20 studente përfundojnë programin për inxhinieri, Osmani: Të krijojmë mjedis për të gjitha vajzat

Kosova

20 studente përfundojnë programin për inxhinieri, Osmani: Të krijojmë mjedis për të gjitha vajzat

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 12:53
Foto nga vendi i ngjarjes

20 studentë kanë përfunduar me sukses programin Global Engineer Girls, ngjarje në fushën e arsimit dhe zhvillimit profesional të vajzave të reja inxhiniere. Ngjarje kjo e cila u vlerësua si arritje e veçantë për vendin.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përgëzuar studentet për arritjet e tyre në këtë drejtim.

"I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla të cilat në qendër kanë gratë e vajzat e reja dhe sukseset e tyre. Programet janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin vajzat dhe gratë që kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e inxhinierisë. Fushat STEM kanë inspiruar përherë inovacionin, duke i dhënë formë botës ku jetojmë. Është inkurajuese që numri i studentëve në fushat STEM vazhdon të jetë në rritje. Është e domosdoshme të punojmë se bashku në zvogëlimin e hendekut. Këto vajza të reja janë shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë, sukseset e të cilave nuk njohin kufij. Është detyrë e jona të krijojmë një mjedis ku çdo vajzë lirshëm e pa hezitim mund të thotë unë dua, unë mund dhe do të arrijë", tha Osmani.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angilo tha se Kosova është një ndër shembujt më të mirë që mund të marrin vendet e Evropës për punën e grave dhe barazinë gjinore në vend.

Drejtuesja e grupit, Limak, Ebru Ozdemir vlerësoi se kjo arritje është moment i veçantë për Kosovën, pasi 20 studente kanë arritur të lënë shenjë në fushën e inxhinerisë, që është fushë shumë e rëndësishme.

Se këto ngjarje janë dëshmia më e mirë për të kuptuar suksesin dhe kontributin e vajzave dhe grave, e tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ndryshe, kjo ngjarje u përmbyll me një pikë artisitke nga tenori me famë botërore, Ramë Lahaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat