​Miratohet inicimi i procedurës së shpronësimit për restaurimin e Kompleksit "Masakra e Reçakut"

Kosova

​Miratohet inicimi i procedurës së shpronësimit për restaurimin e Kompleksit "Masakra e Reçakut"

Më: 10 janar 2024 Në ora: 21:37
Ilustrim

Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu ka bërë të ditur se sot është miratuar inicimi i procedurës së shpronësimit për restaurimin e Kompleksit Memorial "Masakra e Reçakut", pak ditë para shënimit të 25-vjetorit të ngjarjes makabre që tronditi botën.

Aliu ka thënë se ky veprim nënkupton krijim të hapësirës shtesë për konservimin e këtij Kompleksi, duke siguruar trajtim të duhur, të përshtatshëm e të dinjitetshëm për këtë monument që simbolizon dhe është gur i provës e i të vërtetës për një ngjarje makabre më 15 janar 1999 në Reçak, kur serbët masakruan civilë të paarmatosur të të gjitha moshave.

“Kur na ndajnë vetëm pesë ditë nga përvjetori jubilar i 25-të, një çerekshekull nga ngjarja me përmasa të gjera ndërkombëtare e masakrës në Reçak, jemi të nderuar që sot është miratuar inicimi i procedurës së shpronësimit për restaurimin e Kompleksit Memorial "Masakra e Reçakut". Kompleksi Memorial "Masakra e Reçakut" e ka vëmendjen e merituar të institucioneve të Kosovës përkitazi me relevancën e jashtëzakonshme historike që Memoriali përfaqëson”, ka shkruar ai.

Ndryshe, më 15 janar 1999, 42 civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë vriten e masakrohen barbarisht nga ushtria serbe në Reçak.

Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Tmerret në Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, që nxiti ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj forcave ushtarake e policore serbe.

25-vjetori i masakrës në Reçak do të mbahet nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat