Betohen vullnetarët e Korpusit të Paqes, do të ndajnë praktikat e mira të sistemit arsimor amerikan

Kosova

Betohen vullnetarët e Korpusit të Paqes, do të ndajnë praktikat e mira të sistemit arsimor amerikan

Më: 29 prill 2024 Në ora: 14:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka administruar betimin solemn të shërbimit për 10 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë, të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit dhjetë javor në grupin e nëntë me radhë.

Të njëjtit do të shërbejnë për dy vite në Kosovë, ndërsa fokus do të kenë arsimin, shëndetësinë dhe pushtetin lokal, për çfarë do të japin shembuj edhe nga sistemi amerikan në vendin tonë.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda ka prezantuar vullnetarët e rinj. Ajo tha se të njëjtit vinë nga shtatë vende të ndryshme, ndërsa do të shërbejnë në qytete të ndryshme në Kosovë, si Pejë, Ferizaj, Prishtinë e kështu me radhë.

Siganda: Trajnerë tonë sot vijnë prej 7 shteteve të Amerikës

"Trajnerë tonë sot vijnë prej 7 shteteve të Amerikës (do shërbejë në vende të ndryshme të Kosovës)", tha ajo.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është shprehur i impresionuar nga mikpritja dhe dashamirësia e njerëzve në vend. Hovenier derisa ka uruar vullnetarët e rinj, ka thënë se grupi që ka përfunduar këtë trajnim ka qenë i përkushtuar mjaft shumë në këtë drejtim.

Hovenier: S’kamë parë grup më të përkushtuar

"Të gjithë jemi të impresionuar nga mikpritja dhe dashamirësia e njerëzve këtu dhe dua të mirëpres, njoh dhe falënderoj disa njerëz. Unë do të mendoja se të jesh një familje nikoqire kërkon shumë punë, por disa prej jush janë regjistruar disa herë gjatë 10 viteve të fundit për të pritur të trajnuarit. Nuk është një vendim i lehtë, kërkon përkushtim, kërkon mirëkuptim, kërkon interes për njerëzit dhe mirësi, ndaj iu falënderoj të gjithëve banorëve të Kamenicës për përkushtimin dhe mbështetjen tuaj ndaj Korpusit të Paqes... Me siguri e keni vënë re këtë, por kërkon shumë punë për të kryer një trajnim 10 javor të para-shërbimit duke mbështetur gjithashtu dy grupe të tjera aktive që kryejnë misionin e tyre në Kosovë tani... Unë kisha shërbyer në poste të tjera me operacionet e Korpusit të Paqes në vend, nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një grup kaq të përkushtuar si ky grup i veçantë. Ju jeni në duar shumë të mira, duke përfshirë një vend të mrekullueshëm, siç ndoshta e keni parë vete", tha ai.

Ai ka shtuar se duhet t’i tregojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës siç jemi në të vërtetë.

Hovenier: Dua të vlerësoj sakrificën dhe angazhimin tuaj

"Unë besoj shumë se duhet t’i tregojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës siç jemi në të vërtetë, me të metat tona, me pikat tona të forta dhe nuk di një mënyrë që është më e mirë për ta bërë këtë sesa ajo që po shikoj tani, kështu që unë dua të vlerësoj sakrificën dhe angazhimin tuaj. Jam i sigurt që zgjodhët ta bëni këtë, ne jemi mirënjohës që zgjodhët ta bëni këtë, por secili prej jush, jam i sigurt që hoqi dorë nga diçka ose disa gjëra që do të vijnë ta bëjnë këtë gjë këtu", ka shtuar ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se roli i vullnetarëve dhe i këtij programi është mjaft i rëndësishëm. Sipas saj, me këtë program do të ofrohen praktikat më të mira të sistemit amerikan në vendin tonë.

Nagavci: Programi do të ofrohen praktikat më të mira të sistemit amerikan

"Jemi këtu për të dëshmuar në një ceremoni betimi e cila i rrënjët thellë në lidhjet e forta mes njerëzve, tek mbështetja për njëri tjetrin dhe mirëkuptimi mes tyre. Këtë mbështetje Korpusi i Paqes e ofron në Kosovë qysh nga viti 2014 kur erdhën edhe vullnetarët e parë...Në gjithë këtë punë që po bëjmë, padyshim se roli i vullnetarëve dhe i programit të Korpusit të Paqes është jo vetëm në linjë të drejtpërdrejt me politikat tona, sepse ofron mbështetje për mësuesit tanë gjatë mësimit në klasë, shton dhe ndan praktika më të mira të sistemit arsimor amerikan, andaj jam e bindur që do të mbeten në kujtesën dhe perspektivën e nxënësve dhe kolegëve ku do të shkoni në shkolla e vende të ndryshme në Republikën e Kosovës", tha Nagavci.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj është shprehur i lumtur me ngjarjen e sotëm që po mbahet në këtë komunë. Ai derisa ka uruar dhe falënderuar vullnetarët e rinj, ka thënë se më shumë se 60 familje kamenicase deri më tani kanë qenë nikoqire të vullnetarëve, i cili ka uruar që përmes kësaj ta kenë bërë të qartë se sa të hapur jemi për tjetrin dhe sa e rëndësishme është mikpritja në këtë vend.

Rahimaj: Më shumë se 60 familje kamenicase deri më tani kanë qenë nikoqire të vullnetarëve

"Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi shembuj të mirë të angazhimit të qytetarëve dhe ndryshimit që mund të bëjnë komunitetet, prandaj, vullnetarët e Korpusit të Paqes janë pikërisht sinonimi i kësaj. Dëshira dhe vullneti juaj për të kontribuar edhe në një vend tjetër siç është Kosova tregon edhe njëherë përkushtimin tuaj për ndryshime dhe sjellje e një fryme dhe kulture të re në shoqëri. Më shumë se 60 familje kamenicase deri më tani kanë qenë nikoqire të vullnetarëve, që uroj që përmes kësaj të kemi bërë të qartë se sa të hapur jemi për tjetrin dhe sa të rëndësishëm e kemi mikpritjen, për ne është një vlerë", tha Rahimaj.

Ai tha se ky është shembull që po ashtu duhet të ndjeket nga gjeneratat e reja të ardhshme. Të lumtur me prezencën dhe arritjet e tyre në Kosovë u shprehen vullnetarët e rinj.

Vullnetarja Cloe Miller derisa ka falënderuar familjen nikoqirë, është shprehur e lumtur me njerëzit që e kanë rrethuar gjatë kohës së trajnimit në Kosovë.

Miller: Familja nikoqire na la në shtëpinë e tyre

"Jemi me fat që jemi të rrethuar me njerëz që na kanë përkrahur me gjithë zemër gjatë këtyre muajve. Jam shumë krenare që jam me ju sot për të festuar këtë arritje të rëndësishme. Ne do të kujtojmë lidhjet me familjet dhe shoqërinë, mikpritjen e komunitetit si dhe përkushtimin tonë drejt mësimit dhe shërbimit tonë. Falënderojmë Kosovën që na ftoj, na priti e na pranoi dhe na tregoj thellësinë e dukurisë dhe mikpritjes së vendit dhe kulturës suaj. Jemi mirënjohës komunitetit, veçanërisht familjeve nikoqire që na kanë përfshirë në shtëpitë e tyre, kanë qenë të durueshëm ndaj ne dhe kanë qenë pranë nesh. Kosova është vend unik, i pasur me potencial, ambicie dhe shpirt. Është një vend i ri me rrenjë të thella, është frymëzuese të dëgjosh për hapat e mëdhenj që vendi ka ndërmarrë", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat