​Sot mbahet konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”

Kosova

​Sot mbahet konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot (e enjte) do të jetë nikoqire e konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të saj. Konferenca mbahet nga ora 10:00,në Prishtinë.

Konferenca do të bashkojë në kryeqytetin tonë më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani. Anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar, do të jenë të pranishme në këtë aktivitet.

Enkas për këtë konferencë, nga Kievi vjen edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.

Konferenca do të ketë dy panele, ku gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje gjatë dy paneleve dhe gjatë konferencës.

Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.

Paneli i parë do të udhëhiqet nga Branka Gabriela Vojvodic nga Agjencia e Lajmeve Kroate HINA dhe përbëhet nga: Alan Marshall nga PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar, Camille Bouissou nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, Aimilios Perdiakris nga Agjencia Greke e Lajmeve ANA-MPA dhe Rodolfo Cardarelli nga Agjencia Italiane e Lajmeve ANSA.

Ky panel do të shqyrtojë çështje kritike si dezinformimi, përparimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmërinë financiare të agjencive të lajmeve në peizazhin e botës bashkëkohore mediatike.

Ndërkaq në pjesën e dytë të konferencës, fjalë rasti do te ketë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kosovapress-it, Suzana Rakovica.

Në panelin e dytë, folës do të jenë presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymeri, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.

Konferenca mbahet në hotel “Emerald”, Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat