​Forumi për Gratë, do të ketë bllokime të përkohshme në disa rrugë

Kosova

​Forumi për Gratë, do të ketë bllokime të përkohshme në disa rrugë

Më: 14 prill 2024 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ketë bllokime të ndryshme rrugore gjatë ditëve sa mbahet konferenca “Gratë Paqja dhe Siguria”, në të cilën do të marrin pjesë personalitete të ndryshme të rëndësishme nga rajoni dhe bota.

Forumi “Gratë Paqja dhe Siguria”, organizuar nga Presidenca, do të mbahet nga data 14-17 prill.

Policia e Kosovës gjatë kësaj kohe do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së personaliteteve si dhe qëndrimit të tyre në Republikën e Kosovës.

Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore të disa segmenteve rrugore, ku pritet të kalojnë personalitetet/delegacionet e ftuara, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet në Prishtinë më 15 dhe 16 prill, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

Si pjesë e mbajtjes së këtij forumi, presidentja Vjosa osmani sot do të mbajë një konferencë për media nga ora 17:00. Kjo konferencë njëherësh mbahet edhe me rastin e 14 prillit, Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Pjesë e konferencës do të jenë edhe Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Tairi Sulimani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat