Fermerët në fazën e fundit të krasitjes dhe plehërimit të pemëtarive

Kosova

Fermerët në fazën e fundit të krasitjes dhe plehërimit të pemëtarive

Më: 16 mars 2024 Në ora: 22:41
Foto ilustrim

Pemëtaria po shihet si degë mjaft fitimprurëse në Kosovë. Arra, mjedra, manaferra, lajthia e kumbulla japin rendimente të larta. E pikërisht këto ditë janë vendimtare për përkujdesjen ndaj këtyre kulturave siç janë krasitja, spërkatja dhe plehërimi.

Bekë Lokaj nga Sllupi i Deçanit është një prej pemëtarëve më të zellshëm, i cili i ka të mbjella rreth 7 hektarë me arra, mjedra, manaferra e lajthi.

Ai, këto ditë, krahas krasitjes së tyre po e bën edhe spërkatjen dimërore dhe plehërimin e kulturave bujqësore përkatësisht plantacionit të pemëtarisë.

"Kjo është faza e parë ku jemi duke e bërë edhe plehërimin edhe krasitjen. Punoj me vullnet të madh, pikë së pari për familjen, që ta kultivojë tokën e vet, që mos me pas nevojë me dalë jashtë. Sa e la djerrinë më mirë e punojë  dhe e shfrytëzoj si biznes familjar", tha Bekë Lokaj, fermer.

Interesimi i fermerëve për këto kultura sipas agronomëve po vlerësohet si shumë i qëlluar. Kjo për arsye se tregu për këto kultura është i garantuar.

Ekspertet e agronomisë thonë se këto ditë janë vendimtare për përkujdesjen ndaj këtyre kulturave siç është krasitja, spërkatja dhe plehërimi.

“Aktualisht jemi në procesin e krasitjes te arrave, lajthive dhe kumbullave. Kjo fazë është gati në momentet e fundit të krasitjes, kështu që menjëherë pas këtij operacioni homo promo-teknik duhet të fillohet me spërkatjen dimërore me preparate te bakrit dhe vajit. Rëndësia e spërkatjes është e shumëfishtë, është një preventivë kundër sëmundjeve patogjene të ndryshme dhe dëmtuese, kështu që bima në pranverë fillon pa patogjen dhe pa dëmtues”, tha Bajram Çeku, ekspert i agronomisë.

Sipas ekspertëve, këto kultura përveçse plotësojnë kërkesat e konsumatorëve tanë, i plotësojnë edhe të gjitha kriteret për tregjet e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat