Blerja e teksteve shkollore subvencionohet edhe sivjet

Kosova

Blerja e teksteve shkollore subvencionohet edhe sivjet

Më: 17 maj 2024 Në ora: 21:33
Foto ilustrim

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet Ministria e Arsimit ka vendosur që tekstet të mos shpërndahen nëpër shkolla sikurse ka ndodhur me vite të tëra në Kosovë. Por, ministria zotohet se sivjet do të njoftohen të gjithë më hollësisht për këtë formë të rimbursimit.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka konfirmuar se versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të aplikohet edhe këtë vit.

“Në fillim të muajit qershor do të dalim me informata të detajuara dhe synimi është që ashtu siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, përveq kujdesit për buxhet do të kujdesemi edhe për nxënësit duke pasur kujdes edhe për peshën e çantave”, tha Nagavci.

Ndërkaq Rinor Qehaja, ekspert i arsimit, tha se nuk përben ndonjë dallim metoda, e rëndësishme është që teksti shkollor të arrijë te nxënësi.

“Nga vështrimi jonë nuk është se ka ndonjë dallim nga blerja e drejtpërdrejt nga shtëpitë botuese ose nga metoda tjetër e subvesconimit direkt te ekonomitë familjare. Në secilin rast, teksti shkollor po arrinë te nxënësi. Pra pas një analize të vitit të mëparshëm ja vlenë të vazhdohet e njëjta metodë”, u shpreh Qehaja.

Pavarësisht reagimeve që kishte nxitur kjo metodë, edhe përfaqësues nga Shoqata ePrindërve  thanë se ia vlenë që të përdoret e njëjta praktikë.

Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, në vitin 2023 ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat