Sejdiu për deklarimin e pasurisë: Mjekët kanë hasur në vështirësi në plotësimin e formularit

Kosova

Sejdiu për deklarimin e pasurisë: Mjekët kanë hasur në vështirësi në plotësimin e formularit

Më: 16 mars 2024 Në ora: 11:05
Pleurat Sejdiu

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka deklaruar se nuk kanë shifra të sakta se sa mjekë e kanë deklaruar pasurinë.

“Jo nuk kemi shifra, por mbi 90% e kanë deklaruar”, ka thënë ai.

I, pyetur se a kanë hasur në vështirësi në plotësimin e formularit, Sejdiu ka thënë se vështirësitë kanë qenë të shumta dhe shumë prej tyre edhe kanë gabuar në mbushjen e formularit.

“Është e vërtetë që kanë pas mjaftë vështirësi sepse nuk ka pas informim mjaftueshëm nga zyrtarë të cilët do të duhej t’i informonin dhe janë nëpër institucione shëndetësore për të dhënë shpjegime. Është shumë e vërtetë dhe nga ajo sa kam kuptuar unë ka mjaftë të cilët kanë bërë gabime gjatë plotësimit të formularit pasi që s’ka qenë i lehtë për ata të cilët nuk e kanë deklaruar kurrë”, është shprehur Sejdiu.

E, në momentin kur Qeveria ka marrë vendim që deklarimi i pasurisë të bëhet edhe nga mjekët, por vetëm për ata të kujdesit sekondar dhe terciar kjo është kundërshtuar nga Oda e Mjekëve jo për faktin e deklarimit por për ndasitë që janë bërë mes mjekëve.

Nga Oda e Mjekëve kanë thënë se ligji duhet të vlejë për të gjithë dhe të mos jetë diskriminues.

E, shkak i kësaj ata kanë dërguar edhe ankesa e po ashtu edhe shkresa tek Avokati i Popullit, por që siç thotë Sejdiu nuk kanë marrë ende përgjigje.

“I kemi bërë ne ankesat me kohë për të gjitha nivelet edhe kur është bërë drafti i parë edhe kur është bërë drafti i dytë në Qeveri edhe kur ka dal në diskutim publik edhe në parlament edhe së fundmi tri shkresa ia kemi dërguar Avokatit të Popullit. Na është kthyer se nuk i keni shtjerruar të gjitha mjetet juridike, por ne i kemi shtjerruar të gjitha mjetet ligjore dhe ia kemi dokumentuar në takimin në të cilin kanë qenë zyrtarët tonë tek Avokati i Popullit. Na është thënë që do të shqyrtohen dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, ka shtuar Sejdiu.

Në rast se ndonjë mjek nuk e deklaron fare pasurinë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë ato në prokurorinë e shtetit.

Për, këtë Sejdiu ka deklaruar se nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi që kjo është çështje individuale e secilit mjek.

“Ajo është çështje individuale e mjekëve, nuk ka çka të bëj në këtë sepse është obligim ligjor individual i secilit prej kolegëve tonë. Ne në dy apo tri raste kemi bërë edhe deklaratë publike dhe kemi kërkuar nga mjekët që ta deklarojnë pasurinë, përkundër që nuk pajtohemi me këtë ligj diskriminues dhe këto dispozita ligjore diskriminuese”, ka thënë i pari i Odës së Mjekëve.

Deklarimi i pasurisë pranë APK-së, për mjekë dhe profesorë ka filluar nga 11 shkurti i këtij viti dhe ka zgjatur deri më 12 mars.

Më 1 mars ka filluar edhe deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë deklarim edhe vitin e kaluar, për periudhën nga 1 janari i viti 2023 deri në fund të viti 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat