​Përmbyllet fushata në terren e liberalizimit të vizave

Kosova

​Përmbyllet fushata në terren e liberalizimit të vizave

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 18:50

Fushata për informimin e qytetarëve mbi lëvizjen e lirë pa viza që do të fillojë nga data 1 janar 2024, përmbylli sot në terren etapën e saj të vizitave në komunat e Kosovës.

Ashtu siç nisi më datën 5 tetor, në Prishtinë, u përmbyll me aktivitetin e fundit po në kryeqytet.

Për më shumë se një muaj, mjeti lëvizës dhe ekipi i kësaj fushate, vizituan qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Podujevës, Mitrovicës së jugut, Pejës, Gjakovës, Lipjanit, Ferizajt, Fushë Kosovës, Drenasit, Graçanicës, Kastriotit, Skenderajt, Vushtrrisë, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës, Kamenicës, Vitisë, Therandës, Sharrit, Malishevës, Rahovecit, Deçanit, Istogut, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës së veriut dhe Leposaviqit.

Qytetarët me këtë rast u informuan mbi rregullat e lëvizjes së lirë pa viza, përmes materialeve informuese dhe kuizit mbi integrimin evropian.

“Përveçse shpërndamë informata dhe dhurata me motive të liberalizimit të vizave, qytetarët përmes kuizit patën dhe mundësinë të bëhen pjesë e shortit për fitimin e një prej biletave për udhëtimin e parë pa viza, drejt Vjenës, në datat 1-3 janar”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Rikujtojmë që fushata për informimin e qytetarëve do të vijojë ende përmes televizioneve, rrjeteve sociale dhe përditësimit të informatave në webfaqen zyrtare të integrimit evropian.

Kjo fushatë po realizohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerë të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat