​Komuna e Rahovecit miraton Planin Zhvillimor Komunal për tetë vjetët e ardhshëm

Kosova

​Komuna e Rahovecit miraton Planin Zhvillimor Komunal për tetë vjetët e ardhshëm

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 16:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuna e Rahovecit unanimisht ka aprovuar sot propozim-vendimin për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), për vitet 2023-2031.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, 23 anëtarë votuan pro miratimit të këtij plani, i cili përcakton caqet afatgjate të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor të kësaj komune.

Plani zhvillimor i komunës përfshinë zhvillimin e zonave urbane dhe rurale për tetë vjetët e ardhshëm të Komunës së Rahovecit. 

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Albnor Mullabazi tha se plani i ri zhvillimor komunal, për dallim nga plani në fuqi, mbulon tërë territorin e Komunës së Rahovecit.

Mullabazi theksoi se mbi 21 mijë hektarë janë paraparë të ndahen për prodhime bujqësore dhe pylltari, derisa rreth dy mijë hektarë tjerë përfshijnë prodhimet dytësore. Ai potencoi se mbi një mijë hektarë të tjerë janë për industri të lehtë dhe rreth tre mijë të tjerë për banim.

Mullabazi: Plani Zhvillimor Komunal përcakton caqet afatgjate të zhvillimit ekonomik

“Plani zhvillimor komunal është plan strategjik multi-sektorial, i cili përcakton saktë caqet afatgjate të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor të Komunës së Rahovecit. Plani zhvillimor i komunës përfshin planin për zhvillimin e zonave urbane dhe rurale për tetë vitet e ardhshme të komunës. Gjatë hartimit të planit zhvillimor komunal, kemi kaluar në dy faza. Në fazën e parë, gjatë përgatitjes së draftit të dokumentit deri te marrja e pëlqimit për hapjen e shqyrtimit publik, së bashku me kompaninë projektuese kemi mbajtur 15 takime me qytetarë në lokacione të ndryshme…Plani i ri zhvillimor komunal për dallim nga plani në fuqi, e mbulon tërë territorin e sipërfaqes së Komunës së Rahovecit. Dhe ky plan parasheh zhvillimin vijues të tokës. 21 mijë e 247 hektarë për bujqësi dhe pylltari. 1616 hektarë prodhim dytësor, energjinë e ripërtëritshme 1.350 hektarë dhe industri e lehtë, 939 hektarë për prodhime tretësore, 547 hektarë rrjete të transportit, logjistikë dhe institucionet publike, 2.757 hektarë janë për banim dhe 399 hektarë për shfrytëzime të tjera”, tha Mullabazi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se përkundër defekteve dhe dobësive të procesit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, arritën që me sukses ta realizojnë.

Ai potencoi se procesi i këtij plani ka filluar qysh në vitin 2017 kur komuna udhëhiqej nga Idriz Vehapi, derisa shtoi se hartimi i këtij plani nuk ka qenë një proces i lehtë dhe i thjeshtë.

Latifi: Hartimi i planit nuk ishte proces i lehtë dhe i thjeshtë

Ne e kemi trashëguar një kontratë të lidhur, të nënshkruar, e cila nuk ka kushtuar më shumë se 35 mijë euro ose pak mbi 35 mijë euro, dhe mos të harrojmë që kontratë të dytë nuk ka pasur. Ta bësh një plan zhvillimor në një kontratë të trashëguar, e natyrisht ne jemi dakord me ato që u thanë se ka pasur defekte dhe dobësi edhe në proces, sepse nuk është lehtë, nuk është proces i thjeshtë hartimi, planifikimi për një periudhë të caktuar të një plani, dokumenti strategjik, unë po them është kushtetutë e komunës…Vonesat nuk janë të mira asnjëherë, mirëpo këto vonesa i kanë shërbyer grupit të njerëzve tonë në bashkëpunim me operatorin ekonomik, bashkëpunim me komunën dhe grupet e interesit që të futen edhe plot elemente”, tha Latifi.

Plani Zhvillimor Komunal është dokument pararendës i Hartës Zonale dhe plan multisektorial, i cili përcakton qëllimet afatgjate të zhvillimit ekonomik, shoqëror-social dhe hapësinor. Ai shtrihet në gjithë komunën, zonën urbane dhe rurale, dhe zhvillohet me ndihmën e autoriteteve komunale, shtetërore dhe palëve te interesuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat