Azizi: Do të themelohen listat e shërbimeve të garantuara për pacientët

Kosova

Azizi: Do të themelohen listat e shërbimeve të garantuara për pacientët

Më: 23 janar 2024 Në ora: 19:34
Kreu i ShSKUK-së, Elvir Azizi

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, njoftoi se njërin prej prioriteteve tani e kanë themelimin e listave të shërbimeve të obliguara ose të garantuara nga ana e shtetit.

Kjo sipas tij, nënkupton që edhe QKUK-ja por edhe spitalet e përgjithshme regjionale duhet ta kenë një listë të shërbimeve të cilat janë të garantuara për t’i ofruar popullatës të atij regjioni apo në QKUK.

“Kjo listë e shërbimeve do të publikohet si në faqet e ShSKUK-së, QKUK-së, ashtu edhe në spitale në mënyrë fizikë që të ketë një prezentin transparent jo vetëm për pacientin, por edhe për stafin mjekësor se cilat shërbime ata janë të obliguar që t’i ofrojnë në spitalet e tyre”.

“Kjo gjë do të na mundësojë që qysh nesër të fillojmë dhe të bëjmë ndarjen apo pengesat në referimet e shumta që ndodhen për momentin prej spitaleve regjionale në Qendrën Klinike Universitare, të cilat fatkeqësisht më duhet të them se shpesh herë edhe e ngulfasin QKUK-në sa i përket ofrimit të shërbimeve të nivelit terciar”, deklaroi kreu i ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Tutje ai shtoi se lista e shërbimeve është vetëm fillimi i ndryshimit që po ndodh në sistemin shëndetësor dhe se kjo do të pasohet edhe nga procedura të standardeve operative dhe rregullore të tjera të brendshme që do të krijohen brenda sistemit të ShSKUK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat