Kryetarët e tri komunave me kritika për Qeverinë: Me ndarjen e buxhetit u diskriminuam

Kosova

Kryetarët e tri komunave me kritika për Qeverinë: Me ndarjen e buxhetit u diskriminuam

Më: 7 janar 2024 Në ora: 10:26
Foto ilustrim

Buxheti i komunave për vitin 2024 do të jetë 742.3 milionë euro. Ndonëse u konsiderua më i madhi ndonjëherë nga Qeveria, krerët e komunave po thonë se janë diskriminuar, vetëm se nuk i përkasin partisë në pushtet. Kryetarët e Prizrenit, Vushtrrisë e Vitisë i thanë Eo se buxheti është ndarë në mënyrë jo proporcionale dhe se projektet e dërguara në Qeveri nuk u janë marrë parasysh.

I pari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh jo i kënaqur me ndarjen buxhetore për këtë komunë e cila njihet edhe si një prej qyteteve më të mëdha të Kosovës. Sipas tij, kjo ndarje ka treguar një qasje jo profesionale dhe diskriminuese nga ana e Qeverisë.

“Ajo që duhet theksuar është se kemi parë një qasje joprofesionale të Qeverisë dhe kemi parë një diskriminin ndaj komunave të mëdha dhe kemi parë një qasje i ndaj atyre që janë të vogla, atu ku janë kryetarët e partisë së Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Totaj.

Tutje ai mori shembull edhe komunat tjera të cilat sipas tij, janë pre e diskriminimit. Totaj tha se kanë dërguar në Qeveri shumë projekte e nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

“Si Ferizaj, si Gjakova asnjë cent se kanë marrë e kjo mendoj se tregon mungesë morale po ashtu andaj shpresoj që mos të përsëritet. Ne po shohim që kjo është diskriminim për kryeqytetin historik si Prizreni e ky veprim do jetë i mbetur në histori si shembull i keq. Një marrëveshje e kemi nënshkruar me ministrinë e infrastrukturës e cila vlen për tu theksuar është marrëveshja për agjensionin zviceran për ndërtimin teleferik dhe dua të besoj se ajo do realizohet”.

Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2024 do jetë 65 milionë e 201 mijë e 979 euro.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se Qeveria i ka favorizuar disa komuna. Tutje ai tha se përmes pesë deputetëve vushtrrias në Parlamentin e Kosovës do synohet që të amandamentohen projekte në vlerë prej 11 milionë euro.

“Tashmë po dihet se disa komuna janë favorizuar shumë e disa pak. Megjithatë unë do shkoj sipas projekteve përmes procedurës së bashkëfinancimit dhe shpresoj se edhe Vushtrria do jetë pjesë e këtyre projekteve”.

“Në vitin e ardhshëm do të bëjmë kërkesë përmes pesë deputetëve që i kemi në parlament, tre nga VV, një nga LDK dhe nga Lista Guxo dhe kemi kërkuar prej tyre që t’i amandetojmë projektet që kapin vlerën 11 milionë euro”, deklaroi i pari i Vushtrrisë.

Ankesa për të njëjtin vendim ka edhe Sokol Haliti, kryetari i Komunës së Vitisë, i cili falënderoi qeverisjen e kaluar për gjendjen aktuale të komunës që drejton. Haliti tha se kanë reaguar ndaj ndarjes së këtij buxheti për disa arsye.

Sipas tij, Vitia ka bërë përpjekje që projektet të finalizohen, duke i falënderuar donatorët gjerman, zviceran, amerikan, e fondacionet tjera ndihmuese.

“Ndarja e re buxhetore ka treguar shumëçka, është lënë anash komuna e Vitisë, për të cilën i falënderoi si veprim jo të qeverisë aktuale, por asaj që ka qenë më herët”, deklaroi i pari kësaj komune.

“Ne kemi reaguar institucionalisht sepse Vitia i ka 100 mijë banorë, ajo po ashtu shtrihet në magjistralen Viti-Gjilan- Ferizaj andaj lehtësisht mund të kthehet në një qendër që mund ta zhvilloj rajonin po shpresoj që nuk do të hasim në vesh të shurdhër e jo një komune diku buxhet 58.6% njërës, 82% tjetrës, ndërsa Vitisë 4 euro për kokë banori”, Haliti.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të komunës së Vitisë, buxheti komunal për vitin 2024 pritet të jetë 16 653.191 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat