Rezultatet e “PISA 2022”, testimi i mësimdhënësve konsiderohet i panevojshëm

Kosova

Rezultatet e “PISA 2022”, testimi i mësimdhënësve konsiderohet i panevojshëm

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 23:34
Foto ilustrim

Askush nuk doli i befasuar nga rezultatet e testit “Pisa 2022”.

E megjithatë, gishtat e fajësimit kryesisht patën dy adresa: mësimdhënësit dhe Ministrinë e Arsimit.

Për këta të parët, sërish është përmendur ideja e testimit, por qëndrimi i sindikatës për këtë ide, mbetet i pandryshuar.

“Nuk ka nevojë për test. Testimi i mësimdhënësve është degradues dhe nënçmues për gjithë atë shkollim që e kanë bërë ata janë testuar vazhdimisht në universitete, janë diplomuar dhe janë të përgatitur për procesin mësimor por unë e konsideroj se duhet pasur më shumë inspektorë profesional në mënyrë që ata të shkojnë të shohin punën e mësimdhënësve nga afër dhe ti shohin dobësitë e të i këshillojnë t’i heqin”, tha Rrahman Jashari, Kryetar i SBASHK-ut.

Testimin, të panevojshëm e konsideron edhe Rinor Qehaja nga instituti EdGuard.

“Mësimdhënësit nuk duhet testuar, ata duhet të vlerësohen për punën e tyre dhe atë në përditshmëri. Pra një sistem i mirëfilltë i llogaridhënies padyshim që do ta rrinte përgjegjësinë e mësimdhënësve dhe si produkt do kishte shumë më natyrshëm një performancë më të mirë në klasë. Në të kundërtën me këtë komoditet që kanë për mbikëqyrjen në klasë, nuk është befasuese kjo perfomancë në këtë testim që është krye-këput edhe i mësimdhënies që bëhet në klasë”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

Televizioni ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit për veprimet që ky dikaster pritet të ndërmarrë pas këtyre rezultateve, përfshirë këtu edhe edhe idenë e testimit të mësimdhënësve, megjithatë, nga e njëjta nuk ka pranuar përgjigje.

Ministrja Arbërie Nagavci, rezultatet që Kosovën e renditën sërish në fund të listës në lexim, shkencë e matematikë, nga 80 vende pjesëmarrëse, i arsyetoi me sfidat e mësimdhënies gjatë periudhës së pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat