetë nga gruaja rreth 30-vjeçare, shtetase e Kosovës.

Ajo kërkoi ndihmë në Klinikën e Neonatologjisë rreth orës 22:00 të mbrëmjes.

Ashtu siç kanë njoftuar nga kjo klinikë, foshnja e gjinisë mashkullore ishte pranuar në gjendje të rëndë, derisa përkundër përpjekjeve të ekipit, foshnja ka vdekur gjatë orëve të para të së martës.

“Në pranim foshnja ka qenë në gjendje të rëndë, e zbehtë, pa frymëmarrje spontane, pa tone të zemrës, me kordon umbilikal të pa përpunuar profesionalisht! Foshnja reanimohet, intubohet, ventilohet dhe bëhen masazhe kardiake dhe vendoset ne ventilim mekanik. Gjendja klinike e foshnjes ka qene shumë e rëndë, po ashtu edhe analizat laboratorike kane indikuar gjendje të rëndë”, ka thënë Hajrije Ismaili, drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë.

Derisa trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar për obduksion, nëna vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Për rastin në fjalë, tanimë kanë nisur hetimet.

“I njëjti ka autorizuar Policinë që të fillojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si ka ardhur deri te rasti. Rasti është duke u trajtuar si hetim mbi vdekjen dhe aktualisht po ndërmerren hetime”, ka thën Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Rasti është duke u trajtuar nga departamenti i krimeve të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat