Po vjen dimri i vërtetë, javën e ardhshme temperaturat minus 7 gradë Celsiu

Kosova

Po vjen dimri i vërtetë, javën e ardhshme temperaturat minus 7 gradë Celsiu

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 15:24
Foto ilustrim

Në mbarë vendin po vazhdojnë reshjet e borës që kanë nisur pas mesnatës. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, të gjitha rrugët janë të kalueshme. Ndërkohë, nga Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës, thonë se reshjet do të vazhdojnë deri para mëngjesit, ndërsa do të ketë rënie të mëtejme temperaturave.

Territori i Ballkanit është përfshirë nga reshjet e borës, ndërsa në Kosovë reshjet kanë nisur pas mesnatës së ditës së sotme, ndërsa temperaturat kanë shënuar rënie. Reshjet po vazhdojnë me intensitet, por rrugët në gjithë vendin janë të kalueshme. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një prononcim për Radio Kosovën tha se operatorët e kontraktuar janë të përgatitur për komplet sezonin e dimrit.

“Ne jemi në terren në gjithë territorin e Kosovës. Aktualisht i kemi 19 kontrata aktive, 4 janë për autoudhë dhe 15 për rrugë regjionale dhe nacionale. Të gjithë operatorët ekonomikë, qysh në orët e hershme të mëngjesit kanë dalë në terren dhe janë të përgatitur për komplet sezonin e dimrit, janë të pajisur me sasi të mjaftueshme të kripës. Vazhdimisht jam duke kontaktuar me menaxherët regjionalë që po dërgojnë informata se në përgjithësi të gjitha rrugët janë të kalueshme”, tha Durmishi.

Reshjet e borës më të dendura janë në rajonin e Prizrenit dhe Dragashit, rajon që po përballet edhe me vështirësi në qarkullimin rrugor. Raportohet se me gjithë operimin e kontraktorëve, reshjet janë të pandërprera dhe në disa vende rruga është e rrezikshme. Në Dragash sasia e reshjeve të borës ka arritur në 15 centimetra, ndërsa reshjet janë duke vazhduar. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet do të vazhdojnë deri në orët e mëngjesit të së dielës. I kontaktuar nga Radio Kosova, Besim Aliu nga ky institut, paralajmëroi rënie të mëtejme të temperaturave.

“Reshjet vazhdojnë edhe gjatë natës deri në orët e para të ditës së nesërme, pastaj pasdite do të këtë kthjellime që do të ndikojnë që të kemi ulje të temperaturave deri në minus 6 dhe minus 7 gradë celsius. Java tjetër fillon sërish me reshje. Do të kemi shi dhe borë të mërkurën, pastaj edhe gjatë vikendit priten reshje të shiut”, tha Aliu.

Ky dimër, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të jetë më ndryshe nga ai i vitit të kaluar, pasi siç thotë Aliu nga ky institut, duke pasur parasysh që ka qenë një verë e nxehtë, sivjet do të ketë një dimër me reshje të shpeshta dhe temperatura të ulëta që mund të arrijnë në vlera dyshifrore. Këto reshje, sipas Aliut, do të jenë të favorshme për agrokulturën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat