​Nazmi Llapashtica, një jetë në shërbim të atdheut dhe lirisë

Kosova

​Nazmi Llapashtica, një jetë në shërbim të atdheut dhe lirisë

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 20:26
Ilustrim

Veprimtari atdhetar, i burgosuri politikë dhe luftëtarit i lirisë, Nazmi Llapashtica, ishte bërë shembull se si duhet dashur dhe punuar për atdheun, shembull ky për t’u ndjekur nga brezat e rinj.

Kështu u tha me rastin e pesë vjetorit të ndarjes nga jeta e Nazmiut, ku edhe janë organizuar homazhe në vendlindjen e tij, në fshatin Dyz të Komunës së Podujevës.

Kryetari i Shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Bislimi ka thënë se gjyshin e Nazmiut dhe gati të gjithë familjen e kishte vrarë e masakruar Serbia në vitin 1941 por nga kjo masakër kishte shpëtuar vetëm i ati i Nazmiut, Hajrullahu.

“Nazmiu ishte i njohur dhe bashkëvepronte me atdhetarin Ahmert Haxhiun dhe përmes tij edhe me Adem Demaçin që nga fillimi i viteve 70-ta. Në këtë kohë organizohet celula ilegale. Kurse, në Dyz ishte krijuar një treshe, Mustaf Llapashtica-dëshmor, Sabri e Ukë Llapashtica. Kjo veprimtari bëhej në bashkëpunim të ngushtë me Ahmet Hazirin e të tjerë. Baca Nazmi me këta bashkëveprimtar ishte edhe pjesë e organizimit të demonstratave të vitit 1081 në Besjanë. Në këtë demonstratë, ata ishin prapavija e armatosur e saj. Në vitet e 80 ai zgjeron rrjetin e njerëzve të grupeve ilegale”, tha ai.

Sipas tij, armët që siguroheshin nga LPK-ja u strehonin në bunkerët në Dyz dhe pastaj ua jepnin shokëve më të besueshëm të organizatës.

“Një nga këto armë iu kishte dërguar edhe familjes Jashari në Prekaz. Ai strehoi edhe drejtuesit e LPK-së, derisa e ka kryer edhe aksionin e vendosjes së flamujve nga rruga e Podujevës deri në Prishtinë, derisa në vitin 1992, në shtëpinë e tij është mbajtur një mbledhje e rëndësishme e LPK-së”, tha ai, duke thënë se Nazmiu ishte bërë shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinj.

Homazhet u organizuan nga Shoqëria Lëvizja dhe Shoqata e të burgosurve politikë. Ndërsa, më pas në shtëpinë e familjes Llapashtica-bazë e LPK-UÇK-së, në fshatin Dyz, u organizua një takim përkujtimor për bashkëveprimtarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat