​Vullnetarët që punojnë kundër shkeljes së të drejtave të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian

Kosova

​Vullnetarët që punojnë kundër shkeljes së të drejtave të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian

Më: 28 tetor 2023 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Dhuna në familje dhe shkelja e të drejtave të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian po nxit të rinjtë në vend për aktivizëm. Vet ata të cilët i përkasin këtyre tri komuniteteve, përmes zërit të tyre po angazhohen që këto fenomene të zhduken. Ani pse dikur të diskriminuar në shkollë, e në shoqëri, të rejat nga Kosova, kanë vendosur që përmes punës vullnetare të punojnë kundër shkeljes së të drejtave të grave që i përkasin komuniteteve.

Mergita Hoti, është zyrtare për barazi gjinore në organizatën “Roma in Action”, në Gjakovë. Për nëntë vjet ajo punon që gratë e komuniteteve të jenë të barabarta.

Hoti: Kam filluar aktivizmin nëntë vjet më parë

“Kur kam filluar të marrë pjesë në organizatën “Roma in Action”, si vullnetare ose si pjesë e organizatës, ka qenë diku rreth vitit 2014, 2015 ku tash bëhen gati nëntë vjet, pjesë që jam pjesë e organizatës. Kam filluar me arsyen që me qenë pjesë përkrahëse të pjesëtarëve të komuniteteve në përgjithësi, të tri komuniteteve, rom, ashkalinj dhe egjiptian. Pavarësisht që organizata lidhet më shumë komunitetin rom, ne jemi për të trija komunitetet....Kemi pasur rreth tri projekte të cilat kanë pasur të bëjnë me barazi gjinore që kemi pasur të ftuar akterët kryesor, të cilët kanë ligjëruar për gratë e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian se çka është barazia gjinore dhe si duhet të luftojnë për të drejtat e tyre si gra...Në krahasim me vitet e kaluara është numri më i kënaqur, besimi i vajzave në përgjithësi. Por tek komunitetet është e cekur që është përmirësuar dukshëm”, tregon ajo.

Së fundmi po angazhohet edhe në kuadër të “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, ku tregon se në takime do të përfshihen gratë e komuniteteve.

Hoti: Do të organizojmë aktivitete me gratë e komuniteteve

“Tash këto ditë jemi në përgatitje të projektit, i cili është për 16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore, ku do të bëjmë disa aktivitete me gratë e komuniteteve në përgjithësi. Do të mbahen dy takime të ndryshme nëpër lagjet e grave të komuniteteve, ku do të jenë edhe akterët kryesor, të cilët do të iu shpjegojnë se çka është barazia gjinore... Gjithashtu, do të mbajmë një tryezë të rrumbullakët ku do të jenë të ftuar persona të ndryshëm por edhe pjesëtarë të Komunës së Gjakovës, ku do t’i informojnë edhe më shumë vajzat e komuniteteve se si duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe çdo gjë që është në të mirën e tyre si pjesë e komuniteteve”, shton ajo.

Dëshira e saj dhe për çka ajo çdo ditë ngrit zërin është që edhe të rejat tjera të gëzojnë të drejtat e tyre.

Hoti: Kam dëshirë që të shoh vajzat e komuniteteve duke arritur në jetë

“Kam dëshirë dhe kam nevojë të shoh vajzat e komuniteteve duke mbërrirë më shumë se sa duhet dhe për të mbërrirë qëllimin e tyre në jetë. Përndryshe luftoni për të drejtat e juaja dhe luftoni për atë që ju e doni, sepse të gjithë mund t’ia dalim. Jo vetëm komunitetet e tjera por edhe ne komunitetet që jemi rom, ashkalinj dhe egjiptian”, thekson ajo.

Tri vjet më parë, Shyret Hoxhaj filloi të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kundër dhunës në familje. Aktivistja nga Prizreni, e cila është pjesë e organizatës “Durmish Aslano”, thotë se gjithmonë angazhohet për një jetë më të mirë të moshatarëve të saj.

Hoxhaj: Unë avokojë për të drejtat e komuniteteve

“Unë i jam bashkuar shoqërisë civile apo organizatave jo-qeveritare në Prizren që nga viti 2020, përmes 16 ditëve kundër dhunës. Aty kam filluar me mbajtjen e sesionit, mbajtjen e trajnimeve dhe kështu deri tash më 2023, kam marrë pjesë në shumë organizata të Komunës së Prizrenit. Kam avokuar për të drejtat e të rinjve, për të drejtat e vajzave dhe grave. Veçanërisht kam avokuar edhe për të drejtat e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian. Që nga fillimi, kam qenë pjesë e organizatave jo-qeveritare shqiptare, por më pas jam bashkuar edhe organizatave jo-qeveritare rome”, shprehet ajo.

Aktivistja më e dalluar në Prizren gjatë vitit të kaluar, Shyret Hoxhaj, e cila edhe vet është pjesëtare e komunitetit rom, ka hasur në paragjykime në rrugë, shkollë e kudo.

Hoxhaj: Si vajzë e re kam hasur në paragjykime në shkollë

“Prej moti kanë qenë nxitjet për të ndryshuar Prizrenin, qoftë edhe Kosovën për çfarë do që është e mirë. Qoftë për të drejtat e grave, apo të drejtat e rinjve për të avokuar dhe për të arritur një standard të jetës më të mirë në Kosovë... Paragjykime apo sfida si vullnetare nuk kam pasur, por ndoshta me paragjykimet, kështu si komunitet rom, si vajzë e re, kam hasur në shkolla apo edhe në rrugë.... Organizatat në Prizren kanë gjithmonë një hapësirë që iu ofrojnë vajzave të komunitet rom, apo gjithë vajzave të komuniteteve. Organizatat gjithmonë kanë qenë të hapura dhe kanë pranuar aktiviste, vetëm mjafton për ta pasur vullnetin e lirë”, tha ajo.

Ani pse të rinjtë janë të gatshëm për punë vullnetare, ajo thotë se të njëjtit nuk po motivohen për të bërë një gjë të tillë.

Hoxhaj: Vullnetarizmi po zbehet vit pas viti

“Nëse shohim vullnetarizmin në Kosovë, e shohim që zbehet vite pas vitesh. Kjo për shkak se vullnetarët nuk e kuptojnë edhe nocionin e saktë se çfarë do të thotë puna vullnetare. Mirëpo, edhe është puna që nuk e shohin motivin e tyre për shkak se nuk marrin diçka përfitime qoftë me mjete financiare apo diçka tjetër. Kemi parashtruar edhe kërkesa ndaj komunës që të ketë kartë që identifikohet si vullnetar i Prizrenit. Por për shkak të ndryshimeve që duhet të bëjë ministria për t’i pranuar këto kushte, nuk është realizuar deri më tani”, përfundon ajo.

Tash e 15 vjet edhe organizata “Sakuntala”, po fokusohet në aktivitete për të rinjtë e komuniteteve, thotë Indira Elshani.

Elshani: Qëllimi i aktiviteteve me të rinjtë ka qenë vullnetarizmi

“Qëllimi i aktiviteteve me të rinjtë ka qenë vullnetarizmi, pastaj është fusha e edukimit që ne zakonisht te komuniteteve jo-pakicë ju japim prioritet. Pastaj kanë qenë projektet që kanë pasur të bëjnë me të drejtat e njeriut, fokus për të drejtat e komuniteteve jo-pakicë, me qëllim të parandalimit apo zbritjes së paragjykimeve dhe stereotipave... Ne kemi rastet të cilat kanë ndodhur dhe jemi ata të cilët mundohemi t’i zbusim këto fenomenet”, përfundon ajo.

Teksa përmend rastet e diskriminimeve që po ju bëhen të rinjve në shkollë, kafiteri e në vende të tjera, ajo thotë se punojnë që asnjë rast i vetëm të mos përsëritet.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat