Dushi: Fushata informuese për lëvizje në zonën Shengen, e suksesshme

Kosova

Dushi: Fushata informuese për lëvizje në zonën Shengen, e suksesshme

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën e cila ka informuar më afër qytetarët për të drejtat e udhëtimit, pas 1 janarit 2024, tha për Radio Kosovën Gëzim Dushi nga zyra e kryeministrit. E qytetarët e vlerësojnë shumë këtë kampanjë informuese.

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Për këtë qëllim, në shumë komuna të Kosovës, që nga 5 tetori është zhvilluar kampanja informuese lidhur me procedurat e udhëtimit. 

Kamioneti lëvizës me të gjitha informacionet, po qëndron edhe sot në sheshin "Zahir Pajaziti", për të dhënë informata për të gjithë qytetarët që duan të dinë më shumë rreth udhëtimit pa viza. 

Shumë qytetarë, kanë shprehur interesimin e tyre rreth kësaj kampanje. Duke folur për Radio Kosovën disa nga ta theksojnë se nuk kanë qenë të informuar sa duhet, lidhur me udhëtimin pa viza në zonën Shengen.

“Punoj këtu në një agjenci gjermane që punësojmë infermierë për Gjermani. Për ne, është e rëndësishme që t'i informojmë kandidatët tanë se çka lejohet dhe nuk lejohet. Kjo ndihmon shumë, sepse shumë qytetarë nuk janë të informuar se kanë të drejtë të lëvizin, por nuk kanë të drejtë të punojnë në Gjermani apo diku tjetër me vizë turistike. Unë kam motra e vëllezër dhe pres të shkoj atje. A jeni të informuar se si mund të udhëtoni? Jo, nuk jemi!”, deklaroi një qytetare.

Kampanja për liberalizimin e vizave është mbajtur në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu edhe ato në veri të vendit. Gëzim Dushi, nga zyra e kryeministrit, tha për Radio Kosovën se kampanja informuese ka pasur impakt pozitiv në terren. Ai përmend edhe disa nga kushtet për udhëtim.

“Qytetarët duhet të pajisjen me pasaportë biometrike, të kenë adresë të saktë të banimit, nëse nuk kanë adresë, duhet të kenë një shumë të konsiderueshme parash që llogaritet për qëndrim atje në baza ditore, nuk është e obligueshme, por duhet të kenë edhe biletën e kthimit. Ne po shpresojmë që ka sjellë rezultate dhe në bazë të matjeve që i kemi bërë ka pasur impakt pozitiv, qytetarët janë informuar”, deklaroi Dushi.

Ai tha se kampanja për liberalizimin e vizave do të vazhdojë në forma të tjera në pika kufitare, aeroporte, duke bërë shpërndarjen e broshurave, e të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat