​Mbrojtja e të dhënave në Kosovë ende nuk është në nivel të kënaqshëm

Kosova

​Mbrojtja e të dhënave në Kosovë ende nuk është në nivel të kënaqshëm

Më: 28 janar 2024 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave, Lëvizja FOL ka organizuar Forumin “FOL Hapur” një diskutim me komisionaren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku.

Temë diskutimi ishin shkelja e privatësisë nga faturat e hapura, të dhënat personale dhe mbrojtja e tyre e sektorin shëndetësor dhe atë arsimor, si dhe mbrojtja e të dhënave, media dhe interesi publik.

Dermaku tha se niveli i ndërgjegjësimit dhe mbrojtja e të dhënave në Kosovë ende është në nivel jo të kënaqshëm. Në gjashtëmujorin e parë 2021 ishin vetëm 31 ankesa, ndërsa tani ka 300 ankesa.

Dermaku: Çdo ditë kemi dyshime për shkelje të privatësisë

“Sado që kemi punuar me institucionet publike me nivel qendror, lokal, pastaj edhe me ndërmarrjet publike dhe me biznese në të gjitha fushat, përsëri numri i ankesave që parashtrohet te ne për ta mbrojtur privatësinë mbetet i ulët. Nëse e krahasojmë me gjashtëmujorin 2021 ku kemi pasur 31 ankesa, sot i kemi rreth 300 ankesa. Përsëri kur i shohim çdo ditë, çdo hap, kudo që jemi, kemi dyshime që kemi shkelje të privatësisë ... Niveli i ndërgjegjësimit dhe mbrojtja e të dhënave në Kosovë ende është në nivel jo të kënaqshëm,” tha ajo.

Dermaku ka kërkuar që faturat e ndryshme për pagesa që dërgohen te qytetarët të mos jenë të hapura dhe të mos të lihen para derës, pasi me këtë shkelet privatësia e tyre.

Dermaku: Agjencia do të fillojë të nxjerrë vendime meritore sipas legjislacionit

“Të gjitha masat e sigurisë që vendosen nga cilido kontrollues është e kushtueshme, kryesisht ndërmarrjet janë ankuar, sepse është një kosto shtesë, por gjithsesi qëllimi jonë është t’iu kërkojmë saktë. Ata duhet të ndërmarrin masa që faturat mos të shkojnë të hapura dhe të mos lihen para derës... Kjo normalisht nuk do të ndodhë brenda dy muajve, por mund të zgjasë edhe disa muaj, por agjencia në kuadër të përmbushjes së obligimeve të veta do të bëjë inspektime dhe në bazë të tyre do të fillojë të nxjerrë vendime meritore sipas legjislacionit në fuqi. A do të jenë gjoba apo vendime detyruese, ajo shqyrtohet rast pas rasti, për shkak se jo të gjitha ndërmarrjet e kanë të njëjtën formë të shpërndarjeve të faturave,” tha Dermaku.

Ndërsa për të dhënat personale në sektorin shëndetësor ajo theksoi se nga QKUK dhe spitalet private duke përfshirë laboratorin, ordinancat të ndryshme janë pak të ndërgjegjësuara për mbrojtjen e të dhënave personale.

Po ashtu për të dhënat personale në arsimim, ajo tregoi se agjencia ka mbajtur një trajnim me një kurikulë të gjerë, duke filluar nga mënyra se si mblidhen të dhënat në formë fizike kur bëhen kontrata si në institucione parashkollore, deri te publikimi i fotografive në rrjete sociale.

Dermaku: Janë sfida të mëdha

“Sfida më e madhe në sektorin shëndetësor, duke filluar prej QKUK-së dhe të gjitha spitalet private përfshirë laboratorin, ordinancat të ndryshme, pak janë të ndërgjegjësuara për mbrojtjen e të dhënave personale. Trajnimi ka pasur një kurikulë të gjerë, ku është folur prej mënyrës se si mblidhen të dhënat në formë fizike kur bën kontrata si në institucione parashkollore deri te publikimi i fotografive përmes rrjeteve sociale... Mediat edhe me vendim të gjykatës evropiane të drejtave të njeriut janë të përjashtuara, për faktin që kur kemi interes të publikut, atëherë duhet ta informojmë drejt publikut,” theksoi Dermaku.

Ajo bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe t’i ruajnë të dhënat e tyre personale për shkak se me këtë shkelet privatësia e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat