Gjobitet me 800 euro njëri avokat pasi mungoi në seancë, dështon për të gjashtën herë gjykimi për fajde

Kosova

Gjobitet me 800 euro njëri avokat pasi mungoi në seancë, dështon për të gjashtën herë gjykimi për fajde

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar gjobë prej 800 euro mbrojtësit të të akuzuarit Remzi Jahiri, avokatit Fanol Krasniqi pasi mungoi në seancën e së martës, duke bërë që ky gjykim të dështojë për të gjashtën herë gjykimi për fajde.

Në këtë rast, Remzi Jahiri po akuzohet për fajde, ndërsa Hilmi Dudi për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas procesverbalit të seancës së të martës, avokatit Krasniqi i shqiptohet gjobë prej 800 euro për mosparaqitje në gjykim dhe mosarsyetim të mungesës.

“Konform dispozitave ligjore nga neni 304 paragrafi 2 av.Fanol Krasniqi i shqiptohet dënim me gjobë për mos paraqitje në gjykim dhe mos arsyetim të mungesës së tij për shkak se arsyet e dhëna nga i akuzuari R.J dhe mbrojtësi av.Ramiz Krasniqi për gjykatën janë të pamjaftueshme si arsye për mungesën e tij në shqyrtimin gjyqësor av.Fanol Krasniqi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe seanca është e caktuar me pajtimin dhe pëlqimin e tij nga seanca e kaluar, prandaj të njëjtit i shqiptohet dënim me gjobë në shumën prej 800.00 të cilin dënim duhet t’a paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit”, thuhet në proceverbalin e seancës.

I mbrojturi i Krasniqit (Fanol Krasniqit), i akuzuari Jahiri, sipas procesverbalit, ka thënë se avokati i tij ka rast vdekje.

Sipas procesverbalit, mbrojtësi i të akuzuarit Dudi, avokati Ramiz Krasniqi (babai i avokatit Fanol Krasniqi), para gjykatës ka kërkuar falje që ka munguar paraprakisht, kurse për mungesën e avokatit Fanol ka thënë se është e vërtetë ajo që tha i akuzuari Jahiri, duke shtuar se është çështje e gjykatës së si do ta vlerësojë mungesën e të njëjtit.

Po ashtu, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Fanol Krasniqi ka thënë shkurt “Kam rast vdekje”.Në procesverbal thuhet se kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini ka thënë se gjatë paraditës e ka parë avokatin Ramiz Krasniqi të shoqëruar nga avokati Fanol Krasniqi në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, e këtë gjë nuk e kontestoi avokati Ramiz.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet 17 nëntor 2023.

Ndryshe, seanca e 28 marsit 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Remzi Jahiri, i cili kishte qenë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore. Ndërsa, seanca e 8 majit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.

Ajo e 17 korrikut 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Hilmi Dudi i cili mungoi për shkaqe shëndetësore. Edhe, seanca e 12 tetorit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.

Kurse, seanca e 13 tetorit 2023 dështoi shkaku se i akuzuari Hilmi Dudi nuk e ka pranuar avokatin zëvendësues Muhamet Mehmeti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 22 prill 2022, Remzi Jahiri ngarkohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Valon Maliqeviq, Drilon Maloku, Liridon Berisha dhe Valon Krasniqi, duke u dhënë para me fajde në shuma të ndryshme, me kamatë mujore e duke pranuar para në shuma dukshëm joproporcionale.

Ndërsa, për të akuzuarin Hilmi Dudi thuhet se nga viti 2018 deri më 24 tetor 2019, në restorantin e “Petrol Company” në Fushë-Kosovës, ka ndihmuar të akuzuarin Jahiri në dhënien dhe marrjen e parave për të dëmtuarit e lartcekur, në atë mënyrë që sa herë të dëmtuarit kanë marrë paratë si në dispozitivin e aktakuzës, si dhe kanë kthyer paratë nga i akuzuari Jahiri, prezent ka qenë edhe i akuzuari Dudi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat