Investitorët me kërkesa të mëdha për t’u pajisur me leje ndërtimi në Prishtinë e Fushë-Kosovë

Kosova

Investitorët me kërkesa të mëdha për t’u pajisur me leje ndërtimi në Prishtinë e Fushë-Kosovë

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 08:03
Foto ilustrim

Ndryshe nga sektoret e tjera, rritja e çmimeve në sektorin e ndërtimtarisë sa i përket kërkesave për t’u pajisur me leje ndërtimore po konisderohet se nuk pati ndikim. Në dy komuna në Prishtinë dhe atë të Fushë Kosovës kërkesat që nga fillimi i vitit deri më tash nuk kanë ndonjë ndryshim me vitet paraprake.

Rritja e çmimeve ndikoi pothuajse në të gjitha sferat.

Mirëpo ndryshe nga tjerat, në sektorin e ndërtimtarisë konsiderohet se një gjë e tillë nuk pati ndikim, duke bërë kështu që investitorët të kërkojnë vazhdimisht për t’u pajisur me leje ndërtimi.

Nga Komuna e Prishtinës përmes një përgjigjje elektronike, bënë të ditur se që nga fillimi i vitit deri më tash janë 150 kërkesa për leje ndërtimore.

“Kërkesat për leje ndërtimore ndër vite kanë qenë si në vijim: Viti 2021 – Janë pranuar 253 kërkesa Viti 2022 – Janë pranuar 179 kërkesa Viti 2023 – deri në këtë moment janë pranuar 150 kërkesa”, thuhet nga komuna.

Ndryshe nga komuna e Prishtinës, në atë të Fushë -Kosovës që konsiderohet si komunë e mbingarkuar nga ndërtimet, aty pati një ndikim të lehtë.

Sipas zëdhënësit të kësaj komune, Ali Topalli që nga Janari i këtij viti deri më tash janë lëshuar rreth 37 leje ndërtimi.

“Tani në bazë të statistikave që ne posdeojmë nuk paraqet ndonjë vështirësi dhe ndryshim të madh nga viti në vit ky kjo qështja e lejeve, sigurisht ka ndiku mirëpo jo deri në atë masë që të ketë ngecje në zhvillimin e mëtutjeshëm. Aktualisht për të dy kategoritë pra të parën dhe të dytën i kemi gjithsej 37 leje ndërtimore që janë lëshu dëri më tash”, ka thënë Topalli.

Edhe nga asociacioni i arkitektëve të Kosovës thonë se fluksi është pothuajse i njëjtë.

Bledion Baraliu, nënkryetar në këtë Asociacion tregon edhe disa vështirësi me çmime të cilat janë evidente në këtë sektor.

“Nuk vërejmë që ka ndonjë ulje të numrit të kërkesave për leje ndërtimore, pra fluksi i ndërtesave është pothuajse i njejtë. Mirëpo në anën tjetër vështirësitë në sektorin janë evidente ka ngritje të çmimeve në kostot e ndërtimit, në fuqi punëtore, në realizim të projektit dhe rrjedhimisht ka ngritje të çmimeve edhe në çmimin final çmimin shitës. E sigurisht kjo e vështorëson likuiditetin, rrjedhshmërinë e operimit në sektorin e ndërtimit”, thotë ai.

Ndryshe, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar edhe Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit. Gjatë muajit tetor të këtij viti, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur për 3.3 për qind, krahasuar me muajin tetor të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat